E Shtunë, 31 Tetor 2026

Degët lokale të PS-së që mbështesin rezolutën e Ramës dhe rikandidimin e tij

Degët kryesore të PS-së në rrethe dalin në mbështetje të kryesocialistit Edi Rama

Pak ditë pas miratimit nga Asambleja Kombëtare, rezoluta e paraqitur nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është nënshtruar një procesi të gjerë shqyrtimi dhe votimi nga ana e degëve lokale të PS-së. Teksa ka mbetur më pak se një javë nga zhvillimi i Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, rezoluta e kryesocialistit Rama duket se ka gjetur aprovimin e gjerë të bazës socialiste. Degë të rëndësishme të Partisë Socialiste në qytetet kryesore të vendit nuk kanë hezituar të miratojnë dhe të votojnë pro kësaj rezolute, duke nënkuptuar edhe mbështetjen ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili pritet të rikandidojë sërish për postin e kësaj partie. Miratimi i kësaj rezolute është bërë së fundi nga dega e PS-së në rrethin e Korçës, ndërkohë që pritet që një gjë të tillë ta bëjnë deri në zhvillimin e Kongresit të Jashtëzakonshëm, edhe të paktën 3 degë të tjera të PS-së në rrethe.

Degët e PS-së

Degët lokale të Partisë Socialiste kanë nisur një proces të gjerë diskutimi dhe votimi të rezolutës së paraqitur nga kryesocialisti Edi Rama, si dhe të vendimeve të marra nga Asambleja Kombëtare. Ky proces është bërë i mundur pas zhvillimit të mbledhjeve të asambleve lokale të PS-së, të cilat edhe ato, nga ana e tyre, kanë miratuar rezolutat përkatëse.
Në të gjitha rezolutat, të paktën 3 janë pikat e përbashkëta dhe më të theksuara nga baza socialiste: Denoncimi i manipulimit të zgjedhjeve, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe kërkesa për rikandidimin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Deri tani rezoluta të tilla kanë miratuar asambletë lokale të PS-së në Vlorë, Berat, Librazhd, Elbasan, Pogradec, Skrapar, Fier dhe Korçë. Miratimi i rezolutave mund të cilësohet një test mjaft i rëndësishëm për garën zgjedhore për kreun e PS-së, por edhe tregues pozitiv ndaj pozitave rikandiduese të kreut aktual, Edi Rama.

Rezoluta
Rezoluta e propozuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u votua me shumicë votash në Asamblenë Kombëtare të PS-së, duke triumfuar ndaj rezolutës të paraqitur nga deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi. Rezoluta e Ramës përbëhet nga pesë pika, po çështja kryesore e saj ka të bëjë me cilësimin e papranueshëm të rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në rezolutë theksohet se zgjedhjet ishin pa standarde dhe se përgjegjësia kryesore për këtë është e qeverisë së Berishës. Në rezolutë theksohet gjithashtu se Partia Socialiste nuk njeh legjitimitetin e Parlamentit dhe qeverisë dhe se angazhohet për zgjedhje të parakohshme. Partia Socialiste shpreh gatishmërinë për të mos hezituar në asnjë moment për t’u paraqitur qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtar gjendjen kritike të demokracisë në vend. Në rezolutë theksohet gjithashtu se Partia Socialiste është e palëkundur nga qëndrimi i saj për të kërkuar në Kuvend hetimin e manipulimeve që u janë bërë zgjedhjeve.

Degët që kanë miratuar rezolutën

PS Vlorë
PS Berat
PS Librazhd
PS Elbasan
PS Pogradec
PS Skrapar
PS Fier
PS Korçë

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›