E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret dhe pagesa e përkthyesve të legjislacionit të BE-së

Ministria e Integrimit miraton dy udhëzime për përkthimin e legjislacionit

Në kuadër të procesit të integrimit europian, një ndër kushtet parësore që duhet të plotësojë vendi ynë është përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë europian. Ndaj qeveria shqiptare duhet jo vetëm të përkthejë ligje apo akte të ndryshme të BE-së në gjuhën shqipe, por duhet që një pjesë të mirë të legjislacionit shqiptar ta përkthejë në gjuhët zyrtare të BE-së. Ky detyrim ligjor rrjedh nga zbatimi i Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit që Shqipëria ka me Bashkimin Europian. Për këtë qëllim ministrja e Integrimit ka miratuar dy udhëzime që përcaktojnë kriteret që duhet të përmbushin studiot e përkthimit, dokumentet që duhet të dorëzojnë, mënyrën e përzgjedhjes së tyre dhe pagesën që ata do të përfitojnë në bazë të numrit të faqeve të përkthyera. Sipas këtij udhëzimi, përkthyesit, për një faqe që do të përkthejnë, do të paguhen me dy mijë e dy qind lekë të rinj.
Kriteret
Sipas këtij udhëzimi, numri i përkthyesve do të përcaktohet çdo vit në përputhje me nevojat për përkthim sipas kalendarit të përkthimit të përgatitur nga Ministria e Integrimit. Studiot e përkthimit, që të aplikojnë për të përfituar nga ky projekt duhet të jenë të licencuara për të kryer shërbimin e përkthimit; të kenë eksperienca të mëparshme në përkthime në gjuhën për të cilën do të përkthejnë; të kenë kapacitete njerëzore që do të punojnë për përkthimin e materialeve. Kriteret për personelin e studiove që do të përfshihen në përkthim janë: të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të mos ketë qenë i dënuar apo të mos jetë në ndjekje penale; të ketë mbaruar arsimin e lartë në ndonjë nga universitetet brenda vendit, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në gjuhën për të cilën aplikon, preferohet me notë mesatare mbi 8; në ndonjë nga universitetet jashtë vendit në gjuhën për të cilën konkurron, në ndonjë nga universitetet brenda vendit, në qoftë se vërtetojnë njohjen e gjuhës përkatëse; të zotërojnë shumë mirë programet bazë të kompjuterit; të ketë aftësi të mira komunikimi. Kanë përparësi të gjithë ata kandidatë që kanë kryer edhe më parë përkthime të Acuis Communitaire, ose edhe të akteve juridike për llogari të institucioneve të tjera; personat që kanë ndjekur studime të thelluara dhe kanë tituj dhe grada shkencore në gjuhën për të cilën konkurrojnë dhe në fusha specifike të Acquis Communitaire; personat që kanë gjuhë amtare gjuhën të cilën kërkojnë të përkthejnë, dhe së fundi, personat që përdorin programe profesionale për përkthimin.
Përzgjedhja
Sipas vendimit të Ministrisë së Integrimit, përzgjedhja e fituesve do të bëhet me dy faza. Gjatë fazës së parë të gjithë të punësuarit dhe subjektet e fituara do t’i nënshtrohen një vlerësimi për anën profesionale në përkthim, nëpërmjet vlerësimit të dosjes dhe provimit me shkrim. Secili nga subjektet fituese dhe juridike do të paraqesë vlerësimin profesional për të gjithë personelin e tij, të cilët do të përkthejnë në emër të subjektit në rast se ky i fundit përzgjidhet fitues. Vlerësimi i aftësive profesionale të përkthimit do të bëhet nga një komision i posaçëm testimi. Në përfundim të testimit komisioni dorëzon vlerësimin përfundimtar të firmosur nga anëtarët duke renditur kandidatët individualisht dhe sipas subjekteve, sipas gjuhëve dhe totalit të pikëve të marra. Maksimumi i pikëve është 100; 30 pikë nga të dhënat profesionale pas vlerësimit të dosjes nga komisioni, 70 pikë nga njohuritë gjuhësore dhe profesionale pas provimit me shkrim. Pas paraqitjes së rezultateve të testimit, Ministria e Integrimit u dorëzon subjekteve të përzgjedhura ftesën për ofertë, duke u kërkuar atyre të paraqesin ofertën. Vlerësimi i ofertës do të bëhet mbi bazën e kriterit të cilësisë dhe afatit për përmbushjen e shërbimit. Shqyrtimi i ofertës dhe njoftimi i kandidatëve fitues bëhet në përputhje me përcaktimet e legjislacionit për prokurimin publik. Subjektet fituese do të përfshijnë në përkthimin e materialeve vetëm personat e përzgjedhur në fazën e parë të prokurimit. Mosrespektimi i këtij detyrimi çon në përjashtimin e subjektit fitues.

