Deti, kuçedra dhe policia deri në Sarandë
Mirela Kumbaro
Shqisat e mia nuk mund t’i rezistonin as kësaj vere thirrjes dalldisëse të detit për kripë, jod e diell. Jo vetëm se, falë prindërve, edukimi im detar qysh në foshnjëri është bërë buzë Jonit, por Adriatiku, në gjendjen e tij të sotme nuk mund të kënaqë dëshirat fizike e shpirtërore të të dashuruarve me detin. I keqtrajtuar nga padronët e tij, i pluhurosur nga ngrehinat e përçartura, i plehrosur nga banorët sezonalë, i përbaltur nga zorrët e ujit që mbijnë prej puseve të egra e lëshohen përdhunshëm mbi rërë e poshtë pishave, bregdeti Adriatik u prish mendjen veç bashkatdhetarëve tanë nga Kosova, që u mban ende vlaga e plazhit shqipfolës, përtëritur rishtaz prej erës që fryn përmes tunelit Kukës-Kalimash. Neve, që detin e kemi dhuratë nga Perëndia, pasi kemi pirë gjithë kafet e mëngjesit nën freskinë e pishave të Qerretit e kemi pritur të largohet zallamahia e ditës në rërë për një shëtitje të lagësht buzë detit, na është mbushur mendja se duhet shkuar drejt Jonit për takimin e ëndërruar me detin.
2.
Të përshkosh me makinë rrugën e plazhit të Durrësit, njëkohësisht rrugë nacionale, pikërisht aty ku gëlon gëzueshëm jeta dhe ku qaset dëshpërimisht vdekja në formën e krimit ose në atë të aksidenteve fatkeqe rrugore, është një sprovë ndër të tjera edhe për veshët si të shoferëve po aq edhe të këmbësorëve.
Nëse doni të imagjinoni një kasaphanë akustike sillni ndër mend atë rrugë. Do të dëgjoni që nga thirrjet e shitësve ambulantë që shesin petulla “speciale” me legena ose rrobe banje “të jashtme”, garën e shfrenuar të burive të makinave ku emigrantët e konvertuar në turistë (sipas Ministrisë së Turizmit) u lejojnë vetes gjithë gjërat që u ndalohen në vendet nga vijnë. Pa harruar lokalet që mbartin gjithë gjeografinë migratore të shqiptarëve, por, ku rishtaz sundojnë gjithsesi toponimet e trevave shqipfolëse ngjyruar nga flamuj e shkaba duke iu përshtatur kështu pushuesve sezonalë nga Kosova e Maqedonia. Përtej ngjyrave folklorike që nuk të lënë të shohësh semaforët, të buçasin veshët nga vorbulla muzikore që shkulmon prej verandave të lokaleve; përzier me ulërimat që dalin nga makinat e të fortëve që hapin dritaret si për të sfiduar çdo lloj tingulli tjetër; e gjitha mund të të kthehet në një makth pa fund nëse për shkak të trafikut të ngarkuar ky rrugëtim të zgjat më shumë se 10 minuta... Po ta bësh këtë trajektore natën mund t’i shtosh këtij peizazhi edhe valën goditëse që vjen prej klithjeve të këngëtareve që e dinë dhe vetë se i mbajnë klientët më shumë me repertorin e minifundeve se sa me atë muzikor... Ouf! Sidoqoftë, kjo rrugë e ka një fund: Plepat.
3.
Kush është nisur drejt bregut këtë verë, e ka ndarë mendjen se në valixhen e udhëtimit do mbajë dhe bllokimet që krijohen nga ndërtimet në rrugën Durrës-Kavajë. Por do e bëjë dhe zemrën gur se nuk ka si i ndihmon ata burra, gra e sidomos fëmijë që pasi kanë bërë disa orë plazh pa asnjë marrëveshje më parë me diellin, të përskuqur e të dehidratuar, buzë rrugës së pambaruar, në pikë të vapës, duke gjurmuar hijet e tabelave publicitare, presin furgonin e radhës. Dhe në fund nuk del dot pa keqardhjen për policët rrugorë, që përveç se i qëndrojnë diellit, pluhurit dhe zhurmës nuk dinë ç’t’i bëjnë trafikut të ngarkuar dhe flasin nëpër radio e celularë.
Plazhin e Golemit dhe të Qerretit po jua kursej se nuk është objekt i rrëfimit tim. Por para se të vazhdoj më lejoni ta përkufizoj siç e shoh: “Plazhi i plehrave, i pluhurave, i rrëmujës së makinave nga më modernet deri te më të shkalafiturat dhe, në fund, i njerëzve që hanë në restorante të shtrenjta, në kioska me gropa septike m’u në mes të plazhit, ose përtokë, mbi pirgjet me mbeturina që vetë kanë lënë një ditë më parë dhe që natën janë dhjetëfishuar nga shkarkimet e lokaleve rrotull”. Vetëm një gjë ama është e sigurt: kur nuk sëmuren njerëzit kështu, s’ka grip derri të na zërë.
