E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija përplasin Financat me zv/guvernatorin

Njëra nga temat e diskutimit në Forumin e Crans Montana-s, të zhvilluar dje pasdite ishte dhe tregu financiar në vend, duke marrë shembuj nga rastet e vendeve të huaja, që po preken nga kriza e likuiditetit. Në fakt, përplasja mes dy institucioneve erdhi pas fjalimit të mbajtur nga zv/guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi, sipas të cilit, rritja e nivelit të kreditimit në vend, në masën 60 për qind, ka sjellë rritje të kredisë me risk, e për këtë arsye BSH, sikurse ka vepruar herët e kaluara, do të marrë një sërë masash për ta frenuar këtë impakt negativ për bankat. Por nuk ishte i të njëjtit mendim ministri i Financave, Bode, sipas të cilit, Banka e Shqipërisë nuk duhet të shikojë si të vetmin objektit të ruajtjes së inflacionit, rritjen e normës bazë të interesit, si rrjedhojë shtrenjtimin e kredive, pasi do të ulte ndjeshëm financimin për sektorin privat. Por, Ibrahimi në fjalën e tij theksoi se biznesi zë pjesën prej 63 për qind të totalit të kredisë për vitin që shkoi dhe kjo tregon rëndësinë që i kanë kushtuar bankat financimit të këtij sektori. "Çështja bie te kredia e keqe, pra kreditë me risk, të cilat për vitin që shkoi arriti në 3.4 për qind, nga 2.5 për qind që ishte në 2005-ën, ndaj totalit të tepricës së kredisë. Nisur nga kjo, BSH po merr masat e nevojshme për mbikëqyrjen e tregut dhe për këtë do të nxjerrim një set rregulloresh", tha Ibrahimi. Duke u shprehur se tregu bankar po zhvillohet me ritme të shpejta, zv/guvernatori theksoi rëndësinë që ka reformimi i sistemit financiar në vend, në mënyrë që të mos krijohen situata si ato në SHBA me tregun e banesave. "Bankat në SHBA jepnin kredi pa masë, e kjo solli rritje të çmimit për banesat, duke dëmtuar kolateralin si garanci për sistemin. Druhemi se kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri, nëse nuk marrim masat për frenimin e ritmit të rritjes së kreditimit", tha Ibrahimi. Ndërsa ministri u shpreh se bashkohej me shqetësimin e BSH-së, por, nga ana tjetër, vuri në dukje se kostoja e lartë e ndërmjetësimit në bankë po sjell pengesa serioze për bizneset në kuadrin e investimeve. "Frenimi i kreditimit do të ishte më mirë të arrihet nëpërmjet një pike ekuilibri, në një linjë të drejtë për të dyja palët", shtoi ministri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›