E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Injoroni shpifjet e Ramës, votoni alternativën për qytetarin”

19/04/2011  Kryeministri Berisha prezanton kandidatët në Kamëz dhe Gramsh

Kryeministri Berisha në dy aktivitete të ndryshme elektorale ka kërkuar votat e qytetarëve të Gramshit dhe të Kamzës për kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, respektivisht Kastriot Zerën dhe Xhelal Mziun. Në fjalën e tij kreu i qeverisë ka renditur arritjet e qeverisë për secilën njësi vendore gjatë katër vjetve të shkuar, ndërkohë që premtoi dyfishin edhe më shumë investime për katër vjetët e ardhshëm. “Ne do ta bëjmë Kamzën një nga qytetet më të urbanizuara të Shqipërisë. Jam këtu për t’u zotuar se në 4 vjetët e ardhshëm do të asfaltohen të gjitha rrugët e Kamzës, ndërsa shkollat tuaja do të kenë tërësisht shkolla evropiane. Mbështes Xhelal Mziun, sepse në 4 vjet në qytetin tuaj bizneset nga 600 numërohen 1500 dhe taksat për bizneset janë 3 herë më të ulëta, ndërsa në bashki janë katër herë më të larta se 4 vjet më parë”, - tha kryeministri. Ai premtoi gjithashtu rindërtimin tërësisht të stadiumit si dhe ndërtimin e pallatit të sportit. Po kështu edhe paraditen e djeshme, ku kryeministri prezantoi Kastriot Zerën si kandidat të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e Gramshit, premtoi 6-fishimin e investimeve në këtë qytet për katër vjetët e ardhshëm. Në prezantimin e tij ai u shpreh se qeveria do të financojë çdo projekt të kandidatit Zera dhe kryetarëve të komunave të këtij rrethi për të sjellë në Gramsh ndryshimin më të madh, zhvillimin më të fuqishëm në tërë ekzistencën e këtij qyteti dhe këtij rrethi. “Jam sot këtu për t’ju premtuar se në 4 vjetët që vijnë investimet tona në qytetin dhe rrethin e Gramshit do të rriten me 6 herë”, - deklaroi Kryeministri. Duke krahasuar alternativën që koalicioni qeverisës ofron në raport me atë të kundërshtarit të tij Edi Rama, Berisha tha se alternativa e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” është alternativa për qytetarin, ndërsa ajo e Ramës është alternativa e rrugës së izolimit. “Alternativa jonë është alternativa e qytetarit dhe ne këtu bazojmë gjithçka. Krahas saj është alternativa e rrugës së vetme. Rruga e vetme për shqiptarët në 45 vjet ishte rruga e izolimit më të thellë, ishte rruga e skamjes dhe mjerimit më të madh, rruga vetme për shqiptarët ishte rruga e shtypjes më mizore, ishte rruga e shpërfytyrimit njerëzor. Ndaj dhe ne le të bashkohemi në këtë projekt të madh të alternativës së qytetarit”, - theksoi kreu i qeverisë nga Gramshi. Sa u takon deklaratave të Ramës nëpër fushatat elektorale të PS-së, Berisha u kërkoi qytetarëve injorimin e tyre. “Ti që u thua shqiptarëve se janë 1 milion të papunë nuk bën gjë tjetër veçse përsërit shpifjet bajate të Ramiz Alisë, që 20 vjet më parë do t’u deklaronte botës për të poshtëruar shqiptarët se ata janë 1 milion hajdut. Unë ju ftoj ju le t’i injorojmë sharjet, shpifjet, trillimet e tyre, të merremi me vlerat tona morale”, - përfundoi Berisha.

Akuzat

“Sot alternativa e rrugës së vetme ka një synim: poshtërimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ju dëgjoni çdo ditë kreun e PS-së të shpallë qeverinë shqiptare si qeveri fashiste. Ti zotëri e sheh Shqipërinë me gjyzlykët e Ramizit dhe të etërve të tu shpirtërorë.”

Qeveria

“Atyre që ju mashtrojnë dhe ju thonë se rruga do kalojë prapa malit, do t’u thoni se kjo qeveri është qeveria që çan malet dhe nuk i nxjerr qytetarët prapa malit. Brenda dy vjetve ju do të mbërrini në Tiranë për një kohë 50 minuta më të shkurtër.”

Xhixho së bashku me Bashën te romët

“Unë avokatja e shqetësimeve të komunitetit”

Kandidatja për njësinë bashkiake nr. 5, Erisa Xhixho, e shoqëruar nga kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Tiranës Lulëzim Basha, kanë zhvilluar një bashkëbisedim me komunitetin rom në këtë njësi. Në fjalën e saj para këtij komuniteti Xhixho premtoi se komuniteti rom do të jetë në vëmendjen e programit të saj, ndërsa vetë ajo do të jetë gjithmonë avokatja e tyre për zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve që ata kanë. “Ashtu sikurse në programin tim parashikoj t’u jap zgjidhje shumë problemeve që ka kjo njësi bashkiake, sikurse janë problemet e infrastrukturës, problemi i kanalizimeve të ujërave të zeza, furnizimi me ujë të pijshëm, hapësirat e blerta etj., unë kam parashikuar t’u jap zgjidhje edhe problemeve me të cilat ju ndesheni çdo ditë. Së bashku me kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, dhe në partneritet të ngushtë me qeverinë kemi një plan konkret për këtë komunitet”, - tha kandidatja e “Aleancës për Qytetarin”. Duke vijuar më tej në shpalosjen e planit të veprimit për këtë komunitet, Xhixho tha se ka një projekt për përmirësimin e jetës së romëve duke investuar në strehimin dhe integritetin e tyre. Ajo prezantoi projekte për hapjen e 8 shkollave në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›