E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon tryeza, Metës i përgjigjet vetëm Nano

Nano rishfaqet sërish për të sulmuar të majtën. Qëllimi i takimit Nano-Meta, jo fitorja e së majtës


TIRANË - Dështon tryeza Lëvizjes Socialiste për Integrim, për "bashkimin e së majtës". Takimi i thirrur nga LSI-ja është tkurrur vetëm në pjesëmarrjen e tre personave, ish-kryeministrave, Ilir Meta dhe Fatos Nano, si dhe kreut të PSV91, Petro Koçi.


Asnjëra prej figurave kryesore aktive të së majtës, si kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së, Paskal Milo, por as figurat historike të spektrit të majtë, si ish-Presidenti Rexhep Meidani, apo ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kreut të LSI-së, Ilir Meta, duke mos marrë pjesë në tryezën që ky i fundit kishte programuar për bashkimin e opozitës.


Sikur të mos kishte ndodhur asgjë më parë, dy ish-kundërshtarët politikë, Fatos Nano dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kanë harruar çdo gjë të zezë që kanë thënë për njëri-tjetrin për vite me radhë gjatë luftës për më shumë pushtet, dhe kanë mundur dje, pas përpjekjesh të gjata, që të ulen në një tavolinë, e cila duket se ka shërbyer më shumë për të qarë hallin e së ardhmes së tyre politike, sesa për "shpëtimin e së majtës".


Një fakt i tillë u duk qartë edhe nga mesazhet që përcollën dy ish-kundërshtarët gjatë komunikimit të tyre me median, ku pavarësisht se ishin mbledhur për bashkim, nuk kanë nguruar të thumbojnë drejtuesit aktualë të së majtës.


Kështu, Nano, ashtu si ditën e përcaktimit të listave për deputetë, megjithëse me një fjalor më të kamufluar, më shumë ka dëshiruar se sa ka pasur frikë për humbjen e së majtës më 28 qershor.


I pyetur nga gazetarët nëse ky takim, përveç largimit të Berishës kishte për qëllim edhe largimin e Ramës, ish-Kryeministri Nano u përgjigj se "e kemi pas thënë dikur se nuk kemi ç'i bëjmë fenomenit të vetëlargimit", duke parashikuar kështu një largim të detyruar të kreut socialist pas humbjes së 28 qershorit, çka tregon qartë se qëllimi i një takimi të tillë ishte faktorizimi i këtyre figurave në politikën shqiptare dhe jo fitorja e së majtës.


Ndërkohë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke parandier ndoshta dështimin e tij personal dhe të forcës që ai drejton më 28 qershor, ka preferuar të flasë më shumë për Berishën sesa për të majtën, duke u shprehur se ftesa për liderin e opozitës aktual mbetet ende në fuqi për t'u ulur dhe biseduar për një bashkim forcash në zgjedhjet e së dielës.


Një ftesë kjo që, nga krerët e së majtës është cilësuar si përpjekje e kotë dhe që s'do të kishte asnjë efekt tani, kur mbeten dhe vetëm 6 ditë nga zgjedhjet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›