Zbutja e kurbës ekologjiste në mandatin “Obama -2”
Dështimet e mëparshme për miratimin e ligjeve për klimën në SHBA do të bëjnë që administrata “Obama” të synojë të shpjerë përpara masa modeste, diskrete dhe më të përgjithshme për efikasitetin dhe lehtësimet tatimore në fushën e energjisë së ripërtërishme
Nga Gerard Wynn
(Reuters)
Luftimi i ndryshimeve klimatike nuk do të jetë çështja kryesore në SHBA nën presidentin Barack Obama, ndonëse ato u përmendën në fjalimin e tij inaugurues, muajin e kaluar. Dështimet e mëparshme për miratimin e ligjeve për klimën në SHBA do të bëjnë që administrata e tij të synojë të shpjerë përpara masa modeste, diskrete dhe më të përgjithshme për efikasitetin dhe lehtësimet tatimore në fushën e energjisë së ripërtërishme. “Ne do t’i përgjigjemi kërcënimit të ndryshimeve klimatike, duke e ditur se nga dështimi ynë për të bërë një gjë të tillë do të pësojnë fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme”, kishte thënë presidenti, duke ia kushtuar kësaj çështjeje më shumë se një minutë të fjalimit të tij 20-minutash inaugurues, më 21 janar. “Në këtë mënyrë ne do ta ruajmë planetin tonë, që na është dhënë për kujdes nga Zoti”, kishte vazhduar ai, duke u shprehur në mbështetje të burimeve të ripërtërishme. Por, këshilltarët politikë, shkencëtarët dhe aktivistët kundër ndryshimeve klimatike ende nuk e kanë marrë veten nga dështimi i mëparshëm për miratimin e ligjit për klimën më 2009-2010, ndonëse një gjë e tillë kishte bërë bujë dhe kishte pasur pritje të mëdha. Mundësitë për miratimin e një ligji të tillë dukeshin premtuese, para suksesit të lëvizjes “Tea Party”, e cila mori kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve, përmes republikanëve radikalë. Tani, Obama dëshiron që të mbështesë projektet e hulumtimit për efikasitetin si dhe të shfrytëzojë reformat tatimore të ardhshme që ta “barazojë terrenin” për format e ripërtërishme të energjisë, ka thënë këshilltari Brian Deese, zv.drejtor i Këshillit Ekonomik amerikan, në një intervistë dy javë më parë. Ai mbase mund të përcaktojë edhe objektiva më ambicioze, përfshirë një standard federal për energji të pastër; tatime për dyoksid karboni apo refuzimin e naftësjellësit “Keystone”. Ekonomisti në Universitetin e Harvardit, Robert Stavins, e ka vënë theksin te polarizimet, në një artikull të kohëmëparshëm, ku paraqitej kontrasti i miratimit të ligjit për ajër të pastër dhe dështimi për kalimin e ligjit për klimën. “Debatet për mbrojtjen e ambientit dhe për energjinë, që nga vitet shtatëdhjetë, e deri tek pjesa më e madhe e viteve nëntëdhjetë, kanë shpalosur përçarjet në aspektin gjeografik”, ka thënë ai. Amendamentet në Ligjin për ajër të pastër, të miratuara më 1990, kishin 87 për qind dhe 91 për qind të mbështetjes te senatorët republikanë dhe ata demokratë. Ligji për klimën, “Waxman-Markey”, më 2009, kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve me mbështetjen e 83 për qind të demokratëve dhe 4 për qind të republikanëve, por kurrë nuk mbërriti në Senat. Ekspertja e shkencave politike në Universitetin e Harvardit, Theda Skocpol, kritikoi gjatë muajit të kaluar OJQ-të që po punojnë nën ombrellën e Partneritetit pro biznesit për Veprime rreth Klimës (USCAP), për gabime gjatë raportit rreth Kongresit të polarizuar, në fushatën e ligjit për klimën. Ata u përqendruan shumë në pazarllëqet e brendshme me bizneset, duke injoruar presionet partiake, kishte shkruar ajo në studimin e saj të titulluar “Emërimi i problemit: Çfarë do të duhet për të angazhuar amerikanët në luftën kundër ngrohjes globale”. “Strategjia e ‘USCAP’ bazohej në shpresat e gabuara për mundësinë e ujdisë partiake dhe dështimin për të kuptuar se mbështetja nga republikanët nuk do të sigurohej. Përkrahësit ideologjikë, forcat frenuese në industrinë e lëndëve djegëse dhe forcat populiste antiqeveritare janë ato që kanë ndikim në Partinë Republikane aktualisht, përfshirë elitat miliardere dhe aktivistët që kundërshtojnë secilën përpjekje të qeverisë për luftimin e ngrohjes globale”.
