E Shtunë, 31 Tetor 2026

Detyrimi për formimin e mjekëve të familjes

• Prof. Fedhon Meksi

Përpara më shumë se dy shekuj, Revolucioni fran-cez njohu domosdoshmërinë e formimit të mëtejshëm. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, ky koncept u trajtua Përpara më shumë se dy shekuj, Revolucioni francez njohu domosdoshmërinë e formimit të mëtejshëm. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, ky koncept u trajtua në mënyrë filantropike, duke pasur si qëllim dhënien e një mundësie të dytë të gjithë atyre, që edhe pse ishin portator të një diplome pas studimeve të rregullta universitare, nuk ishin sistemuar në punën që ëndërronin.
Pas Luftës së Dytë Botërore, përshpejtimi i progresit teknik kërkonte modernizimin e teknologjisë ose ndryshimin e plotë të saj. Në këto kushte, efektshmëria në punë lidhej drejtpërsëdrejti me adaptimin ndaj kërkesave në rritje të vazhdueshme. Për këtë arsye, në vendet e zhvilluara u krijuan sisteme masive të formimit, të cilat kryenin riciklimin e punonjësve kur ata duhej të fillonin një profesion tjetër dhe formimin e vazhdueshëm kur do të ushtronin të njëjtin profesion, veçse tashmë të modernizuar dhe përsosur.
Në këtë mënyrë formimi i vazhdueshëm konsiderohej si instrument promovimi individual, me anë të të cilit ndryshonte në sensin e duhur edhe aspekti ekonomik. I menduar kështu, formimi i vazhdueshëm, jo vetëm ishte kusht i domosdoshëm në realizimin e synimeve vetjake, por influenconte ndjeshëm edhe në procesin e progresit kolektiv. Shembulli i mjekut është mjaft i qartë: duke përditësuar pa pushim njohuritë e tij, mjeku mbrohet nga deklasimi profesional, duke mundësuar që të sëmurët e tij të përfitojnë sa më tepër nga arritjet e fundit të shkencës, ndërkohë që rritet ndjeshëm edhe efektshmëria e sistemit mjekësor. Nga këndvështrimi individual, profesionisti që formohet në mënyrë të vazhdueshme:
-mbrohet ndaj vjetrimit të njohurive dhe humbjes së vendit të punës;
-siguron gradim profesional me trajtimin ekonomik përkatës;
-ushtron profesionin në nivele të larta, duke pasur veç të tjerash edhe ndjesi të veçantë kënaqësie.
Nga këndvështrimi kolektiv, Formimi i Vazhdueshëm (FV) konsiderohet si një nga faktorët kryesorë të zhvillimit. Ekonomistët në konsensus të plotë pohojnë se zhvillimi ekonomik nuk është thjesht rezultati i bollëkut të lëndëve të para dhe kapitalit, por është i lidhur para së gjithash me nivelin e edukimit të popullatës. Një popullsi e instruktuar në nivelin e duhur, ka kapacitetin të rinovohet dhe të hapë tregje të reja për sistemin prodhues.
Veçse, edhe pse janë fare të qarta përftimet e gjithanshme, FV u përfshi në politikat publike vetëm pak kohë më parë.
Shoqëritë me ekonomi të zhvilluar e kanë kuptuar para të tjerave se nuk mjaftojnë vetëm njohuritë e fituara në shkolla. Informimi dhe formimi i vazhdueshëm do të pengonte që të bëhemi pre e rutinës dhe sterilitetit intelektual.
Tashmë pranohet unanimisht që nuk është e mundur të mësohet gjithçka në moshat nga 20 deri 25 vjeç. Për këtë arsye lind nevoja që të konceptohet ndryshe të mësuarit në shkollë, i cili duhet:
-t’u mësojë studentëve mënyrën se si duhet mësuar;
-t’i pajisë ata me bagazhin e mjaftueshëm të kulturës së përgjithshme, t’i aftësojë në përdorimin e teknikave moderne.
Në këtë mënyrë do të ngrihet piedestali, mbi të cilin më vonë do të vendosen specializimet e nevojshme.
E rëndësishme është që studimet fillestare të ndërthuren me njohuritë profesionale, ashtu sikurse formimi i vazhdueshëm duhet të ketë raporte shumë të ngushta me shkollën.
