E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti, mbërrin Bush, blindohet Bukureshti

• Presidenti amerikan Xhorxh w. Bush, një ditë para hapjes së samitit, mbërriti në kryeqytetin rumun për arsye sigurie.

Nga i dërguari ynë në Bukuresht, Aristir Lumezi

 Dje stafi i tij ka ndryshuar axhendën dhe e ka ulur avionin gjigand “Force One” në aeroportin më të madh të Bukureshtit, rreth orës 18:30. Kjo ka bërë që linjat e tjera që ishin programuar të mbërrinin në atë orë të shëtisnin mbi qiellin e vrenjtur rumun për rreth 20 minuta. Në një nga këto fluturime, pikërisht me “Lufthansa”, ishte dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha, bashkë me stafin e tij. Masat e sigurisë sot në Bukuresht dukeshin më shumë nga ç’ishin parashikuar. Rreth 100 mijë forca të policisë dhe të xhandarmërisë rumune ishin sjellë në kryeqytet edhe nga qytetet e tjera për të garantuar sigurinë për ditët e zhvillimit të Samitit të NATO-s.
Mbërritja e Bush
Presidenti amerikan kishte njoftuar mbërritjen e tij në datën 2 prill në qytetin e Konstancës, ku ka dhe një bazë amerikane ushtarake. Prej andej Bush do të mbërrinte në Bukuresht me helikopter. Por axhenda ndryshoi dhe “Force One” është ulur në aeroportin e Bukureshtit pasditen e djeshme. Para dhe pas mbërritjes së tij, helikopterë “Apach” kanë patrulluar të gjithë zonën deri në orët e vona të mbrëmjes. Por përveç Presidentit amerikan në Bukuresht kanë mbërritur edhe Presidenti gjerman me avionin e tij presidencial, ai finlandez, spanjoll etj. Mësohet se do të ketë një takim në nivel presidentësh sot në lidhje me çështjen e Afganistanit dhe të Maqedonisë.
Siguria
Gjatë superstradës që lidh aeroportin e madh të Bukureshtit, “Henri Kondë” dhe aeroportin më të vogël “Bneasea”, kishte çdo 100 metra policë që bllokonin qarkullimin drejt superstradës. Për t’iu bashkangjitur kësaj atmosfere sigurie, qeveria rumune para 10 ditësh kishte propozuar bllokimin e fluturimeve civile në të dy këto aeroporte gjatë ditëve të samitit dhe vënin në punë të tyre vetëm për pjesëmarrësit e tij. Ky propozim është hedhur poshtë nga shoqëritë ajrore, të cilat kanë kërkuar respektimin e tyre dhe të klientëve të tyre. Ndërsa policia rumune ka bllokuar sot të katër rrugët kryesore të kryeqytetit që të çojnë drejt parlamentit, ku do të mbahet edhe Samiti i NATO-s. Mediat rumune transmetonin dje kaosin në rrugët e kryeqytetit dhe pritjen e gjatë të makinave, të cilat ishin të detyruara të prisnin me orë të tëra në trafik deri në kalimin e delegacioneve të niveleve të larta që nisën të mbërrinin dje në Bukuresht. Rrugët kryesore të kryeqytetit në të cilat janë vendosur institucionet dhe hotelet kryesore ku qëndrojnë delegacionet e niveleve të larta, janë bërë të pakalueshme edhe për kalimtarët. Asgjë nuk lëviz në to, të gjitha dyqanet dhe lokalet qëndrojnë të mbyllura dhe është paralizuar çdo lloj aktiviteti. Megjithatë qyteti prej mbi 2 milionë banorësh lëviz, edhe pse rrjedha e tij gjatë këtyre katër ditëve do të vështirësohet për shkak të Samitit të NATO-s. Shifra që do të shpenzohet për këtë samit nga NATO llogaritet prej 26 milionë euro. Kjo shifër marrëmendëse ka të bëjë me promocionin që NATO do ti bëjë këtij Samiti në nivel global. Ky eveniment ndiqet dhe nga mbi 3 mijë gazetarë.
Samiti
Ende mbetet në pikëpyetje ftesa e Maqedonisë, pasi ajo dhe Greqia nuk kanë gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. Maqedonia do të ketë pika kulmore në samit, nëse sot edhe me ndërhyrjen e presidentit amerikan nuk do të gjendet një zgjidhje. Mësohet se të tria vendet e A3 nuk do të trajtohen bashkë, por si raste të veçanta, duke garantuar kështu Kroacinë dhe Shqipërinë të jenë të sigurta për ta marrë ftesën për në NATO. Gjithashtu 26 vendet pjesëmarrëse në samit do të marrin vendime të rëndësishme edhe për Afganistanin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë shtimin e forcave ushtarake në këtë vend, në mënyrë që të luftohen më mirë talebanët. Ky do të jetë një vendim i samitit, edhe pse disa vende, përveç Francës, Anglisë dhe Gjermanisë janë shprehur pro këtij propozimi të Shtëpisë së Bardhë. Por në samit do të diskutohet edhe ftesa për në NATO e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, dy vende për të cilat Rusia nuk është dakord. Dita kulminante mbetet data 3 prill, kur do të jetë takimi i nivelit të lartë të vendeve pjesëmarrëse të Aleancës Euroatlantike. Mësohet se delegacioni shqiptar mbërrin sot, ku në përbërje të tij do të jetë Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, ministri i Mbrojtjes, Oketa, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Patozi dhe kryetarja e grupit parlamentar socialist, Leskaj.

