E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universaliteti i zgjedhjeve, sipas Kushtetutës

01-09-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Rama e ka mbushur kupën jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj elitës së PS-së, përbrenda, si edhe ndaj aleatëve të tij. Ai artifici i tij banal “Na i vodhën votat”, po bëhet tashmë i papranueshëm gjithandej. P. Milo, njër ndër aleatët e tij më të përkushtuar, tani shprehet: “S’do pranojmë më të jemi garnitura e Edi Ramës pasi, siç thotë ai, është mësuar të dalë i humbur nga çdo garë elektorale” (deklaratë e 29 gushtit). Pra,  ai flet për humbje elektorale, pavarësisht se Edvini e quan fitore. Milo thekson në deklaratën e tij se ka qenë dhe është kundër ndryshimeve kushtetuese, që “janë ideuar në vitin 2008 dhe janë bërë për interesa personale nga vetë E. Rama”. Pasi përmend pendesën e kryealeatit të tij për ndryshimet kushtetuese, ai nuk është dakord për ndryshimin sërish të kushtetutës. Dhe shprehet se  “bën mirë të shkojë në kuvend”, sepse “interesat partiake duhet të kalojnë në plan të dytë përkundrejt interesavekombëtare”. A. Malaj flet për tkurrje elektorale dhe e përcakton Ramën se e drejton partinë sipas meritës së sërvilizmit. Malaj bën fjalë edhe për “fundosjen e PS-së në hendekun e krizës elektorale.
Gazeta “55” e datës 29.08. 2011, komenton mendimet e anëtares së kryesisë së PS-së dhe sekretares së kësaj partie për shanset e barabarta, Edlira Haxhiymerin. Kjo e kritikon rëndë Ramën “që orvatet të mbledhë vota nga ata që nuk i votojnë as familjarët e tyre”. Ajo shprehet se “është e lehtë të bësh lodra me m’i vodhën votat, m’i grabitën ditën për diell apo natën me hënë”. Justifikimet e tij për humbjen e 25.000 votave të 2005-s Edlira i quan “të denja për fantazinë e një mësuesi të vizatimit”. Kam pas dhënë mësim në gjimnazin “Partizani” kur Edlirën e kishim njërën prej nxënësve më të dalluar të shkollës. Ajo ishte ndër nxënëset e shquara, por edhe me edukatë shembullore. Edhe në kritikën e saj kundër Ramës, ajo flet vazhdimisht me “zoti Rama”. Dhe  nuk do të dëshiroja që të keqkuptohet me përmendjen e “mësuesit të vizatimit”, në kuptimin e nënvleftësimit të tyre, por aludon për profesionin si piktor të pahair të personit të cilin e replikon.
Njerëzit më seriozë, që i janë kundërvënë pa dredha ekstravagantit E. Rama, janë Kastriot Islami dhe Elmaz Sherifi. Të parin e kam pasur nxënës në shkollën Partizani, gjer në maturë.  Ishte ndër nxënësit më të mirë të shkollës. Ai ka parashikuar saktësisht se ku do ta çonte PS-në rruga e tij e vetme. Elmazi ia ka thënë, gjithashtu, të katër të vërtetat në sy dhe, për hir të së vërtetës, ia kishte përmendur edhe elasticitetin e dr. Berishës kur Rama e bëri Kodin Zgjedhor, ashtu siç mendonte ai që do t’i dilte për mbarë.
Tani del e qartë se Ramës nuk ia ka fajin as Kodi Zgjedhor, as kushtetuta. Dhe zërat kundër tij po shtohen, sa më shumë që po i afrohemi 5 nëntorit të kongresit të PS-së. Nga ç’duket, atij i intereson vetëm posti i kryetarit. Veçse piruetat e tij po bëhen përherë e më të paefektshme. Dhuna, - të cilën ai nuk ka munguar ta përdorë, -  mund të sjellë një shizmë tjetër, gjer në formimin e një partie të re të së majtës, që do të ishte në harmoni me të majtat europiane, në kundërshtim me të majtën e tij vetjake, të stërvitur si një detashment anakronik për rrëmujë, bojkote, mosnjohje parlamenti, me frymë kundërpërëndimore. Mungesa e dëshirës së këtij soj kryetari për hyrjen e vendit tonë në BE, ka të bëjë edhe me dëlirësinë politike të një të majte, e cila duhet të jëtë e zhveshur nga paragjykimet e një mendësie të përcjellë nga diktatura.
