Fokus/Shkretëtira ekologjike - Evropa Juglindore
Organizatorët e turizmit ngrenë shpesh në qiell bukuritë e natyrës në Evropën Juglindore. Por ata heshtin edhe kur ndotja e ajrit në disa qytete është më e larta në Evropë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vënë alarmin. Në Sarajevë, përqendrimi i grimcave të ndotjes së ajrit është më i larti në Evropë, me një mesatare vjetore prej 117 mikrogram për metër kubik. Bashkimi Evropian lejon një vlerë mesatare vjetore prej maksimumi 40 mikrogram. Pak më e ulët se në kryeqytetin e Bosnjë Hercegovinës, por megjithatë më e lartë e mesatarja e lejuar, është përqëndrimi i pluhurit në qytetet e Maqedonisë, Tetovë dhe Shkup, në Plovdivin bullgar dhe në Timishoarën rumune. "Përqendrimi i pluhurit rritet në muajt e dimrit, kështu që në këtë periudhë shëndeti i popullsisë është më shumë i rrezikuar", thotë Martin Teis, ekspert për kontrollin e kualitetit të ajrit në Sarajevë. Koncepti i grimcës së pluhurit(PM10) përshkruan pjesëzat që përmbahen në pluhur, diametri i të cilave është më i vogël se dhjetë mikrometra. Meqenëse janë kaq të vogla ato thithen me frymë pa u filtruar. Studimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë treguar se kur përqendrimi i pluhurit të imët është i lartë, rriten rastet e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes dhe sistemit të qarkullimit të gjakut.
Automjete të vjetra Shkaktari kryesor i ndotjes së ajrit në Sarajevë janë sistemi i vjetër i ngrohjes dhe varfëria e njerëzve, thotë Teis: "Në ekonomitë shtëpiake private ngrohja bëhet më çdo gjë të mundshme, me qymyr dhe dru, por edhe me rrota të vjetra makinash". Një problem tjetër janë automjetet që janë mesatarisht 15 deri 18 vjeçare dhe e dëmtojnë ambientin më shumë se sa modelet e reja me katalizatorë modernë. Megjithatë kushtet klimaterike luajnë një rol: "Sepse Sarajeva është e rrethuar nga male, dhe ajri lëviz pak," thotë Teis.
Probleme të ngjashme ka edhe në Maqedoni, ku në dhjetor të 2012, në disa shtete u matën vlera ditore të pluhurit të imët deri në një mijë mikrogram për metër kubik. "Industria e vjetëruar, kualiteti i keq i materialit djegës për centralet, trafiku, asgjë nga këto nuk është rregulluar, ne jemi nën një proces të urbanizimit të egër," akuzon Dragan Gjorgjev nga Instituti Kombëtar për shëndetin në Shkup. Ligjet për mbrojtjen e ambientit injorohen në mënyrë që të mos rëndohet industria me kërkesat për filtrim më efikas, thotë Gjorgjev: "Impiantet industriale në Maqedoni nuk i përgjigjen standarteve evropiane". Për të përmbushur direktivat e BE-së për kualitetin e ajrit, në Gjermani janë marrë masa të gjera, shpjegon Marcel Langner nga Zyra Federale e Ambientit. Impiantet industriale duhet të ndërtojnë filtër për grimcat e imta, gjë që nxitet edhe nga taksat. Centralet kanë kaluar nga djegia e qymyrit në atë të gazit dhe automjetet e reja duhet të kenë katalizatorët e duhur. Në përputhje me ligjet evropiane, në Gjermani kufiri maksimal i PM 10 është 40 mikrogram për metër kubik mesatare vjetore. Përveç kësaj në shumë qytete gjermane ka zona ambientaliste. Nëse përqendrimi i PM10 në një ditë e kalon vlerën e lejuar, automjetet që lëshojnë misione të larta grimcash të imta nuk duhet të kalojnë në këtë zonë. Adrian Stoica nga organizata ambientaliste GIPRO në Timishoarë të Rumanisë, dëshiron që të ketë rregulla dhe masa konkrete për përmirësimin e kualitetit të përgjithshëm të ajrit në të gjitha qytetet. Nxitje mund të shkaktojë interesi financiar, "futja e taksave për të gjithë qytetarët që përdorin makina dhe teknikë që dëmtojnë ajrin". Një taksë e tillë do të zgjonte edhe tek njerëzit ndjenjën ë përgjegjësisë për ndotjen e ajrit," thotë aktivisti i ambientit.