Detaje të vogla që bëjnë ndryshimin e madh
Dita e zakonshme e një studenti në Gjermani fillon në mëngjes me leksionet e para. Çdo gjë fillon në orar, siç është planifikuar dhe çdo informacion është i afishuar si në hollin e universitetit, ashtu edhe në faqen e internetit të institucionit arsimor përkatës. E para gjë që më bëri përshtypje me fillimin e studimit në Berlin ishte i ashtuquajturi “çereku akademik”, që praktikisht do të thotë që mësimi fillon dhe mbaron gjithnjë me pesëmbëdhjetë minuta (më vonë, ose më herët) nga ora fikse. Pra, nëse mësimi është afishuar në orarin 15:00 – 17:00, ai fillon në 15:15 dhe përfundon në 16:45. Mund të them se në Shqipëri kjo traditë nuk ekziston pothuajse fare. Tek ne oraret janë fikse dhe nuk i jepet kohë profesorit dhe studentëve të përgatiten siç duhet për fillimin e leksionit, si me materialet didaktike, ashtu edhe me leximet përkatëse. Pothuajse çdo student ka me vete një termus me çaj (në dimër), ose një pije të freskët në verë, pije të cilën është tërësisht i lirë ta konsumojë gjatë orarit të mësimit. Gjithashtu jo rrallë gjen edhe studentë që kanë ushqime me vete, të cilat gjithashtu mund t’i konsumojnë lirshëm gjatë orarit të mësimit. Herën e parë që u përballa me këtë dukuri, teksa po shihja kolegen time tek përtypej në orën e mësimit, më vinte ndërmend shikimi i vëngërt i njërit prej profesorëve të mi në Tiranë, teksa pija ujë në orën e mësimit. Ora e mësimit përfundon në një mënyrë unike që është e pranishme vetëm në Gjermani. Të gjithë studentët pas përfundimit të leksionit, trokasin mbi tavolinën e tyre, në shenjë falënderimi për mësuesin, i cili po i dhuron një pjesë të dijes së tij dhe gjithashtu në shenjë vlerësimi për cilësinë e mësimdhënies. Të mos trokasësh në tavolinë do të thotë që nuk e ke pëlqyer atë ç’të ka servirur profesori yt. Herën e parë që isha i pranishëm në këtë ngjarje (në trokitjen në fund të leksionit) në një moment u habita dhe mendova se dikush po trokiste në derë, por menjëherë më tërhoqi vëmendjen kolegu pranë duke më pyetur i befasuar – “A nuk të pëlqeu mësimi?”. Pak nga inercia, duartrokita (shenjë kulturore e ndryshme kjo) dhe pjesa më e madhe e studentëve shpërtheu në gaz, duke më vënë në dukje sa i huaj jam dhe duke u zbavitur me këtë gabim, që gjithmonë ishte tregues i studentëve të huaj. Duke mos dashur të fyej askënd në sistemin tonë arsimor, do të doja të thosha se ky shkrim, është për të treguar se si disa detaje të vogla si çereku akademik, liria e veprimit gjatë orës së mësimit (përderisa përgjegjësia e studimit është vetëm e studentit) dhe trokitja pas leksionit, e plotësojnë aq shumë jetën akademike, i shtojnë asaj një fije prestigji dhe e bëjnë mësimin jo vetëm një detyrim paraqitje, por edhe një akt pjesëmarrjeje qytetarie.
/Elton Çapani /Master në Histori Globale/