Më duhet që ta qartësoj këtë mendimin e fundit, me një periudhë që Edlira e shpreh, duke përballuar trimërisht edhe përjashtimin nga partia: “Ka ikur koha e PPSH-së, pavarësisht sesa shumë qejf mund ta ketë  z.Rama atë kohë ... Ai do të kërkojë të më përjashtojë nga partia, me anë të numërorëve të tij dhe të strukturave paralele që ka ngritur për t’i shërbyer vetvetes”. Dhe i siguron oponentit një humbje tjetër në 2013-n, po të “mprehte shpatën edhe njëherë për situatën”. Stigmatizimi i shprehjeve të Enverit, e vë Edlira Haxhiymerin në një pozicionim europianist në krahasim me satelitët e indoktrinuar rioshë të Ramës që na e paskan për nder që prindërit e tyre kishin pas vënë firmat për flijime njerëzish të pafajshëm.
***
Siç e pamë më lart, njerëz me integritet brenda radhëve nuk pajtohen me atë formulën groteske “na i vodhën votat”. Që të mos përmendim popullin mbarë, pa dallime partiake. Në kushtetutën tonë thuhet në mënyrë eksplicite se zgjedhjet duhet të jenë të përgjithshme, të lira, të barabarta. Zgjedhjet nuk do të ishin të barabarta, nëse do të dhunohej vullneti i votuesit, me motive jothelbësore. Nëse për shkaqe jo të vullnetshme, cenohet kutia, kjo nuk do të thotë që të asgjësohet apo të quhet e pavlefshme vota e lirë. Gabimi njerëzor është gjithmonë i pranishëm, duke pasur parasysh se njerëzit janë në radhë dhe nuk të lë kush që ta marrësh punën shtruar e shtruar. Fakti që presidenti Topi gaboi kutinë, është një konfirmim i asaj që sapo thamë. Aty ka edhe njerëz që orientojnë. Por këtu është gracka ku njerëzit kapen si laraska, siç është një varg i një  autori të madh tragjedish. Është e lehtë që ata të të orientojnë gabim, me përjashtim të presidentit, natyrisht. Dhe, meqë ra fjala, ai fakti që në atë kuti vota e gabuar për kryetarin e bashkisë ishte e vetme, qé një koincidencë. Kjo rastësi e vuri presidentin në një pozitë të papëlqyeshme. Dhe të gjitha “shfajësimet” dhe  “dashakeqësitë” që dalin nga fakti në vetvete, nuk janë veçse spekulime për të përligjur një qëndrim të panatyrshëm të z. Topi. Është më e pakta që mund të thuhet për këtë temë.
Nga sa u tha, përmirësimi i Kodit Zgjedhor, në çështjen që po këqyrim, mbetet në alternativën: 1. Vota është e vlefshme dhe e numërueshme, pavarësisht nga kutia në të cilën është hedhur. 2. Vota është e pavlefshme dhe e panumërueshme nëse është hedhur në kutinë e gabuar. Meqë ky versioni i dytë është antikushtetues, mbetet i pari. Ata që do të ngulmojnë për të dytin, duhet të vërtetojnë kushtetueshmërinë, kur cenohet barazia e votës. Jam i sigurt që votuesit, në pjesën dërrmuese, kërkojnë që t’u numërohet vota. Vetëm Rama, me huqet e tij, bie ndesh me arsyetimin e shëndoshë. Jo më kot, njerëzit më të shquar të partisë së tij, thonë se i humbi zgjedhjet administrative të 2011-s. Vetëm një inkoherent si ai ngre lart një rreckë të pavlerë të 10 votave plus, si përfytyrim të një flamuri triumfues, përkundrejt 80 e kusur votave plus të z. Lulzim Basha. Prandaj duhet pasur parasysh edhe një nen tjetër: Ai kandidat që shpall veten fitues, kur tagrin për këtë detyrë e kanë KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, penalizohet me (...). Kështu Kodi Zgjedhor, ne përkitje me përvojën bllokuese të kaluar, pati një përmirësim të dukshëm, për t’i vënë fré komisionerëve socialistë të cilët, me një sinjal celulari, iknin me kapadaillëk, duke marrë me vete vulat! U morën masa për dublikimin e vulave etj, por edhe u caktuan sanksione konkrete për këtë dukuri të shëmtuar të së kaluarës!
Kushtetuta, pra, s’ka përse të preket, meqë Edvini u bë pishman në ndryshimet kushtetuese që, me nismë të tij, u bënë në vitin 2008. Akrobacitë e tij zgjedhore nuk mund ta bëjnë fitues  “me to zori”! Ai është humbësi. Dhe humbësi do të duhet të bëjë atë që bëri paraardhësi i tij. (Dorëheqja, kapak floriri). Ky është njëri ndër synimet e 5 nëntorit. Të shpëtojë edhe vendi nga ngërçet me autorësinë e Edvinit. Vendi është para derës gjysmë të hapur të BE-së për vendin tonë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›