Tenton të vjedhë kabllin e korrentit, vdes nga rryma
Një hajdut skrapi ka rënë viktimë e tentativës së tij për të vjedhur një kabëll korrenti në Gjorm të Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së të enjtes. Disa banorë të fshatit Gjorm, të cilët po kalonin në afërsi të transformatorit të kësaj zone, i cili ndodhet në rrugën që të çon në fshatin Velçë tek vendi i quajtur ‘Qafa e Varitavës’, kanë parë në afërsi të transformatorit një trup të pajetë. Menjëherë banorët e fshatit Gjorm kanë njoftuar policinë e Vlorës, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka këqyrur zonën si dhe viktimën. Nga kontrolli i ushtruar në trupin e viktimës nuk ka rezultuar asnjë lloj shenje, plumbi ose thike, pasi u mendua fillimisht se viktima është vrarë, por pas këqyrjes së duarve u pa se ato ishin të djegura si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike. Po ashtu, në afërsi të kabinës elektrike është gjetur dhe një pincë tip dare, nga ato që shërbejnë për prerje telash dhe hekurash. Sipas policisë, viktima është 45-vjeçari Gazmir Lelaj, nga fshati Lezhan i Vlorës, i cili ka tentuar të presë kabllin e korrentit në kabinën e fshatit Gjormë, për ta shitur më pas për skrap. Por, kjo vjedhje atij i ka kushtuar dhe jetën.