E Diel, 1 Nëntor 2026

Detajohen ndryshimet nw draftin ligjor të arsimit parauniversitar, struktura e re

19/04/2011  Pas diskutimeve të bëra me grupet e interesit janë përcaktuar edhe ndryshimet që do të pësojë projektligji i arsimit parauniversitar, zbatimi i të cilit pritet të iniciojë në çeljen e vitit të ri shkollor në fillim të shtatorit. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se projektligji tashmë është gati, dhe pritet kalimi i tij për miratim pranë komisioneve dhe Parlamentit. Konkretisht ky draft detajon strukturën e re të arsimit parauniversitar, e cila do të klasifikohet me numra rendor nga zero në tre, duke filluar nga arsimi parashkollor, ai i detyruar, i mesëm i ulët dhe arsimi i mesëm i lartë. Zhvillimi i mësimit do të ndahet në kurrikula me zgjedhje dhe kurrikula me kurrikula bërthame e cila përmban lëndë që do të jenë të detyrueshme për tu ndjekur nga të gjithë. Mungesa e nxënësit në mësim në moshën e arsimit të detyrueshëm për më shumë se 25 për qind të orëve mësimore gjithsej gjatë një viti shkollor, që nuk arsyetohen nga prindi i tij, vlerësohet si rast i neglizhencës prindërore dhe trajtohet në përputhje me ligjet përkatëse të Republikës së Shqipërisë

Detyrimi për moshën e shkollimit

Për të gjitha nivelet e shkollimit, kusht pranimi për nxënësit do të jetë edhe mosha. Kështu, fëmijët e moshës pesë deri në gjashtë vjeç ndjekin klasën përgatitore. Ndërsa të . gjithë fëmijët, që mbushin moshën gjashtë vjeç një ditë para fillimit të vitit shkollor janë të detyruar të regjistrohen në klasën e parë të arsimit fillor dhe të ndjekin arsimin bazë deri në klasën e nëntë. Nxënësi është i detyruar të ndjekë shkollën me kohë të plotë të arsimit bazë deri sa mbush moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç. Ndërsa nxënësi, që ka mbushur moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën vetëm kur është në klasën e nëntë. Nxënësve, që kanë mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë, u ofrohet ndjekja e shkollave të arsimit bazë me kohë të pjesshme ose me korrespondencë. Do të ketë një organ të ri që do të mbikqyrë politikat e zhvillimit të arsimimit parauniversitar nën emërtimin Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar.

Punësimet e arsimtareve

Me draftin e ri ashpërsohen procedurat e punësimit të arsimtareve dhe drejtuesve të shkollave, të cilat do të zhvillohen me konkurrim të hapur. Kështu drejtori i shkollës parauniversitare përzgjidhet nëpërmjet konkursit, si dhe ka mandat pesëvjeçar të përsëritshëm. Në sanksionet e largimit nga detyra të një drejtori përveç të tjerave renditet edhe rasti kur arritjet e nxënësve në provimet e arsimit bazë ose të maturës shtetërore për dy vite të njëpasnjëshme janë në 10 për qind e fundit në renditjen e shkollave në nivel kombëtar. Kjo skemë e punësimit do të zbatohet edhe për mësuesit të cilët do të duhet të përmbushin kushte të caktuara për të marre licencën e profesionit. Krahas shkollave publike mund të përfitojnë financime nga shteti edhe shkollat jopublike të cilat do të faktojnë statusin e tyre si organe jofitimprurëse.

Kualifikimi me tre shkallë mësues i kualifikuar, specialist dhe mjeshtër

Mësuesit, detyrimet për të ushtruar profesioni

Për të ushtruar profesionin e mësuesit për arsimin parashkollor , kandidati përkatës duhet të ketë fituar diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor” në fushën e edukimit, mësuesi në arsimin fillor dhe në arsimin e mesëm duhet të ketë fituar diplomën “Master i shkencave” në fushën e edukimit ose diplomat e njëvlershme me to. Kështu të gjithë studentët e rinj që mbarojnë studimet e larta në degët e mësuesisë, para se të ushtrojnë profesionin duhet të kenë kaluar praktikën profesionale, pas të cilës do të regjistrohen në një urdhër të veçantë dhe pas saj të japin provimin e shtetit. Mësuesit i ndalohet t’u japë mësime me përfitim financiar ose material nxënësve të institucionit ku është i punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme. Shkallët e njëpasnjëshme të kualifikimit të mësuesve janë tri: “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist”, “Mësues mjeshtër”. Mësuesi i diplomuar, i licencuar dhe zëvendësdrejtori emërohen nga drejtori i institucionit përkatës për çdo vend vakant pas një konkurrimi të hapur dhe propozimit të një komisioni të përbërë nga punonjës të atij institucioni, sipas procedurave të përzgjedhjes dhe emërimit, të përcaktuara me udhëzim të Ministrit të arsimit e shkencës.