4.
Vlorë. Hyrja në qytet bëhet nën ritmin e gropave dhe të devijimit të shoferëve që rreken të shpëtojnë barqet e makinave nga goditjet. Ndërsa kur hyn në bulevard të pret lumi i makinave që shëtisin me shpejtësi këmbësorësh, duke sfiduar ata që duan të dalin në anën tjetër të qytetit, por që veç ulëritjes së burive s’kanë ç’bëjnë tjetër. Plot një orë për të hyrë e për të dalë nga Vlora. Rruga e ngushtë matanë tunelit të Ujit të Ftohtë, ngushtohet edhe më prej parkimeve të klientëve e plazhistëve, por pamja dhe era e detit Jon dhe aroma e frutave të tij që piqen në zgavrat e verandave të lokaleve ta zbut inatin. Plazhet janë stërplot. Energjia rinore që çlirohet nga çadrat, tendat prej kashte dhe lulet shumëngjyrëshe me çka vlonjatët kanë stolisur rretherreth trojet e zëna nuk e di se si, për të bërë restorante e plazhe “private”, ta prishin mendjen. Gjithçka vjen era pushime dhe qejf.
Ajo që vjen më pas nuk është e panjohur. Besoj se itinerari Vlorë-Sarandë mbetet një nga udhëtimet më të bukura në Shqipëri, sidomos tani që rruga është shtruar deri në Sarandë. Po, po! Për ata që s’e dinë dhe kanë ende në stomak trazirën që të fillonte pas Dhërmiut e kur Saranda të dukej një destinacion i paarritshëm, rruga është shtruar tashmë deri në Sarandë. S’po e prish lezetin e këtij udhëtimi për disa segmente të shkurtër që aty-këtu ishin ende kantier, madje, për të cytur kureshtjen, ajo ngushtica në Vuno ku makina duket sikur hidhet mes kulme çatish është rregulluar me një semafor që duket sikur del nga çatia e vunjotsit që gjyshi ia ka lënë shtëpinë m’u në udhë... Po jua kursej edhe pirgjet e herëpashershme me plehra gjigande që lokalet i hedhin në shtratet e përrenjve të tharë mes dy restorantesh si në një no man’s land, të cilat, edhe kur e tret vështrimin larg në hapësirën qiell-det-plazhe të bardhë, për të mos i parë, të ndjekin nga pas si qen rrugësh me kutërbimin e tyre. Puah! Nganjëherë më duket se bëjmë më shumë plehra se sa konsumojmë... Jemi kaq të pisët?! Stop!
5.
Sarandë. Beton. Kantier. Matrapik. Skelete të hekurt. Ngrehina të pambaruara. Gjinj mali të shkulur. Barqe shkëmbore të shqyer. Gjymtyrë gëlqerore të thërrmuara mbi det. Koka bunkerësh të prera e të braktisura. Gjembaçë që ngadhënjejnë gërmadhash. Një thertore e vërtetë në gur!
Kam gjetur një hotel të vogël, buzë detit, që i kthen shpinën asaj që thashë më lart, jashtë qytetit, afër kanalit të Çukës. I kthej shpinën masakrës bregdetare me emrin Sarandë si njeriu që fshihet pas gishtit. Ngushëllimi i vetëm për të cilin ia vlen udhëtimi: deti kristal dhe dielli bujar. Mes këtij kombinimi të përsosur mesdhetar, një pjatë sallatë domatesh të kuqe dhe ca peshq “befotrofi”, siç i thonë sarandjotët peshkut të butë (se, helbete, atë të egrin e merr greku, ose e paguan sa frëngu pulën!) mjaftojnë për t’u ndjerë në parajsë. Prej andej i hedh vështrime sfiduese qytetit që s’ka asnjë lidhje me vendin ku unë kam kaluar pushimet e fëmijërisë time, ku bukanvilet kanë marrë ngjyrë hiri e shkallaret janë mbuluar nga kioskat.
Por qyteti më ndjek nga pas. Si? do thoni ju. Një zhurmë e rëndë, ritmike, goditëse, vjen prej tij, prej skajit më të fundit të qytetit, aty ku Korfuzi, po ta zgjaste pak krahun, do e cakiste Sarandën. Zhurma është ajo që mbetet nga altoparlantët po të heqësh melodinë, muzikën, zërin e këngëtarit: bum-bum-bum... si një çekan gjigand godet m’u në çaçkë të kokës. Është ora 12:00 (e drekës). Është një diskotekë e madhe me emrin “Afrika” që ndodhet diku rreth portit të Sarandës. Përderisa deri në kanalin e Çukës përballë, vjen bum-bumi, merret me mend se ç’duhet të heqin banorët e përhershëm e të përkohshëm të qytetit... Në një nga restorantet e qytetit ku darkojmë pyes kamerierin se kush e ka këtë zhurmues, dhe përgjigjja nuk vonon: “Është disko Afrika, e ka një i fuqishëm! -Çfarë?! Çfarë do me thënë i fuqishëm? ia pres – “Është njëri që ka restorante, hotele, pallate...”, fusha, male, dete... vazhdoj me vete fjalinë duke fshehur buzëqeshjen që më shkakton naiviteti i kamerierit, që pa dashje përkthen mentalitetin e atij qyteti, por dhe të shumë të tjerëve.
