E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka skeptik: Nuk i zë besë ministrit

• Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit është skeptik për sa i përket sinjaleve pozitive që dha dy ditë më parë ministri Pango, teksa tha se do ta firmoste statutin, megjithëse me rezerva.

Jetmir Halilaj

Armand Duka u shpreh se kreu i MTKRS në disa momente gjatë deklaratës së tij e deformoi të vërtetën dhe kjo, sipas tij, nuk është aspak serioze. Duka tha se ka besim të plotë te presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, duke pohuar se ndërhyrja e këtij të fundit ka luajtur një rol pozitiv në zbutjen e situatës.
Cili është komenti juaj pas deklaratës së ministrit Pango, i cili tha se çështja do të zgjidhet shpejt e se ai do firmosë statutin?
Unë shpresoj që ministri të plotësojë kërkesat e bëra nga FIFA, që futbolli shqiptar të rikthehet në arenën ndërkombëtare. Për sa i përket deklaratës së ministrit, unë nuk iu besoj shumë atyre, pasi me aq sa dëgjova, ministri në disa raste e deformoi të vërtetën.
Në cilat raste?
Kur tha se kishte folur me këshilltarin juridik të FIFA-s, Zherom Shampanj dhe se e kishte informuar atë edhe për disa gjëra, të cilat zyrtarit të FIFA-s nuk i kishin shkuar në mënyrë korrekte. Kjo është tërësisht e pavërtetë, pasi Shampanj pak ditë më parë doli para medias për të diskutuar enkas për Shqipërinë dhe të gjithë e morëm vesh se çfarë tha dhe se çfarë kërkoi. Shampanj tha shprehimisht se Shqipëria u pezullua për shkak të sulmeve politike në adresë të FSHF-së dhe se FIFA e kishte paralajmëruar shtetin shqiptar, por me sa duket ka pasur nga ata që nuk e kanë dëgjuar mirë këtë. Mua më vjen keq kur dëgjoj ministrin teksa thotë që po e firmos statutin me këtë rezervë, apo sugjerim. Ai do ta firmosë atë, sepse duhet ta firmosë dhe kjo dihet nga të gjithë dhe nuk është nevoja që të bëjë manovra të tilla, për të justifikuar atë çfarë ndodhi.
Sa ka ndikuar ndërhyrja e presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, në zbutjen e toneve mes palëve?
Unë mendoj se ndërhyrja e presidentit ka pasur një ndikim pozitiv në këtë mes dhe kam shumë besim se z.Topi do të gjejë një zgjidhje substanciale të situatës, pasi besoj se impenjimi i tij për të mirën e futbollit ka qenë gjithnjë maksimal dhe serioz. E përsëris edhe njëherë, se kam shumë besim tek presidenti i Shqipërisë, por jo tek ministri Pango.
A do të ketë një takim me presidentin Topi e ministrin Pango të shtunën?
Unë nuk di asgjë për këtë, sepse nuk më ka informuar askush.
Nëse do t’ju njoftonin, a do të pranonit të shkonit?
Sigurisht që po. Unë jam i hapur për të biseduar dhe për të diskutuar me cilindo qoftë për çështje që i shërbejnë futbollit dhe sportdashësve.

Pango tërhiqet: Do e firmos statutin

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, është gati të firmosë statutin e FSHF-së, që është edhe një nga kërkesat që FIFA i ka bërë këtij institucioni për të hequr pezullimin ndaj futbollit shqiptar. “Shqipëria nuk do të përjashtohet. Kjo gjë nuk do të ndodhë, sepse pasi kam folur me z. Shampanj, gjatë bisedës i kam thënë: ‘Zotëri, unë nuk mund të firmos të vetmin nen, i cili bie në kundërshtim me çdo ligj’. Ndërsa ai m’u përgjigj: ‘Atëherë mund të ketë një zgjidhje. Ju firmoseni statutin dhe lini rezervë që në mbledhjen e asamblesë ky nen të shikohet’. – ‘Këtë, i thashë, - mund ta gjykojmë’. Pra, po e theksoj edhe një herë, se kam bërë maksimumin për të gjetur mirëkuptimin përsa i përket statutit dhe jam i pari ministër pas katër ministrave që firmos një statut të pafirmosur. As ministrat socialistë, as ministrat demokratë. Këtë e bëra jo për hir të Dukës. Kam informuar vazhdimisht kryeministrin, sepse në fund të fundit jam ministër i emëruar prej tij, e kam bërë për hir të futbollit shqiptar dhe, që të mos më mbetej mua kjo njollë, po e them hapur para gjithë shqiptarëve, që nuk dua që të pezullohet futbolli shqiptar qoftë edhe për një muaj”, u shpreh Pango në emisionin “Top Show”. Ministri Pango ka thënë se neni 53 është i vetmi nen i statutit të FSHF-së, të cilin nuk e ka pranuar. “Është e çuditshme, por ky nen që është i vetmi nen i statutit, që unë nuk e kam pranuar, nuk ekziston tek asnjë federatë futbolli evropian dhe botëror. Ai thotë shprehimisht: ‘Federata Shqiptare e Futbollit është pronare ekskluzive e të gjithë të drejtave që rrjedhin nga aktivitetet nën juridiksionin e saj, pa kufizim në kohë, në vend, në përmbajtje dhe në ligje’. Neni 53 i amenduar në nenin 60 është i njëjti nen, por është për FIFA-n, nuk është për FSHF-në. Është njëlloj sikur një atribut të NATO-s, që e ka për të ndërhyrë në raste emergjente, ta ketë dhe Shqipëria nesër, meqë është e NATO-s. Nuk e ka këtë të drejtë asnjë federatë e veçantë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›