shifrat e samitit

Kostoja e samitit  4 ditor të NATO-s llogaritet të jetë 26 milionë euro

Samiti i NATO-s e ndjekin mbi 3 mijë gazetarë
100 mijë forca policore rumune dhe të NATO-s ndodhen në Bukuresht

3 mijë të tjerë i përkasin përfaqësues të 26 shteteve anëtare të NATO-s dhe të vendeve të tjera.

Samiti do të bëhet në Parlamentit rumun, ku do të hapen 1100 zyra, që përfshijnë 12 histori të veçanta.

Nga këto 16 zyra do të jenë për konferencat e shtypit që pritet të japin zyrtarët më të lartë NATO-s

Organizuesit kanë siguruar për transportin e delegatëve, të ftuarit, vëzhguesit 400 furgonë dhe minibus, si dhe 500 makina

Merkel pro Shqipërisë
Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, ka bërë të ditur se Samiti i Bukureshtit është pro dhënies së ftesës për Shqipërinë e Kroacisë dhe se po punohet që të njëjtën gjë të ketë dhe Maqedonia, si vendi i Kartës së Adriatikut. Një lajm të tillë e bën publik radioja e njohur “Dojçe Vele”. Merkel ka pasur biseda telefonike me kryeministrat maqedonas Gruevksi dhe atë grek Karamanlis për t’i ftuar ato që të gjejnë një zgjidhje përpara Samitit të NATO-s për çështjen e emrit. Anëtarësimi i Shqipërisë së bashku me Kroacinë, është tashmë i sigurt, bëjnë të ditur qarqet qeveritare në Berlin. Shqipëria, e cila ka nënshkruar një “Planveprimi për anëtarësim” qysh tetë vjet më parë, e ka arritur pjekurinë e duhur për t’u ulur në tryezën e gjelbër të Aleancës”, bëhet e ditur në Berlin.