Megjithatë kjo s’është asgjë në krahasim me natën. Si një diktatore e vërtetë ajo diskotekë lëshon kuçedrat në kupë të qiellit me forma të çuditshme, që të përdhunojnë veshët me orë të tëra. S’di ku të fus kokën. Të mbyll derën e ballkonit ndërkohë që kam bërë tërë ato kilometra për atë pak ajër e valë deti është një krim i vërtetë. Tapos veshët me jastëkë dhe vras mendjen se ç’bën gjithë ai milet që ka lënë takim me gjumin atë natë.
Për çudinë time, të nesërmen drejtori i përgjithshëm i policisë nxjerr një urdhër që kufizon oraret e diskotekave në vendet e frekuentuara nga pushues. Fjala ime, në vesh të ... policisë! Them me vete. Vjen sërish mbrëmja. Pas gjithë ritualit të darkës, pres që kuçedrat të më thonë natën e mirë. Kjo nuk ndodh. As në mesnatë siç ishte lajmëruar, as në 01:00, as në 02:00, as në 03:00. Madje atë natë muzika bëhet më e fortë se zakonisht. Në 03:30 them t’i drejtohem policisë. Është dhe një mënyrë për të shtyrë kohën. Dija vetëm një numër: 129. Kot e ke! i them vetes ndërsa formoj numrin në celularin tim, kur nga ana tjetër më përgjigjet një “alo” e përgjumur. Uaaa! S’u besoj veshëve. Policia?! pyes. –”Po”, thotë zëri. E Sarandës?! këmbëngul unë. – “Po, pra, po! Çfarë do!” nervozohet zëri nga mosbesimi im. Mbledh veten se nuk kam aspak qëllim të acaroj zërin, por të kërkoj ndihmën e policisë. - Ju lutem, a mund ta ndalni atë diskotekë se na hapi kokën! i them me ton familjar. “Po ku është kjo diskoteka, ku je ti?!” më thotë zëri që duhet të jetë i policit të shërbimit. - Si ku është, dil në rrugë dhe e gjen ku është, e dëgjoj unë në Çukë e s’e dëgjon ti në Sarandë?! – “Po unë nuk jam sarandjot”, më thotë zëri, “e nuk i di ku janë diskotekat!” Mbes pa frymë. Trash zërin dhe i kujtoj urdhrin e drejtorit të vet të përgjithshëm që duhej zbatuar.
Pres me një fije shprese se mos kuçedrat pushojnë, gjysmë ore, një orë… hiç! Në 04:30 i bie sërish 129-s. - Na çmendi, i them zërit, do e pushoni apo jo? – “Ohu, thotë zëri, ata ju çmendin juve, ju na çmendni ne, s’kam ç’të bëj, mos më lodh më!” Aty sigurisht që nervat e mia nuk mbajnë më dhe një leksion morali mbi rolin e Policisë së Shtetit dhe se si duhet të flasë në telefon nuk ia kursej zërit, duke i zbrazur dhe inatin e gjithë Afrikës. Është dhe një mënyrë për të shtyrë kohën. I trembur nga ligjërata abstrakte që i derdhet në telefon, polici më thotë: “Aman o motër, 3 herë e kemi çuar grupin e gatshëm, kemi leje nga bashkia na thonë, s’kemi ç’bëjmë, nuk dalim dot mbi kryetarin e bashkisë!” I mbyll telefonin. Nuk ia vlen më të shtyj as kohën me të. Në orën 05:00 kuçedrat shkojnë të flenë. Edhe unë bashkë me to, duke humbur kështu gjithë kënaqësinë e zgjimit në freskinë e mëngjesit të detit Jon. Ngrihem në mesditë për të ngrënë mëngjes e drekë bashkë. Rend në restorant për t’u treguar miqve aventurën time nokturne me kuçedra e zërin e policit të shërbimit.
Pak ditë më pas mora rrugën e kthimit duke e filluar nga fundi këtë rrëfim, në veshë më mbetën gjurmët e Afrikës, lëkura ruajti përkëdheljet e Jonit, me vete vendosa ta tregoj dhimbjen, revoltën dhe dëshirën për ta bërë më mirë Shqipërinë.