“Shitja e paligjshme e tokës shtetërore për t’ia dhënë pronarit të ‘Taiwanit’, veprim banditesk i klanit të Edi Ramës”

Deputetët demokratë të Tiranës denoncojnë super-aferën korruptive të kryebashkiakut
Ka vijuar sërish dje prej ligjvënësve të PD-së denoncimi i aferave korruptive dhe abuzive të Edi Ramës, me trojet publike të kryeqytetit.
Deputetët e Qarkut të Tiranës kanë deklaruar se kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, përmes mashtrimeve me dokumente ka shitur një pronë tokë shtetërore me çmime shumë herë më të lira nga ato të tregut.
Kreu i degës së PD-së, deputeti Aldo Bumçi, ka thënë se kryebashkiaku Rama ka shitur 1310 metra katrorë pronë publike në qendër të Tiranës në zonën e parkut “Rinia”. Bumçi, duke treguar disa dokumente zyrtare, theksoi se përmes tyre vërtetohet se bashkia e kryeqytetit nuk është pronare as edhe një centimetri të vetëm të atij trualli. Ai bën publike kontratën e shitjes së truallit nga ana e bashkisë si dhe dokumentin nga Hipoteka, duke thuhet se prona në fjalë është pronë e shtetit.
“Edi Rama ka tjetërsuar një pronë publike kundër çdo akti dhe norme ligjore, çfarë është një akt i shëmtuar, që dënohet jo vetëm moralisht, por edhe penalisht. Të shesësh një pronë në mes të Tiranës me 12 mijë lekë metrin katror, ku çmimi këtu është të paktën 2000 euro metri katror, tregon qartë se kemi të bëjmë me një akt të pastër vjedhje”, ka deklaruar Bumçi.
Kreu i demokratëve të Tiranës e ka cilësuar veprimin e kreut e bashkisë së Tiranës si një veprim banditi. “Ky është veprim prej banditi i kryetarit të bashkisë dhe i një klani të ngushtë afër tij, që kanë si parim të qeverisjes të vjedhin ç’të mundin në Tiranë. Ky është një shembull më shumë i kësaj qeverisjeje të babëzitur. Në krye të bashkisë së Tiranës kemi një hajdut të babëzitur, i cili kujton se Tirana është çifligu i tij”, denoncoi më tej Bumçi.