E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roli i kulturës dhe “kultura e drejtimit”!

Rexhep Meidani 

Disa vjet më parë, Hantingtoni (S. Huntington) dhe Herisoni (L. Harrison), në një botim të tyre (“Culture Matters”, 2000), mbështetën tezën mbi rolin parësor të kulturës në progresin politik-ekonomik. Bile, Hantingtoni, kur krahason Korenë e Jugut me Ganën, që në vitet ‘60-të ishin në situata të ngjashme ekonomike, por në vitet ‘90-të, pas 30 vjetësh, me të ardhura për frymë me ndryshim prej 15 herësh, thekson: ...“Padyshim, shumë faktorë luajnë rolin e tyre, por mua më duket që kultura përbën në këtë rast bazën e shpjegimit. Koreanojugorët vlerësuan ekonomizimin, investimet, punën, edukimin, organizimin dhe disiplinën, ganezët konsideruan vlera të tjera, të ndryshme. Pra, shkurt, mund të thuhet se, në këtë ndryshim, kulturat e tyre kanë  pjesën e vet”. Ritmet e ndryshme të progresit midis këtyre vendeve, sipas Hantingtonit, dëshmojnë për një ndarje të prerë sipas linjave kulturore. Por, kjo nuk do të thotë të mos analizohen ndryshime të tilla si: struktura klasore-ekonomike dhe e vetë biznesit korean, struktura politiko-institucionale, roli i qeverisë dhe politikat publike të saj, kooperimi i ngushtë i Koresë së Jugut me SHBA-në dhe Japoninë, prania e bazave ushtarake amerikane, një shkollim shumë më i avancuar, etj. Madje, nuk mund të bëhet fjalë thjesht për ndonjë “pasqyrim të fortë” të një kulture të lashtë koreane, se po të ishte kështu nuk do të kishte arsye që në Korenë e Veriut të ekzistonin kufizime të mëdha deri situata urie!...
     Për Hantingtonin, kur një lloj kulture vendos barriera ndaj zhvillimit, atëherë duhen gjetur rrugë të ndryshimit të kësaj kulture, që ajo të bëhet favorizuese. Normalisht, zhvillimi mund ta ndryshojë një kulturë, por kur kjo kulturë bëhet pengesë ndaj zhvillimit, një ndryshim i tillë bëhet praktikisht i pamundur. Në thelb, disa trauma të rënda, i ndryshojnë shumë më shpejt kulturat e mëparshme, apo “copëzat e errëta” të tyre. Ky është rasti i Gjermanisë dhe Japonisë së pas luftës. Po ashtu, konvertimet fetare mund të ndryshojnë vlerat kulturore dhe ndikimin e tyre. Edhe lëvizjet politike apo ndikimi i liderëve të “fortë” mund ta afektojnë kulturën dhe rolin e saj. P.sh., në Singapor, Lee Kuan Yew, në detyrën e gjatë të kryeministrit  ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e vendit të tij.
       Në linja të ngjashme me Hantingtonin është dhe Herisoni. Ai, duke marrë në shqyrtim disa kritere të njëjta synon të shpjegojë pse, p.sh., kultura luan një rol të rëndësishëm në suksesin e Perëndimit apo të Azisë Lindore. Një gjë e tillë, vlen për të jo vetëm për vende apo rajone të veçanta, por dhe për arritjen e rezultateve konkrete në grupe të veçanta etnike apo fetare, si ato të aziatikëve (në Azinë Lindore) apo çifutëve në SHBA. Me po këto kritere janë tentuar të shpjegohen edhe dështimet në vende të ndryshme të Afrikës dhe Amerikës Latine. Po ashtu, edhe frenimet e dështimet, në dekada më parë, në vendet e ish-kampit socialist, në kuadër të kulturës së partisë-shtet dhe ekonomisë së centralizuar. Ose, akoma sot, në grupe të tilla etnike si afrikano-amerikanët dhe hispanikët në SHBA.