Mundësi për kompromis?/Në mungesë të një ligji gjithëpërfshirës për energjetikën dhe klimën, a ka mundësi për kompromis rreth masave modeste? Kandidati i mposhtur presidencial republikan, Mitt Romney, kishte favorizuar heqjen e kthimeve tatimore për energjinë e erës, por Kongresi e kishte vazhduar këtë masë, në kuadër të ligjit të përgjithshëm për masat fiskale, në fund të vitit të kaluar, në një mbështetje të rrallë të dy partive për energjinë e pastër. Mbështetja republikane është e mirëseardhur në shtetet ku ka ferma dhe prodhues që mbështeten në burime të ripërtërishme, por tjerët e quajnë “pasurim korporatash”. Edhe ashtu, industria ka nevojë për më shumë sesa zgjatje njëvjeçare. Shoqata Amerikane për Energjinë e Erës kishte thënë në dhjetor se do ta mbështeste një afat gjashtëvjeçar, në fund të të cilit do të shfuqizoheshin lehtësimet tatimore, “në mënyrë që të mund të mbahej në këmbë kjo industri që mezi funksionon”. Megjithatë, një gjë e tillë vazhdon të hasë në kundërshtimin e disa republikanëve, në kuadër të debateve të ashpra për buxhet. Po ashtu, anëtarja më e lartë republikane në Komitetin e Senatit për Energjetikë dhe Pasuri Natyrore, Lisa Murkoswski, e kishte mbështetur të hënën një alternativë, ku operatorët e burimeve të ripërtërishme do të mund të inkorporoheshin në strukturën tatimore për partneritetet, më e lehtë sesa tatimet mbi të ardhurat e korporatave, që tashmë i është vënë në dispozicion industrisë së lëndëve djegëse mbi bazën e fosileve. Nëse një gjë e tillë u afrohet lehtësimeve aktuale tatimore prej 12 miliardë dollarësh, kjo mbetet të shihet. Sa i përket kompromisit rreth lëndëve djegëse mbi bazën e fosileve, ekziston pajtimi midis shumë grupeve për mbrojtjen e ambientit për aspekte të ndryshme, përfshirë mbrojtjen e ujërave nëntokësore; reduktimin e sasisë së metanit që lirohet në atmosferë dhe shkurtimin afatgjatë të emetimit të dyoksidit të karbonit nga termocentralet. Jennifer Morgan e Institutit për Resurset Botërore e kishte prezantuar një qëndrim të tillë në dëshminë para Nënkomitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Energjetikë dhe Tregti, të martën.
Ekziston kufiri për kompromis rreth çështjes që ndan Kongresin, si ndryshimet klimatike. Duke anashkaluar ujditë rreth naftësjellësit “Keyston”, Obama mund të shfrytëzojë agjencitë ekzekutive dhe në veçanti Agjencinë për Mbrojtjen e Ambientit (EPA). Gjykata Supreme lejoi më 2007 që EPA ta fusë dyoksidin e karbonit në listën e ndotësve që mund ta rrezikojnë shëndetin publik, gjë të cilën ajo mund ta rregullojë në bazë të Ligjit për ajër të pastër. Instituti për Pasuritë Botërore të mërkurën kishte detajizuar se si objektivat e përcaktuara që të realizohen në vitin 2020 mund të arrihen ekskluzivisht në nivel shteti dhe veprimin e agjencisë ekzekutive, duke e anashkaluar Kongresin. EPA tashmë ka vendosur rreth emetimit të gazrave nga veturat dhe ka propozuar t’u caktohet kufiri termocentraleve të reja që ndërtohen, derisa hapi i ardhshëm do të jetë vazhdimi i kufizimeve për termocentralet e thëngjillit. Vënia e kufijve të ashpër tek termocentralet ekzistuese të thëngjillit nuk do të mund të arrihej menjëherë, derisa kjo gjë do të haste në kundërshtim të ashpër në gjykatat federale, mbi bazën e tejkalimit të kompetencave nga ETA, ashtu si edhe komitetet e Kongresit, që janë duke e kontrolluar buxhetin e saj. Më pak kundërthënës do të ishte përforcimi gradual i standardeve të efikasitetit për gjithçka, prej kamionëve, e deri te pajisjet shtëpiake dhe ndërtesat. Ligji gjithëpërfshirës për klimën do të varet prej mbështetjes publike rreth kësaj çështjeje, e cila është larguar nga vëmendja që nga viti 2007, apo një udhëheqësi e inspiruar, pasi që ndasia aktuale midis partive mund të jetë e vështirë për t’u tejkaluar.
Autori është analist për tregjet i agjencisë “Reuters”