Meta: Jo me Berishën kryeministër

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se opozita është pro reformave të mëtejshme, por ato nuk mund të realizohen me një kryeministër që ka e emrin Sali Berisha. LSI-ja shprehet se është e gatshme të kontribuojë në realizimin e reformave, por jo me kryeministrin aktual. Për marrjen e ftesën në NATO, Meta në një konferencë për shtyp deklaroi se, “kjo vjen si rezultat i reformave që janë bërë që përpara vitit 2005”. “Realizimi i këtij objektivi as mund të privatizohet, as nuk mund të cenohet nga demagogjia tashmë e dalë boje e Berishës, se ‘ftesa do të na vijë ngaqë janë bërë reforma që nga viti 2005’. Nëse ka një njeri që ka vonuar integrimin e Shqipërisë në NATO, ky është Sali Berisha. Ishte Berisha ai që shkatërroi jo vetëm ushtrinë shqiptare, por gjithë shtetin dhe institucionet e tij në 1997-ën”, deklaroi Meta. Lideri i LSI-së theksoi se do të mbështesë protestat e paralajmëruara së bashku me partitë e tjera opozitare. “Ne jemi të vendosur dhe mbështesim çdo iniciativë dhe çdo protestë, pavarësisht se nga kush ndërmerret, por që është e sinqertë dhe vërtet synon në imponimin e dorëheqjes së këtij kryeministri të papërgjegjshëm dhe të kësaj qeverie që për ne e ka përfunduar mandatin e saj më 15 mars”, theksoi Meta.

Berisha: E meritojmë ftesën
Pak orë para nisjes për në Bukuresht, Kryeministri Berisha ka dalë për herë të fundit para mediave, ku është shprehur optimist për një vendim në bllok pro Shqipërisë të 26 vendeve anëtare të NATO-s. Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria e meriton marrjen e ftesës për t’u anëtarësuar në NATO, pas reformave të kryera në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe reformave ekonomike. “Ne shkojmë në Bukuresht me besim se do të marrim ftesën dhe se e meritojmë këtë ftesë. Shqipëria, nga vendi i bunkerëve që do të mjaftonin për të ndërtuar dy herë piramidat e faraonëve të Egjiptit, nga vendi i telave me gjemba dhe kampeve të panumërta të përqendrimit, është sot vendi i demokracisë që funksionon, i ekonomisë së lirë të tregut”, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij “opozita shqiptare ishte e para në vendet ish-komuniste që do të kërkonte në dhjetor të vitit 1990, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe do ta përsëriste këtë kërkesë me ardhjen e saj në pushtet”. I pyetur se çfarë do të bëjë qeveria nëse nuk do të merret ftesa, kreu i qeverisë shpreh se do të shumëfishohen përpjekjet për marrjen e saj në një moment të dytë. Berisha la të hapur mundësinë e ndryshimeve në qeveri, ndërkohë që shtoi se delegacioni do të kryesohet nga presidentit Topi dhe protokolli i NATO-s do të jetë ai që do të përcaktojë se cili prej përfaqësuesve të delegacionit do mbajë fjalimin.

“Berisha jo në Bukuresht”
Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, e cilësoi të turpshme rivalitetin mes kryeministrit dhe presidentit për të përfaqësuar delegacionin shqiptar në Samitin e NATO-s. Ai kërkon që Berisha të mos jetë i pranishëm në këtë samit, për shkak të tragjedisë së Gërdecit. “Është e turpshme madje dhe e përsëritur, që krerët e lartë të shtetit të zihen për përfaqësimin e Shqipërisë”, tha Braçe.

Rama: Korrupsioni ka dalë jashtë kontrollit

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka qenë dje në Durrës duke nisur turin e “Dialogut me Shqipërinë” për çështjen e sigurisë në vend dhe shanset e barabarta. Kryesocialisti deklaroi se turi i tij u ndërpre për shkak të tragjedisë së ndodhur në Gërdec më 15 mars. “Kjo qeveri, kjo politikë e vjetër, këto 17 vjet tranzicion rraskapitës, kanë vrarë çdo ëndërr dhe çdo shpresë dhe ne kemi misionin që t’i japim fuqi ëndrrave, shpresave, vullnetit, ambicieve dhe interesave të çdo shqiptari dhe shqiptareje që dëshiron të jetojë me punë të ndershme, qoftë si punëtor, qoftë si sipërmarrës”, tha Rama. Për ngjarjen e ndodhur kryesocialisti u shpreh se, “nuk mund të mos ndodhte ai shpërthim në kushtet kur korrupsioni ka dalë tërësisht jashtë kontrollit”. “Shqipëria sot është më e tronditur se asnjëherë së paku në dekadën e fundit. Ne socialistët shqiptarë duhet të bëhemi ura e bashkimit dhe e bashkëpunimit me të gjithë përtej kufijve të vjetër të partive, jo nën flamurin e partisë, por nën flamurin e idealeve dhe ideve që duhet të ndajmë së bashku me të gjithë ata që nuk pranojnë të jetojnë më tutje si skllevër”, theksoi Rama.

