E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici i plagosur,u kthye nga Greqia harrohet në spital

• Braktiset sërish, polici i plagosur në Gërdec.

Zirina Llambro

 Kësaj here neglizhenca nuk është e ndonjë shteti fqinj, por e vetë strukturave tona të cilat morën përsipër ta trajtonin urgjentisht me shërbim të specializuar jashtë vendit. Kjo pasi efektivi blu Dritan Memoçi nëse vijon të qëndrojë në vendin tonë, rrezikon të humbë plotësisht njërën nga këmbët. Pos dëmtimit të rëndë që ka pësuar nga shpërthimi, ajo është e infektuar keqas si pasojë e mungesës së trajtimit në spitalin e Selanikut, ku Dritani u dërgua me urgjencë fill pas tragjedisë të 15 marsit. Megjithëse ka duruar boll 32-vjeçari nuk i ka humbur ende shpresat. Ndonëse akuzat e tij për mjekët grekë ishin tejet të rënda, ai nuk i step aspak. “Nëse nuk do kisha dhënë atë intervistë, do isha akoma atje dhe në rrezik do kisha jetën e jo më këmbën. Ishte vetëm e realiteti i cili u vërtetua më pas edhe nga mjekët këtu. Në Greqi për më shumë se një javë nuk më dhanë asnjë lloj ilaçi qoftë edhe për të qetësuar dhimbjet e jo më antibiotikë për infeksionin”, pranon polici i plagosur. Në fakt akuzat e tij të bëra publike nga spitali i Selanikut ku po kurohej ngjallën jo pak debate. Madje nën zë familjarët pohojnë se efektivit blu iu kërkua të mos fliste më për mediat, pasi mund të shkaktohej ndonjë incident diplomatik. Kjo në këmbim të premtimit për ta nisur urgjentisht në Itali në mënyrë që t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbë. Por ka kaluar një javë dhe për efektivin e plagosur në krye të detyrës nuk është bërë asgjë. Edhe pse të gjithë dokumentet ishin bërë gati, madje kishte blerë edhe biletat e avionit. Përgjigjja që i ka ardhur nga Ministria e Brendshme ka qenë negative. Sipas asaj që i është komunikuar, dosja e tij dhe e familjarit që do ta shoqëronte nuk është pranuar nga ambasada italiane. Pasi ky institucion kërkonte një preventiv për koston e ndërhyrjes në Itali, çka sipas Memoçit nuk mund të jepej paraprakisht pasi janë vetë mjekët që fillimisht duhet të shohin gjendjen e tij shëndetësore e më pas të vlerësojnë se për çfarë ka nevojë. Aktualisht Dritan Memoçi është  shtruar në klinikën turke “Balcan Alliance Center” në Spitalin Ushtarak, e cila po e trajton falas. “Këtu nuk me ka munguar asgjë, por unë duhet të nisem patjetër jashtë vendit pasi mjekët e spitalit e kanë mbaruar detyrën e tyre. Më është bërë një premtim për të më dërguar në Ankara nga ministria por nuk ka asgjë konkrete”, pohon polici i plagosur. Në intervistën e tij për gazetën “Panorama” ai i bën apel shtetit shqiptar, ta përshpejtojë procedurat pasi infeksioni po përparon dhe përveç këmbës i rrezikohet edhe jeta.
Zoti Memoçi ju keni një javë që jeni rikthyer nga Greqia pasi u plagosët në Gërdec e keni deklaruar se atje ju ka munguar plotësisht asistenca mjekësore si paraqitet gjendja juaj aktualisht?
Nga sa më kanë thënë mjekët, gjendja ime shëndetësore edhe pse është përmirësuar disi vijon të jetë kritike. Njërën këmbë e kam të infektuar dhe duhet patjetër të nisem jashtë vendit për të më hequr protezën që më është vënë në Greqi. Këtu është e pamundur të realizohet. Këtu te spitali turk nuk më ka munguar asgjë, kam pasur vëmendjen maksimale nga mjekët e infermierët, por ata e kanë përfunduar detyrën e tyre me mua. Nëse unë nuk dërgohem jashtë rrezikoj të humb këmbën. Mendoje vetë çfarë do të thotë kjo për një 32-vjeçar që ka një vajzë 8-vjeçe për të rritur edhe i është përkushtuar me shpirt profesionit të tij. Nëse unë humb këmbën nuk do mundem të jem për asnjë, as për familjen time më. Unë jam plagosur në krye të detyrës në Gërdec, në të kundërt nuk do të kërkoja ndihmën e shtetit.
A ka ardhur njeri për t’ju takuar nga Ministria e Brendshme?
