E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deutsche Telekom ble AMC-në

Pas shumë raundesh negociatash të vështira me qeverinë greke, gjiganti gjerman i telefonisë, Deutsche Telekom, ka arritur që dje të bëhet aksioneri kryesor i Telekomit Grek, i cili zotëron dhe shoqërinë celulare Cosmote. Me këtë marrëveshje, gjiganti gjerman, që është edhe kompania më e madhe e telefonisë në Evropë, bëhet pronari direkt i kompanisë lider në tregun shqiptar të telefonisë celulare, AMC. Në bazë të marrëveshjes, Deutsche Telekom do i paguajë qeverisë greke 442.3 milionë euro për blerjen e 3 për qind të aksioneve që ajo zotëron te Hellenic Telecom Organisation,(OTE). Qeveria greke zotëronte 28 për qind të OTE-s dhe me marrëveshjen e djeshme kuotat e saj bien në 25 për qind. Ndërkohë, drejtuesit e shoqërisë gjermane njoftuan se shumë shpejt do të blejnë në bursë edhe 2 për qind të aksioneve të OTE-s. Deutsche Telekom arrin kështu që brenda më pak se 2 muajsh të zotërojë paketën mazhoritare të aksioneve të shoqërisë OTE, pasi kishte blerë në mars 20 për qind të aksioneve të saj nga Marvin Investment Group. Në transaksionet e fundit, si qeveria greke ashtu dhe Deutsche Telekom do të kenë nga 25 për qind të aksioneve në OTE. Por, marrëveshja parashikon që gjermanët të kenë të drejtën e vendosjes së drejtorit ekzekutiv, ndërsa qeveria greke atë të menaxherit të përgjithshëm, çka u jep atyre dhe nga një aksion plus. Të dyja palët zotërojnë kështu 50 për qind, plus dy vota.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›