Studimet mjekësore përbëhen nga tre komponentë kryesorë që janë:
-Studimi universitar në Fakultetin e Mjekësisë, i cili përfundon me diplomimin si mjek.
-Specializimi pasuniversitar, i cili përfundon me diplomimin e mjekut si mjek specialist.
-Formimi i Vazhdueshëm Mjekësor (FVM), proces ky që për një mjek të ndërgjegjshëm nga ana etike vazhdon gjatë gjithë jetës së tij.
FVM duhet kuptuar si detyrim moral, deontologjik dhe legal
Mjeku nuk duhet të pretendojë që të ushtrojë profesionin e tij i mbështetur vetëm mbi bagazhin e fituar gjatë studimeve spitalo-universitare. Gjatë gjithë jetës së tij profesionale, ai ka detyrim moral për t’u informuar dhe për t’u formuar. Formimi është i domosdoshëm kur kemi parasysh mënyrat e shumta të diagnostikimit që përparojnë vazhdimisht dhe mënyrat e mjekimit, ku ndryshimet janë gjithashtu të pandërprera. Mjafton të kemi parasysh antibiotikët, antiaritmikët, antikancerozët, antihipertensivët, përparimet në lëmin e gjenetikës, imunologjisë, kardiologjisë, hematologjisë etj., për të kuptuar ritmin marramendës, me të cilin hynë në skenë dhe dalin prej saj koncepte të reja mjekësore dhe agjentë të shumtë terapeutikë. Le të shtojmë këtu edhe efektet sekondare të disa barnave, të cilat po njihen çdo ditë e më shumë. Për më tepër në kohën e sotme, mëkati i mosdijes dhe i harresës nga ana e mjekëve nuk falet më. Në një kohë kur efektshmëria e mjekësisë, tashmë çudibërëse, nuk rresht së rrituri, njohuritë e domosdoshme për ushtrimin e profesionit të mjekut sa vjen e bëhen më të vështira për t’u përvetësuar. Pra, funksioni i mjekut të familjes është shumë i vështirë, në kohën kur prania e tij afër të sëmurit, familjes dhe shoqërisë mbetet mëse i domosdoshëm. Pasojat e kësaj vështirësie janë të ndjeshme. Disa mjekë e ngushtojnë në mënyrë të vullnetshme fushën e veprimit të tyre me anë të një specializimi të ngushtë në metoda mjekuese ose diagnostikuese që parapëlqehen nga pacientët. Të tjerë mjaftohen të rekomandojnë një numër të kufizuar barnash ose ekzaminimesh të rutinës. Ndërsa disa të tjerë japin trajtime simtomatike stereotipike.
Formimi mjekësor i vazhdueshëm është detyrim deontologjik shumë i rëndësishëm
“Mjeku nuk është në gjendje t’i shërbejë të sëmurit në mënyrën e duhur nëse nuk i ruan të freskëta dhe nuk i pasuron njohuritë e tij” (neni 16 i Kodit francez të Deontologjisë). Doja gjithashtu të citoja nenin 17 të Kodit italian të Deontologjisë: “Mjeku duhet të njohë përbërjen, indikacionet, kundërindikacionet dhe bashkëveprimet e produkteve që rekomandon”. Në fund më duhet të shtojë se pjesa më e madhe e Kodeve të Deontologjisë të së drejtës latine ose të së drejtës myslimane imponojnë detyrime të njëjta.
FVM është gjithashtu një element rregullues shumë i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në tërësi. FVM implikon jo vetëm përgjegjësi individuale për çdo mjek, por edhe përgjegjësi kolektive të gjithë sistemit shëndetësor, si dhe të vetë shtetit si garant i shëndetit publik. Derisa objektivi i FVM është përmirësimi i vazhdueshëm i kualitetit të shërbimit mjekësor në raport me nevojat dhe kërkesat e shoqërisë, edhe përgjegjësitë duhet të jenë më të mëdha.
Në vendet e Amerikës së Veriut, shlyerja me sukses e detyrimeve të mjekëve për t’u formuar në mënyrë të përvitshme, qëndron në bazë të rilicencimeve dhe ricertifikimeve. Po në këto vende, mjeku që gabon ose që nuk i plotëson dosjet e të sëmurëve në mënyrën e kërkuar, detyrohet nga komisionet profesionale të formuara për këtë qëllim, të përsërisë seancat e FVM ose të ndjekë stazhe klinike suplementare disamujore.