Tarifat për shërbimin
Sipas udhëzimit, përkthimi i dokumenteve zyrtare do të shpërblehet për faqe kompjuterike. Faqja kompjuterike përmban 2200 shkronja e shenja, duke përfshirë edhe ndarjet e nevojshme të materialit të shkruar në fjalë, kryeradhë, paragrafë, kapituj dhe pjesë. Skicat dhe fotot, tabelat e skemat që përfshihen në tekstin e përkthyer llogariten e shpërblehen mekanikisht si faqe kompjuterike sipas vendit që zënë në tekst. Tarifa e shpërblimit për subjektet e licencuara për përkthimin e dokumenteve do të përcaktohet në bazë të tarifave të përcaktuar në legjislacionin shqiptar në fuqi.

Kriteret e studiove të përkthimit

Të jetë i licencuar për të kryer shërbimin e përkthimit.
Të ketë eksperienca të mëparshme në përkthime në gjuhën për të cilën do të përkthejë.
Të ketë kapacitete njerëzore që do të punojnë për përkthimin e materialeve.

Kriteret për personelin e përkthimit:
Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
Të mos ketë qenë i dënuar apo të mos jetë në ndjekje penale.
Të ketë mbaruar arsimin e lartë universitar në gjuhën për të cilën aplikon, preferohet me notë mesatare mbi 8.
Të ketë eksperiencë pune prej jo më pak se dy vjetësh në përkthim.
Të zotërojë shumë mirë programet bazë kompjuterike.
Të ketë aftësi të mira në komunikim.
Kanë përparësi:
Përkthyesit që kanë kryer edhe më parë përkthime të Acquis Communitaire.
Personat që kanë ndjekur studime të thelluara dhe kanë tituj e grada shkencore në gjuhën për të cilën konkurrojnë ose në fusha specifike të Acquis Communitaire.
Personat që kanë gjuhë amtare gjuhën të cilën kërkkojnë të përkthejnë.
Personat që përdorin programe profesionale për përkthimin.

Kriteret për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve të testimit

Ministria e Integrimit, nëpërmjet një udhëzimi të dytë, ka përcaktuar kriteret për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve të posaçme të testimit. Ministria e Integrimit, në fillim të çdo viti, me propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Integrimit Europian, përcakton komisionerët dhe anëtarët e tyre. Çdo komision përbëhet nga dy ekspertë të Ministrisë së Integrim, që emërohen me propozim të sekretarit të Përgjithshëm. Një ekspert i Ministrisë së linjës apo institucionit qendror sipas fushave përkatëse të akteve ligjore të shqyrtuara. Dy ekspertë të jashtëm që caktohen nga Ministria me propozim të universiteteve dhe institucioneve shkencore. Komisioni drejtohet nga njëri prej përfaqësuesve të Ministrisë së Integrimit. Komisioni ka për detyrë të shqyrtojë në tërësi materialet e përkthyera të legjislacionit europian në gjuhën shqipe. Komisioni kontrollon dhe përmirëson materialet e përkthyera dhe siguron unifikimin e terminologjisë së përdorur në përputhje me standardet e kërkuara. Komisioni gjithashtu përcakton terminologjinë e fushës, të cilën ia bën me dije Ministrisë së Integrimit. Anëtarët e Komisionit duhet të kenë eksperiencë në fushën përkatëse dhe të njohin legjislacionin europian për fushën që mbulojnë. Ata duhet të kenë njohuri shumë të mira të njërës prej gjuhëve zyrtare të BE-së dhe përbën avantazh njohja e një gjuhe të dytë. Anëtarët duhet të kenë aftësi shumë të mira komunikimi dhe të punës në grup. Përbëjnë avantazh studimet e thelluara në fushën përkatëse. Anëtarët e komisionit nga ministritë e linjës, nga institucionet e tjera qendrore si dhe ekspertët e jashtëm do të shpërblehen për punën e kryer në bazë të numrit të faqeve të shqyrtuara prej tyre. Pagesa e anëtarit nga ministritë e linjës dhe i institucioneve të tjera qendrore do të jetë 200 lekë për çdo faqe të shqyrtuar. Ndërsa pagesa për ekspertët e jashtëm do të jetë 400 lekë për çdo faqe të shqyrtuar.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›