Përse i shërbeu diktaturës neni i Agjitacion-Propagandës?
Fantazma e nenit të agjitacion propagandës i shërbeu diktaturës komuniste për t’i hequr shoqërísë shqiptare çdo lloj liríe. Kjo fantazmë po shfaqet sot edhe brenda radhëve të PS-së. Me këtë nen diktatura u çlirua nga gjithë klauzolat, që u detyrua t’i respektonte disi nga inercía e drejtësísë së “vjetër”. Me nenin “55” të agjitacion – propagandës, diktatura, jo vetëm zhduku çdo pavarësí të individit, por me terror konsolidoi pushtetin e dhunës, të gënjeshtrës dhe të urísë. Se diktaturës komuniste nuk i mjaftonte vetëm heqja e ministrisë së drejtësísë, apo zyrat e avokatísë. Asaj i duhej një nen i frikshëm, një nen sfinks, një “grackë” siç ishte neni “55”, me të cilin ajo të dënonte cilindo që fliste një fjalë, që tegonte një ëndërr, apo që qeshte, kur diktatura donte që ai të qante. Diktaturës i duhej, pra, një nen përbindësh, me të cilin të terrorizonte këdo që mendonte diçka, që nuk i pëlqente partisë. Asaj i duhej një nen, me të cilin të vinte në gijotínë edhe vetë “shtyllat” e “revolucionit”, gjithë ata që nuk kursyen asgjë për fitoren e “vdekjes mbi jetën”. Dhe këtë nen ajo e gjeti në legjislacionin e xhelatit të Kaukazit, Josif Stalinit. Dhe, porsa e gjeti, u sul e lumturuar mbi shtresat fisnike, mbi gjithë intelektualët, mbi tregtarët dhe studentët që kishin mbaruar jashtë shtetit. Pastaj, pasi i bashkangjiti këtij neni ridënimin, kalbi në errësirat e burgjeve të frikshme pjesën më të pafajshme të Shqipërísë. Me këtë nen taní hetuesit mizorë nuk lodheshin për të sajuar akuza false. Se dhe nga një fjalë e vetme, krejt e zakonshme e një të pandehuri, ata krijonin taní disa deklarata “reaksionare”, shumë plane të imagjinuara armiqësore, dhjetëra veprimtari keqbërëse, për dënimin e të cilave lavdëroheshin nga eprorët e tyre xhelatë.
Me nenin e agjitacion - propagandës diktatura u çliruar nga procedurat e mërzitshme të “vërtetimit” të fajësíve të paqëna. Me këtë nen “lugat” ajo tani mund të dënonte këdó, madje dhe atë që lavdëronte partinë nga mëngjesi në darkë. Sepse, edhe një fjalë e mirë për “revolucionin” ajo e interpretonte si ironike dhe autorin e syrgjynoste në birucat e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit. Dhe qe e sigurtë se atje ky i pafajshëm do t’i sajonte vetes fajësí më të rënda nga ato të shpifura nga hetuesit mizorë. Prandaj Stalini, ky përbindësh i stepave të Rusisë, i dhuroi kasapit të Shqipërísë Enver Hoxha këtë nen të llahtarshëm, nga i cili të mos mund të shpëtonte as ai që mendonte të jepte edhe jetën për partinë. Prandaj Shqipëría, që kur dëgjoi gjëmimin e këtij neni fantazmë, filloi të kishte frikë edhe nga këmisha që kishte veshur në trup. Mosbesimi taní u bë si një “jelek antiplumb”, kurse hipokrizia - moral i fortë mbijetese. Ndërkohë që servilizmi nisi të çmohej si virtyt, majmunëría kolektive u vlerësua si shfaqje e inteligjencës së individit. Kështu frika u bë parzmore e mbrojtjes së jetës dhe dinjitetit të kërcënuar, kurse spiunimi u kultivuan si një nga format “revolucionare” të një militanti besnik i partisë. Dhe terrori i diktaturës arriti kuota të reja. Neni i agjitacionit nisi të bënte kërdínë, ndërkohë që frika filloi të hidhte vallen e vdekjes. Pasiguría për të nesërmen e shndërroi jetën në një fatalitet normal. Mirëpo, pikërisht, kur e mendoi veten të siguruar, diktatura filloi të shqetësohej nga indiferenca, me të cilën njerëzit nisën të përballeshin me rrezikun. Se dhe nëpër vdekje të parakohshme kish nisur të dëgjohej fjala makabre “Shpëtoi!”. Prandaj “kuçedra” komuniste vrapoi ta zbuste përkohësisht terrorin. Ajo taní nisi të kuptonte se nuk kishte pushtet përtej vdekjes. Ndaj u ngut të gjente forma të reja për të ringjallur në vetëdijet e skllevërve dashurínë për jetën, e cila ishte pika, ku mund të vendoste terrorin, këtë “levë Arkimedi” për depersonalizimin e shoqërísë.
Ndërkohë në burgje dhe kampe internimi viktimat ridënoheshin për të njëjtin “faj”, edhe pse ende nuk kishin kryer as një të dhjetën e masës së dënimit të marrë. Kështu neni “55”, i agjitacion - propagandës, filloi të zëvendësonte dënimin me burgim të përjetshëm. Dhe ky absurditet mori aq trajta komike, sa dhe oficerë “madhorë” të Ministrisë së Brendshme nuk e mbanin dot të qeshurën, kur, pas pyetjes për masën e dënimit, merrnin nga të dënuarit përgjigjen se ata qenë dënuar fillimisht me dhjetë vjet, kishin kryer pesëmbëdhjetë dhe u kishin mbetur për të vuajtur edhe dhjetë vite të tjera. Ridënimi për të njëjtin faj ishte një nga ato kulmet e idiotësísë kriminale të atij sistemi mizor. Me këtë nen diktatura tentoi t’ua hiqte viktimave shpresën se mund të dilnin gjallë. Prandaj ky nen u bë një nga ato presionet, që diktatura përdorte për degradimin e njerëzve.
E, megjithatë, kundërshtarët e saj qëndruan si heronj, ndonëse, duke vuajtur me dekada, nuk prisnin veçse vdekjen. Historía ka për t’u habitur se ku e gjetën forcën këta skllevër për të mbijetuar kaq krenarë. Neni i agjitacion propagandës ishte një nga ato shpikjet djallëzore të gjeníve të së keqes. Ai ngriti në piedestal dyshimin e njeriut te njeriu. Por, si çdo e keqe që nuk vjen vetëm për të keq, terrori i këtij neni shenjtëroi miqësítë e vërteta, të cilat zëvendësuan lirínë e munguar. Se vetëm te një mik i mirë njerëzit e ndershëm mund të “shkarkonin” tani gjithë ankthet, që u krijonte diktatura. Vetëm me këta miq njeriu ndihej që jetonte dhe vetëm me ta përtërinte forcat për të vazhduar jetën. Kurse pjesa që mbetej, s’ishte veçse një hipokrizi e neveritshme, e bërë aq natyrale, saqë njerëzve nuk u dukej më një deformim. Kjo mund të duket paradoksale, sa kohë që endé s’është kuptuar se sa shumë qe i terrorizuar njeriu nga hija e nenit të agjitacion - propagandës. Prandaj edhe sot shoqëría nuk arrin të krijojë atë solidaritet të lartë qytetar, i cili do të bënte, jo Ramën me shokë, por çdo forcë antishqiptare të mendohej thellë, kur të pengonte integrimin e Shqipërísë në Bashkimin Europian!