Po ditën e parë kanë ardhur për të më takuar, por më pas jo. Shefi i rajonit tim më ka ardhur më pas të më shohë. Në këtë një javë nuk kam pasur asnjë vizitë tjetër. Ditën që u ktheva urgjentisht nga Selaniku më thanë se po bëheshin urgjentisht dokumentet për të më dërguar në Itali. U bë çdo gjë gati madje u blenë dhe biletat e udhëtimit, por të nesërmen në telefon mu komunikua që dosja ime dhe e atij që do më shoqëronte nuk ishte pranuar nga ambasada italiane. Kjo pasi nga sa më thanë të paktën kërkohej një preventiv se sa do të kushtonte ndërhyrja kirurgjikale gjë që unë nuk mund ta siguroja. Pasi mjekët italianë nuk mund të thonë sa lekë do kushtojë operacioni pa më vizituar mua dhe pa parë gjendjen time. Kjo është logjike.
Më tej çfarë ndodhi pas përgjigjes negative për në Itali, çfarë u bë për t’ju dërguar jashtë?
Asgjë. Gjatë këtyre ditëve ndonëse edhe nga vetë mjekët e klinikës turke është thënë se duhet të dërgohem patjetër jashtë nuk është bërë asnjë përpjekje. Sot më është bërë një premtim për të më nisur në Ankara pas disa ditësh. Por nuk ka asgjë zyrtare. Dua të theksoj se unë nuk po kërkoj për luks të iki jashtë. Në rast se do bëhej këtu operacioni do ta bëja. Por s’ka mjete të nevojshme. Këtë e thonë mjekët nuk e them unë. Mund të pyesni ata.
Mendoni se fakti që po vonojnë proceduarat, ka lidhje me deklaratat tuaja për spitalin në Greqi?
E di si është puna miq të mi ma kanë thënë këtë gjë. Tani ty s’do të nisin jashtë se ke krijuar incident diplomatik me grekun. Unë nuk bëhem fare pishman për deklaratat që kam bërë. Pastaj ato që thashë unë i vërtetuan vetë mjekët. Ju i pyetët dhe ata pranuan që unë duhet të trajtohesha me antibiotikë dhe për një javë nuk më kishin dhënë asgjë. Nëse unë s’do kisha dhënë atë intervistë nga ai spital do isha akoma atje. Do kishin shkuar më keq punët. Ata u treguan vërtet mizorë dhe unë s’kisha pse ta fshija pasi luaja me kokën time. Ishte jeta në lojë. Nuk dua ta mendoj që deklaratat e mija janë shkaku që s’po më dërgojnë jashtë. Nuk besoj se është kjo. Por që ka një lloj neglizhence ka. Kjo duket.
A ndiheni i braktisur në këtë gjendje?
Jam ndjerë i braktisur sa nuk gjej fjalë të ta shpjegoj ato ditë në Selanik. Të rrish pa ngrënë, të mos vijë një mjek të të shikojë edhe pse ke dhimbje në shpirt. Të jesh vetëm në vend të huaj në atë lloj situate, është më shumë sesa braktisje. Këtu kam njerëzit e mi të paktën që më japin kurajën, që po përpiqen të bëjnë gjithçka për të më ndihmuar. Eshtë komplet tjetër gjë. Por më vjen keq për një fakt, se unë përveçse jam një qytetar i thjeshtë kisha një lloj detyre dhe kur u plagosa po e bëja atë me përkushtimin maksimal. Kur ndodhi shpërthimi i parë nuk ika, por ndenja aty duke ndihmuar dhjetëra qytetarë bashkë me kolegët e mi. Nëse do t’i kishë bërë bisht punës time do të kisha menduar për vetë e do isha larguar e nuk do isha sot kështu me dy këmbë të sakatuara. Ndenja në Gërdec dhe nga shpërthimi i dytë u dëmtova. Nuk e them këtë për justifikim se të njëjtën gjë do kisha bërë edhe një herë, por të paktën për kaq gjë shteti ka një detyrim ndaj meje për të më shpëtuar jetën. Jua thashë edhe njëherë nuk po kërkoj as luks, as dëmshpërblim. Po kërkoj ndihmë që të mos humb këmbën. Të mos mbetem invalid. Kam një fëmijë për të rritur dhe një familje për të mbajtur.
Cili është apeli që ju i bëni sot Ministrisë së Brendshme apo dhe strukturave të tjera shtetërore që mund t’ju ndihmojnë?
I kërkoj që të përshpejtojnë procedurat për të më nisur jashtë, në mënyrë që të shpëtoj këmbën. Në të kundërt unë rrezikoj shumë. Them se një shtet këtë gjë do ta bënte për çdo qytetar të vetin dhe jo më për një të plagosur në krye të detyrës. Ky është apeli im. Të mos neglizhojnë e të mos e shtyjnë me shumë këtë punë. Se për qejf as nuk do doja të shkoja kurrë jashtë.