FVM në Shqipëri duhet të jetë i strukturuar, i gjeneralizuar, i planifikuar dhe i detyrueshëm për të gjithë mjekët e përgjithshëm. Shqipëria është i vetmi vend i Evropës që vazhdon të ruajë strukturat sovjetike në shërbimin parësor. 80% e mjekëve të këtij sistemi kanë kryer vetëm 5 apo 6 klasë në Fakultetin e Mjekësisë dhe punojnë si mjekë të përgjithshëm ose si mjekë familje pa asnjë lloj specializimi ose kualifikimi teorik ose praktik, ndërkohë që FVM nuk ka ekzistuar kurrë. Është fare e pallogaritshme literatura mjekësore e përgatitur për ta dhe janë fare të pakta mbledhjet, konferencat, kongreset që trajtojnë tema që lidhen me specialitetin e tyre.
Në zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bankës Botërore po piqet ideja e aplikimit të një projekti madhështor, i cili do të ketë si qëllim edhe riciklimin e mjekëve të përgjithshëm në mjekë familjeje si dhe formimin mjekësor të vazhdueshëm të mjekëve të familjes. Si fillim në Ministrinë e Shëndetësisë duhet të  krijohet zyra përkatëse dhe më pas Komiteti Kombëtar i FMV të mjekut të përgjithshëm me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Fakulteti i Mjekësisë, ISKSH, Urdhri i Mjekut dhe Shoqata e Mjekëve të Familjes. Ky komitet do të kujdeset për problemet e gjestionimit, organizimit, strukturimit, motivimit të mjekëve dhe vlerësimit të asimilimit gjatë procesit të FMV.
Pedagogë të Departamentit të Mjekësisë së Familjes dhe Shëndetit Publik, pedagogë të tjerë me eksperiencë të Fakulteteve të Mjekësisë, si dhe mjekë të spikatur të familjes që punojnë në terren, duhet të formojnë Komitetin Teknik të FMV, i cili do të merret me përgatitjen e materialeve didaktike që do të synojnë:
-plotësimin e nevojave profesionale të mjekëve;
-pajisjen e tyre me njohuritë e duhura lidhur me patologjitë emergjente dhe patologjitë specifike lokale.
Mund të rreshtonim si detyra të tjera edhe:
-përmirësimi i organizimit të shërbimit mjekësor parësor në drejtimin cilësor dhe sasior;
-krijimi i kushteve për formimin e formatorëve të rinj që do të zgjidhen nga mjekët më të spikatur të familjes;
përcaktimi i kritereve të dhënies së krediteve formuese.
Pranë Komitetit Teknik duhet të funksionojë një qendër shtypshkrimi, që do të përfshijë dhe një grup përkthyesish dhe redaktorësh. Materialet origjinale ose të përkthyera do të shërbejnë për zhvillimin e mësimeve në kurset e FMV.
Në çdo qytet universitar të Shqipërisë (Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër) do të krijohen Komitetet lokale të FMV. Komitetet Lokale të FMV do të mirëpresin mbështetjen didaktiko-shkencore dhe logjistike nga ana e universiteteve sipas një marrëveshjeje të nënshkruar paraprakisht ndërmjet palëve. Në këtë mënyrë do të krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e kurseve brenda strukturave universitare, spitaleve rajonale si dhe qendrave shëndetësore. Komitetet lokale duhet të përcaktojnë gjithashtu objektivat me interes kombëtar ose që kanë karakter specifik lokal.
Programi didaktik do të zhvillohet brenda 40 orëve përgjatë dhjetë të shtunave radhazi. Mjekët që ushtrojnë aktivitetin në vende të largëta mund ta kryejnë kursin në kushte rezidenciale gjatë një jave.
Mjeku i përgjithshëm ose mjeku i familjes qoftë duhet të jetë i detyruar që të frekuentojë kurset e FMV sipas radhës së përcaktuar dhe t’i fitojë kreditet formuese gjatë dy viteve. Në të kundërt i nënshtrohet penaliteteve deri në humbjen e vendit të punës. Këtë model tashmë po e aplikojnë më shumë se 16 vende evropiane.
FMV është një nevojë reale e kërkuar nga mjekët dhe nga vetë shoqëria jonë, duke përbërë investimin më të mirë që një shtet mund të kryejë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit mjekësor ndaj qytetarëve të tij.
*Autori është pedagog
në universitetin “Kristal”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›