     Pra, parë me këtë sy, vlen të shihet roli e ndikimi i kulturës në procesin e zhvillimit, të progresit apo regresit edhe në bashkësi të tjera, siç janë p.sh. ato politike. I tillë është, në radhë të parë, p.sh., roli i kulturës së drejtimit brenda një partie politike apo i një grupi qytetarësh me qëndrime të njëjta, qëllimi i të cilëve është realizimi i pikëpamjeve politike. Një formulim ekuivalent është dhe ai sipas të cilit një parti politike shpreh një bashkim të lirë qytetarësh me pozicionime të njëjta apo të përafërta. Partia, për zgjidhjen konkrete të problemeve të ndryshme (politike, ekonomike dhe social-kulturore), harton, propozon e realizon plane e programe të larmishme në funksion të nxitjes masive apo mobilizimit politik dhe konkretizimit të qeverisjes përkatëse. Po kështu, në procesin zgjedhor, ajo paraqet kandidatët e saj për t’u përfaqësuar në parlament apo në organet vendore. Pas fitimit të zgjedhjeve, nëpërmjet përfaqësimit politik, zbaton në praktikë programin e vet qeverisës. Me fjalë të tjera, përfaqësimi politik i popullit është kriter bazë i një partie politike. Pikërisht në këtë element bazë, ajo dallohet p.sh. nga bashkësi të tjera, të cilat nuk bartin në tërësi përgjegjësi politike, nga struktura e  iniciativa qytetare, pjesëmarrja e  të cilave nuk është e rregullt apo që nuk synojnë poste politike.
        Në demokraci e pluralizëm, nisur nga fakti: partia politike është një bashkim vullnetar njerëzish me orientim dhe botëkuptim përafërsisht të njëjtë apo të ngjashëm, në rrafshin politik, ekonomik e social-kulturor dhe se qëllimi i këtij organizimi është ndikimi i jetës shtetërore, dhe i vetë procesit qeverisës, vlen të theksohet se ky grupim njerëzish, që zgjedhin e zgjidhen, duhet të ushtrojë vullnetin e tij në mënyrë kolegjiale. Ky është thelbi kolegjial i drejtimit! Por jo të pushtohet e individualizohet ky drejtim me mjete jo demokratike. Aq më keq, kur nuk bëhet fjalë për një drejtim të shëndetshëm, por atë të tipit abuziv e arbitrar, dhe në rastin ekstrem deri mafioz.   
* * *
Por le të kontrollojmë “rubrikat” konkrete për ekzaminimin e lidhjes midis kulturës dhe progresit, brenda një force politike. Më konkretisht, midis një kulture partiake drejtuesish që i “gëzohen” ndryshimit dhe e ushqejnë zhvillimin dhe atyre që i “rezistojnë” atij. Parë kjo në gjendjen aktuale të PS-së, madje në “agjendën konkrete” të drejtimit të saj, si grup i parë mund të konsiderohet ai grup, që kërkon apo, të paktën, pretendon ndryshimin dhe priret nga zhvillimi (gjë që nënkupton mundësi maksimale fitoreje elektorale në betejën e parë të ardhshme), ndërsa grupi tjetër që dikur propagandonte “politikën e re” tani mbështet status quo-në dhe “konservimin” e drejtimit (gjë që nënkupton mundësi maksimale humbjeje në betejën e ardhshme elektorale). Nisur nga ky klasifikim i mësipërm le të shohim pozicionimin e këtyre dy grupeve në plotësimin e “kritereve kulturore” të Herison- Hantingtonit. Ata janë:
 - Orientimi kohor: për grupin e parë fokusimi bëhet tek e ardhmja, ndërsa në grupin e dytë synohet të ruhet e tashmja dhe e kaluara 4-vjeçare.