Mjekët: Ka infeksion të rëndë,rrezikon humbjen e këmbës

“Gjendja shëndetësore e 32-vjeçarit Dritan Memoçi nuk është aspak e mirë. Ndonëse kurat me antibiotikë, të cilat i janë nisur që prej një jave kanë dhënë efektin e tyre, njëra këmbë është e infektuar së tepërmi dhe duhet të hiqet proteza e vendosur në Greqi”. Këtë pohojnë mjekët e klinikës turke ku po trajtohet polici i plagosur në Gërdec. Ata shtojnë se, problem mbetet edhe këmba tjetër, por infeksioni i saj nuk ka përparuar shumë. Sipas tyre, infeksioni ka prekur kockën dhe pacienti duhet të niset jashtë vendit për t’u trajtuar. Ata sqarojnë gjithashtu se, i sëmuri gjatë periudhës që kishte qëndruar në Greqi nuk kishte marrë trajtim me antibiotikë, çka ishte i nevojshëm, që ditët e para pas plagosjes. Ky fakt ka çuar edhe në rëndimin e mëtejshëm të gjendjes së tij. “Kurat me antibiotikë duhet t’i kishte nisur dy javë më parë gjatë kohës që trajtohej në spitalin grek. Eshtë lënë pas dore dhe nuk ka marrë as trajtimin më minimal. Kjo është arsyeja që infeksioni është i një shkalle shumë të rëndë, e nëse do të mungonte sërish trajtimi mund të rrezikonte edhe jetën”, theksojnë mjekët e klinikës turke. Memoçi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në këtë spital, por shpëtimi i vetëm i tij është ndjekja në një klinikë të specializuar jashtë vendit me aparaturat e nevojshme. Ndërkaq bluzat e bardha të “Balkan alliance Center”, pohojnë se momentalisht nuk mund t’i ofrojnë më shumë trajtim. Efektivi blu pas shpërthimit ishte ndër të parët viktima që u nis jashtë vendit për t’u trajtuar. Kjo, pasi gjendja e tij ishte shumë e rëndë dhe dëmtimet ishin të mëdha në të dyja këmbët. Por për fat të keq nga sa ka deklaruar, ndihma e vërtetë për të cilën kishte nevojë iu mohua në Greqi, e për këtë arsye ai kërkoi të rikthehej urgjentisht në vend.

Inspektori i policisë u plagos gjatë evakuimit

TIRANE – Inspektori i policisë së Vorës, Dritan Memoçi, ka hyrë në zonën e rrezikut ditën e tragjedisë së Gërdecit për të ndihmuar banorët e zonës, por ka mbetur edhe vetë i plagosur. Siç ka sqaruar oficeri i policisë në një intervistë të dhënë për gazetën pak ditë më parë, ai ka qenë në një tjetër operacion kur ka marrë përmes radios njoftimin se fabrika e demontimit të predhave në Gërdec, kishte shpërthyer. Inspektori i policisë është nisur menjëherë në drejtim të fshatit. Që kur ndodhej në Vorë ka parë njerëz rrugëve që nuk dinin nga të shkonin, shumë prej tyre u ka thënë të largoheshin sa më shumë nga rreziku ndërsa të tjerët i ka tërhequr, duke i nxjerrë nga zona e rrezikut. Inspektori ka vazhduar të përparojë në zonë derisa ka mbërritur në fshatin Gërdec, ku ndodhej fabrika e vdekjes. Bashkë me Dritan Memoçin ka qenë edhe një koleg i tij, efektiv policie ndërsa të dy tërhiqnin njerëzit që gjenin rrugëve dhe në banesa pranë vendit të shpërthimit, duke i nxjerrë në rrugë dhe duke u thënë të largoheshin sa më parë. Mes personave të evakuuar nga dy policët ka pasur dhjetëra të plagosur. Deri në atë moment dy efektivat e policisë kishin nxjerrë nga rreziku mbi 110 persona, kur si pasojë e shpërthimit të ndodhur më pak se 400 metra larg, një objekt ka goditur inspektorin e policisë Dritan Memoçi, duke i thyer këmbët dhe duke i shkaktuar dëmtime serioze në shpinë. Polici tjetër ka pësuar thyerjen e krahut ndërsa dy efektivat djegie nga flakët në gjithë trupin. Dritan Memoçi u mjekua për disa ditë në një spital në Greqi dhe më pas u kthye në atdhe, ku vazhdon të mjekohet për dëmtimet shëndetësore që ka marrë ditën kur ndodhi tragjedia e Gërdecit.

