E Diel, 1 Nëntor 2026

Detajet e ligjit mbi Ish-të përndjekurit, Berisha kërkon një histori të vërtetë për enverizmin

01-09-2011 / Gazeta 55

Ndryshon ligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, duke zgjeruar bazën e atyre që përfitojnë, për shkak të dënimeve për arsye politike. Shtohen në listë të dënuarit për terrorizëm si dhe rritet dëmshpërblimi për të internuarit deri në vitin 1954. Ish-të përndjekurit mbi 85 vjeç, do ta marrin dëmshpërblimin në një këst të vetëm


Berisha: Të bjerë miti i Hitlerit të shqiptarëve, Evropa të mësojë barbarinë enveriste


Muze në burgun e Spaçit, për të simbolizuar egërsinë e diktaturës ndaj shqiptarëve


Këshilli i Ministrave ndryshon ligjin për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, duke rritur spektrin e përfituesve, pasi në ligjin ekzistues është bërë një interpretim jo korrekt i veprave për të cilën janë dënuar gjatë diktaturës. Nga mbledhja javore e Qeverisë, kryeministri Sali Berisha u shpreh se ndaj kundërshtarëve të regjimit janë etiketuar vepra që nuk i kanë kryer kurrë, janë trilluar shpifje si dhe akuza ndër më monstruozet, vetëm e vetëm që të mbahej në këmbë mekanizmi shtypës diktatorial. Krimet e komunizmit kanë qenë të shumta dhe nga më monstruozet, deklaroi kreu i qeverisë para ministrave, për këtë shkak shtoi ai, do të përfitojnë edhe ata që kanë vuajtur dënime të tjera përveç atyre që parashikon ligji ekzistues. “Çështja kryesore që shqyrtojmë sot është amendimi i ri i ligjit ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’. Më këtë amendim zgjerohet spektri i atyre që përfitojnë, pasi në ligjin ekzistues është bërë një interpretim jo korrekt i veprave për të cilën janë dënuar gjatë diktaturës, kundërshtarët e regjimit. Janë etiketuar për vepra që nuk i kanë kryer kurrë, janë trilluar shpifje, akuza ndër më monstruozet vetëm e vetëm për të konsoliduar mekanizmin shtypës mbi qytetarët e këtij vendi. Është një proces i mirëpritur dhe e drejta duhet në të gjitha rastet të ngadhënjejë. Dokumentet autentike faktojnë platformën e pohuar me gojën e diktatorit dhe shkrimin e tij, platformën e eliminimit të kundërshtarëve politikë pa gjyq dhe pa asgjë, platformën e zbatimit verbërisht të çdo urdhri, të armiqve të betuar të kombit shqiptar që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare, serbëve Mugosha, Popoviç, Tempo”, u shpreh kryeministri. Duke e vlerësuar këtë një proces të mirëpritur, kryeministri theksoi, në mënyrën më të padiskutueshme se e drejta duhet të mbizotërojë. Sipas tij, në ligjin e ri nuk mendohet të trajtohen në mënyrë të veçantë kolaboracionistët, por bëhet fjalë të përfitojnë në mënyrë të drejtë, ata shtetas që janë ekzekutuar për bindje politike nga regjimi i kohës. “Nuk bëhet fjalë këtu për të zbutur asnjë qëndrim ndaj kolaboracionistëve. Kolaboracionizmi ka marrë ndëshkim botëror, por bëhet fjalë për ata, të cilët u ekzekutuan për bindje të drejta politike, për qëndrime të qarta kombëtare, ndaj dhe duhet ditur që ky ligj është një ligj që do të ketë dinamizmin e domosdoshëm”, tha Berisha. Paralelisht me amendimin e ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politik, kryeministri Sali Berisha kërkoi pasqyrimin e drejtë në librat e historisë, të periudhës diktatoriale, pasi siç tha kreu i qeverisë, në nuk trajtohet e vërteta. “Historia nuk ka folur, është tragjike se edhe pas 20 vitesh historia nuk ka zbardhur të vërtetën tragjike që pësoi ky popull në mënyrën më të pamerituar, por edhe në mënyrën më mizore. Po të marrësh diktatorin, që të gjitha këto diktatura që bien njëra pas tjetrës, ju garantoj se këta mizorë, secili prej tyre nuk është gjë tjetër, veçse një nxënës i keq i Hitlerit shqiptar të pasluftës. Kjo është e vërteta, ndaj dhe në të gjithë këtë, për Enver Hoxhën tragjike është se ka një histori të tërë të shpifur, të trilluar në funksion të kultit të tij dhe ende shqiptarët dhe bota nuk ka veprat e barbarive të tij. Ky është realiteti. Kështu është dhe historia, shumë e cunguar”, theksoi kryeministri. Ai kujtoi se njeriu që ndërtoi shtetin, Mbreti Zog, në librat e Historisë mbetet i skajuar, për shkak të propagandës komuniste të Enver Hoxhës, i cili vendosi kalvarin e shpifjeve dhe trillimeve ndaj Mbretit të shqiptarëve. “Njeriu që ndërtoi shtetin prapë mbetet i skajuar. Ai është Mbreti Zog. Përse mbetet i skajuar sepse në propagandën e tij, diktatori vendosi një mal shpifjesh mbi sundimin e tij. E vërteta është që në histori i pari ndërtoi shtet dhe histori dhe nuk e bazoi atë në luftën e klasave, ndërtoi një shtet, në një kohë kur elementet aventurierë, të cilët donin me pyka dhe qyta të përmbysnin çdo javë një qeveri, nuk ishin të pakët, por ai ndërtoi shtetin. Vendosi ligjin. Një gjë është e sigurt dhe historia do të dale siç është. Nuk është kurrë historia dhe nuk ka qenë kurrë vetëm me të mira, vetëm me lavdi. Historia është histori dritëhijesh, por u ndala në këtë moment sepse e konsideroj shumë të drejtë propozimin që ka bërë Ministria e Drejtësisë për amendimin e këtij ligji”, tha kryeministri. Muze në burgun e Spaçit, për të simbolizuar egërsinë e diktaturës ndaj shqiptarëve Për 100 Vjetorin e Pavarësisë kreu i qeverisë Sali Berisha i kërkoi Ministrisë së Kulturës të paraqesë pranë Qeverisë kërkesën për ndërtimin e një Muzeu në burgun famëkeq të Spaçit. Sipas kryeministrit, Spaçi duhet të “rindërtohet” dhe të simbolizojë të gjithë egërsinë diktatoriale. “Ministria e Kulturës duhet të sjellë sa më shpejtë ne qeveri vendimin për ngritjen e Muzeut në Spaç. Spaçi duhet të rindërtohet, të simbolizojë që të gjithë egërsinë e diktaturës”, u shpreh Berisha. Ai tha se kjo nuk është formë hakmarrëse, por kujtesa kombëtare është e domosdoshme dhe vendosja e saj është një nderim i domosdoshëm. “Ne nuk mund të shkojmë drejt 100 vjetorit pa ridimensionuar, siç ishte historia jonë, pa qëllime hakmarrëse. Në Shqipëri nuk pati hakmarrje. Ju e shihni si Çian Çini shqiptar jep intervista kundër qeverisë. Kjo është e vërteta. Nuk ka pasur dhe nuk ka këtu tendenca, por kujtesa kombëtare është e domosdoshme, vendosja e kujtesës, nderimi është i domosdoshëm. Ne jemi komb që duhet të mësojmë për të ndërtuar të ardhmen, por duke njohur dhe atë që përjetuam”, deklaroi shefi i ekzekutivit, Berisha.