Ftesa, Oketa e bën të kryer

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa e ka bërë fakt të kryer marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit. Duke folur në një konference për shtyp, Oketa tha se “Ministria e Mbrojtjes, marrjen e ftesës për anëtarësim e shikon si fillimin e një procesi intensiv pune dhe angazhimesh, që lidhen si me negociatat ashtu dhe me përmbushjen e detyrave dhe objektivave nga ana e Forcave te Armatosura deri në anëtarësimin e plotë në Aleancë”. Sipas tij “pavarësisht nga këto arritje, procesi i reformave dhe transformimit do të vazhdojë edhe pas Bukureshtit me synim final krijimin e një ushtrie të vogël profesioniste, të mirëstërvitur, mirëpajisur, mirëtrajtuar dhe të denjë të plotësojë misionin e saj, brenda dhe jashtë vendit”. Oketa ka vlerësuar edhe rolin e Forcave të Armatosura, veçanërisht në ngjarjen e Gërdecit.

“Shpresoj se do e merrni ftesën”

Në prag të nisjes së punimeve të Samitit të Bukureshtit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de hop Scheffer është optimist për marrjen e ftesës nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia.

Duke folur pak para udhëtimit për në kryeqytetin rumun, ku sot do të nisin punimet e Samitit të Aleancës Ushtarake Veri-Atlantike, Scheffer tha se shpreson se tre vendet e Kartës Adriatik 3 do të ftohen për t’u bërë pjesë e saj. “Unë shpresoj dhe theksoj fjalën shpresoj që rezultati të jetë ftesë për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë”, tha dje Scheffer. Sipas mediave të huaja, vendi që rrezikon më shumë ftesën është pikërisht Maqedonia, ndërkohë që Kroacia shihet si vendi që tashmë e ka zyrtarizuar marrjen e saj. Ndërkohë në një intervistë për gazetën rumune “Romania libera” Schefer ka deklaruar se në samitin e NATO-s do të jepen tri ftesa. “Këtë e pres edhe unë nga takimi, me një kusht para kësaj të gjendet zgjidhje për çështjen e emrit, e cili nuk është në kompetencë të NATO”, ka thënë Schefer. Lidhur me problemet e Greqisë me Maqedoninë, për shkak të emrit të kësaj të fundit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha se 72 orët që kanë ngelur mund të japin një zgjidhje edhe për këtë problem. “Edhe 72 orë mjaftojnë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit. Përvoja më mëson se edhe 72 orë janë të mjaftueshme për gjetjen e zgjidhjeve politike”, theksoi më tej Scheffer. Deklaratat optimiste të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, vijnë pas konfirmimit nga ana e zëdhënësit të Aleancës, Xhejms Apathuraj, i cili tha se pavarësisht problemeve të Maqedonisë për shkak të emrit, vlerësimi për secilin vend do të jetë individual, çka rrit shpresat e Shqipërisë për marrjen e saj. I pyetur për mundësinë e mosmarrjes së ftesës nga ana e Shqipërisë për shkak të problemeve të ndonjë vendi fqinj, Apaturaj u shpreh se, “secili vend gjykohet mbi meritat individuale dhe ky mendoj se është parimi që do të ndjekin krerët e shteteve dhe qeverive në momentin që do të marrin vendimin e tyre”. Ndërkohë, për vlerësimin e reformave në Shqipëri pritet të mos ndikojë as shpërthimi i Gërdecit, i ndodhur dy javë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›