Mbrojtja e të dhënave për nxënësit

Ligji shton më tej sigurinë ndaj mbrojtjes së të dhënave personale të nxënësit.

Kështu të dhënat personale të nxënësit bëhen publike nga vetë nxënësi vetëm mbi moshën tetëmbëdhjetë përndryshe vetëm me vendim të prindërve të tij. Kështu arsimtari e ka të ndaluar të japë të dhëna një personi të veçantë dhe të publikojë të dhëna për arritjet mësimore ose për sjelljen e një nxënësi.

Ndëshkimet për punëdhënësin e të miturve

Sipas draftit ligjor ndalohet punësimi i fëmijëve që përfshihen në detyrimin shkollor. Kur vërtetohen raste të punësimit të fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor, punëdhënësi shtetëror ose privat dënohet për kundërvajtje administrative nga inspektori i punës me gjobë 100 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me gjobë 200 000 lekë.

Klasifikimi i shkollave

a) Me kohë të plotë.

b) Me kohë të pjesshme.

c) Me korrespondencë.

Arsimi bazë, 9-vjeçar, përbëhet nga nëntë klasa që përfshijnë:

a) Arsimin fillor; nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë.

b) Arsimin e mesëm të ulët; nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë.

Vijimi i shkollës së mesme detyrim edhe kriteri moshë

Nxënësi ndjek arsimin e mesëm të lartë vetëm pasi ka marrë dëftesën e arsimit bazë.

Arsimi i mesëm i lartë nuk është i detyrueshëm.

Gjimnazi përbëhet nga tri klasa: e dhjetë, e njëmbëdhjetë dhe e dymbëdhjetë.

Pranohen në klasën e dhjetë të gjimnazit nxënësit e moshës deri në shtatëmbëdhjetë vjeç dhe ndjekin gjimnazin deri në moshën njëzet vjeç. Nxënësi, që ka mbushur moshën njëzet e një vjeç dhe nuk ka përfunduar gjimnazin, lejohet të vazhdojë klasën që po ndjek deri në fund të atij viti shkollor. Nxënësve, që kanë mbushur moshën njëzet vjeç dhe nuk e kanë përfunduar gjimnazin, u sigurohet ndjekja e gjimnazit “me kohë të pjesshme”, “me korrespondencë” dhe nëpërmjet të nxënit “në distancë”.

Vlerësimi i nxënësve

Nxënësit e klasave 1-3 vlerësohen me fjalë dhe shprehje. Nxënësit e klasave 4-12 vlerësohen me nota. Notat janë numrat e plotë nga 1 deri më 10, ku nota më e ulët kaluese është 5. Rregullat e vlerësimit me fjalë dhe me nota përcaktohen me udhëzim të Ministrit të arsimit e shkencës.

Nxënësit e klasave 1-3 nuk e përsëritin klasën, me përjashtim të rasteve kur kjo kërkohet nga prindërit e tyre.3.

Provimet kombëtare

Provimet kombëtare të nxënësve kanë për qëllim të vlerësojnë arritjet e tyre në nivel kombëtar në të cilat përfshihen :

a) Provimet e arsimit bazë.

Në provimet kombëtare të arsimit bazë parauniversitar, të gjithë nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta. Këto janë: gjuha shqipe, matematika dhe një lëndë me short.

b) Provimet e maturës shtetërore të gjimnazit.

Në provimet e maturës shtetërore, nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje vetjake. Lëndët e përbashkëta për të gjithë nxënësit janë: gjuha shqipe dhe letërsia bërthamë, matematika bërthamë dhe gjuha e huaj e parë. Lista e lëndëve me zgjedhje vendoset me udhëzim të Ministrit të Arsimit e Shkencës

c) Provimet e maturës shtetërore të shkollave profesionale.

ç) Provimet me mostër.

Provimet kombëtare me mostër zhvillohen për lëndë të caktuara:

- Nga fundi i klasës së tretë dhe nga fundi i klasës së gjashtë.

- Në klasa të ndërmjetme të arsimit parauniversitar.

- Përpara zhvillimit të provimit të arsimit bazë dhe të maturës shtetërore

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›