 - Drejtimi i rrjedhjes: partizanët e pikëpamjes së parë besojnë se ata mund të ndikojnë në fatin dhe të ardhmen e konfiguracionit ku marrin pjesë, kurse ata të grupit të dytë ose orientohen nga interesa vetjake ose priren drejt një apatie fataliste.
 - Disidenca: në grupin e parë inkurajohet reagimi, mospajtimi e jo konformizmi, ndërsa në grupin e dytë reagime të tilla konsiderohen shpesh si kërcënime serioze. 
 - Synimet: të parët “luftojnë për të fituar”, ndërkohë të dytët “fitojnë për të luftuar (qëndruar!)”.
- Konkurrenca (kompetiviteti) apo gara: kjo shihet si një mënyrë arritje rezultati apo “ekselence” në grupin e parë, ndërkohë që tek grupi i dytë kjo garë perceptohet më shumë se kërcënim. 
 - Kursimi (ekonomia): në grupin e parë kursimi në kohë, njerëz dhe energji konsiderohet si një element investimi në bashkësi për fitore e siguri, ndërsa në grupin e dytë ai perceptohet deri si kërcënim ndaj status quo-së. 
 - Edukimi: në grupin e parë formimi e niveli janë tepër të rëndësishme, po jo të zbehin angazhimin e kontributin, përfshirjen dhe karrierën e mëparshme, ndërsa në grupin e dytë, duke u mbështetur tek miqësitë e favoret e kryetarit (apo të  ”entourage-it të tij” mund të luhet me edukimin për gjoja krijim elitash, duke eliminuar kundërshtarët apo vetë oponencën.  
 - Avancimi: në grupin e parë, në avancimin individual një rol shumë të rëndësishëm luan merita, kurse në grupin e dytë thjesht lidhjet e kontaktet individuale (nepotizmi, klanizmi etj.). 
 - Komuniteti: në grupin e dytë komuniteti përmblidhet rreth kryetarit apo një bërthame të kryesisë, ndryshe nga kërkesa për shtrirje sa më të gjerë në parti dhe shoqëri, në grupin e parë.  
 - Drejtësia: respektimi i kodit etik (dhe statutit) në grupin e parë konsiderohet një parim tepër rigoroz, ndërsa në rastin e grupit të dytë ai konsiderohet si tepër “elastik”, thjesht sipas “hesapit”. 
  - Autoriteti: për grupin e parë ky autoritet duhet të shpërndahet në mënyrë horizontale, të balancuar dhe të kontrolluar, ndërkohë që ai ka qenë dhe mbetet me një projeksion të qartë përqendrimi e komandimi në grupin e dytë.
* * *
Lexuesi mund ta kuptojë lehtë thelbin e këtij ndryshimi. Megjithatë, nga të dhëna të gjithanshme, nisur nga deformimet e krijuara në këtë fazë të drejtimit të PS-së dhe të orientimit (mungesës së orientimit!) të saj, nuk duket që kandidimi, cilido qoftë ai ta zgjidhë problemin, bile as ta qetësojë plagën e hapur brenda saj, sa të vjetër po aq të re. Po ashtu, “goditjet” në mënyrë megalomane (as dhe të mençur) ndaj pjesës reaguese e oponente të elitës socialiste apo “projektimet” shfarosëse të aleatëve prej udhëheqjes së PS-së në procesin zgjedhor, përfshirë po ashtu dhe mjaft copëza të tjera (diku të mënjanuara, diku të harruara me dashje apo pa dashje), jo vetëm e bëjnë të vështirë, por dhe praktikisht të pamundur fitoren e ardhshme nëpërmjet një rruge individuale për zgjedhjen e kryetarit, pa ridimensionuar vetë të majtën. Parë në shumë aspekte, duket që, si më e mundshmja për një kthim në qeverisje të së majtës, pa kundërshti e inkoherencë, është bashkimi e rindërtimi, ribërja sa më e shpejtë e saj, fuzionimi i të gjitha pjesëve përbërëse!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›