Ja ndryshimet thelbësore që pritet t’i bëhen ligjit


-Zgjerohet afati i kohor i cilësimit të veprës që dëmshpërblehet, nga 30 nëntor 1944 në 25 tetor 1944.


-Njihet e drejta e aplikimit deri më 31 dhjetor 2011. Kjo do të thotë që subjektet apo trashëgimtarët e tyre të cilët nuk kanë munduar të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblimin deri në datën 1 korrik 2009, mund ta bëjnë këtë gjë deri më 31 dhjetor 2011.


-Njihet vendimmarrja e Komisionit Trepalësh (që ka vepruar në vitet 1992 - 1994), për të internuarit deri më 31 dhjetor 1954. Ky internim shpërblehet me 1.000 lekë për çdo ditë të vuajtur. Duhet bërë kujdes në kuptimin e këtij, pasi vendimmarrja e komisionit (që ka vepruar si gjykatë fakti në mungesë të dokumenteve), nuk njihet për vdekjen në hetuesi apo për vrasjet pa gjyq.


-Njihen në listën e veprave penale, ato të parashikuara nga neni 65 i Kodit Penal të vitit 1952 dhe neni 50 i kodit në fjalë i vitit 1977. Këto përfshijnë veprat e terrorizmit kundër pushtetit dhe të përfaqësuesve të tij. Për këto raste, kërkuesi duhet të bëjë një kërkesë me shkrim pranë Ministrisë së Drejtësisë.


-Njihet e drejta e fëmijëve biologjikë që ishin birësuar apo kishin humbur lidhjet me prindërit e tyre si pasojë e persekutimit.


-Të dënuarit mbi 85 vjeç, e marrin dëmshpërblimin në një këst të vetëm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›