Memoçi, akuza publike mjekëve të Selanikut

Një ditë pas tragjedisë së 15 marsit Dritan Memoçi, polici i plagosur u dërgua në spitalin e Selanikut bashkë me 4 të lënduar të tjerë për t’u trajtuar në mënyrë më të specializuar. Me gjithë të dhënat e bëra publike zyrtarisht se, gjendja e të sëmurëve në Greqi po stabilizohej, vetë efektivi blu me anë të telefonit bëri denoncimin e tij prej spitalit grek. Memoçi akuzoi rëndë mjekët e spitalit të Selanikut për mungesë totale të përgjegjësisë e humanizmit në trajtimin e tij. Sakaq ai deklaroi se, edhe prej konsullit tonë në Selanik nuk ka pasur interesimin më të vogël. “Këta mjekët këtu më kanë lënë 3 ditë pa ngrënë, se më thanë se do më operonin, por asnjë nuk u mor me këtë punë Janë ekstremistë, i kam rënë sinjalit të emergjencës dhe nuk kanë lëvizur nga vendi. Mjeku ka ardhur këtu vetëm kur i ka rënë rruga. Ky nuk është trajtim mjekësor”, ka deklaruar një javë më parë polici i plagosur. Këto akuza u kundërshtuan nga ambasada shqiptare në Athinë. Por nga ana tjetër, me kërkesë të vetë të sëmurit Ministria e Brendshme ka mundësuar rikthimin e tij urgjentisht në vendin tonë. Pretendimet e Memoçit ngjallën jo pak debate për një incident të mundshëm diplomatik mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por ndërkaq zyrtarisht nuk ka pasur asnjë reagim as nga Ministria e Shëndetësisë e vendit tonë e as nga ndonjë institucion tjetër.

Nishani: Do t’u ndërtojmë banesat të pakënaqurve nga dëmshpërblimi

TIRANE – Ministri i Brendshëm tha dje se, Qeveria do të kontraktojë me firma private për ndërtimin e shtëpive të atyre banorëve të dëmtuar nga shpërthimet e Gërdecit, të cilët janë të pakënaqur me shumën e dëmshpërblimit financiar. “Për ata banorë të cilët kanë ankesa lidhur me masën e dëmshpërblimit financiar për dëmtimin e banesave të tyre, Qeveria do të kontraktojë me firma private, të cilat do të bëjnë ndërtimin e plotë, restaurimin apo punimet e nevojshme sipas masës së dëmtimit të banesës”, tha Nishani. Ai ishte dje në Vorë për të parë nga afër ecurinë e procesit të shpërndarjes së ndihmës financiare për të dëmtuarit nga shpërthimi i ndodhur në Gërdec. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, ministri Nishani u informua nga kryetari i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili, se për efekt të përfitimit të dëmshpërblimit financiar për familjet e dëmtuara janë çelur rreth 1700 numra llogarie në agjencitë e bankave që ekzistojnë në Vorë. “Lidhur me ankesat e familjarëve për masën e dëmshpërblimit janë duke punuar në terren 10 grupe për rivlerësimin e dëmit”, theksoi Ministria e Brendshme. Sipas saj, një proces tjetër për eliminimin e pasojave të shpërthimit në Gërdec është edhe akordimi i një ndihme financiare për punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave. Dikasteri i Brendshëm lajmëroi dje se po vazhdon edhe shpërndarja e ndihmave materiale e ushqimore për familjarët, të akorduara nga qeveria dhe donatorët e ndryshëm. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, pas qëndrimit në Bashkinë e Vorës, zhvilloi një takim edhe me banorët që ndodheshin pranë ndërtesës së pushtetit lokal. Nishani dëgjoi shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve dhe iu përgjigj interesimit lidhur me mënyrën, masën dhe kohën e akordimit të ndihmave financiare e materiale nga qeveria. “Banorët e pranishëm pohuan edhe njëherë se janë dakord me masën e dëmshpërblimit të përcaktuar nga komisionet e vlerësimit”, shtoi Ministria e Brendshme. t.s

viktimat ne gerdec

E humbur Shqipe Alhasa

Viktima të identifikuara
Zilie Leti
Jetmir Ballazhi
Rajmonda Durda
Muhamet Hoxha
Besim Çanga
Hysen Cani
Jetmir Deliu
Roland Alla
Liliana Deliu
Flavio Deliu
Reshit Kruja
Azem Meliu ndërroi jetë në spital, Itali
Ilirian Malçi
Zilie Kaca
Endri Dvorani
Arben Hasa
Muhamet Azizi
Bukurie Cani
Nafie Laci ndërroi jetë në spital, Itali
Kore Deliu ndërroi jetë në spital, Itali
Zylfi Ahmeti, ndërroi jetë në Itali

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›