Miratohet "Falimenti" dhe "Procedurat tatimore"
Parlamenti i Shqipërisë miratoi dje dy projektligjet më të rëndësishme të sistemit tatimor, atë "Për falimentin" dhe "Procedurat tatimore". Në votimin e dy projektligjeve nuk morën pjesë deputetë të opozitës, me pretekstin se draftet duheshin riparë edhe një herë tjetër, në mënyrë që të merren në konsideratë propozimet e biznesit. Braktisja e Parlamentit nga opozita u bë në çastin kur do të diskutohej projektligji "Për falimentin", shumë i kundërshtuar nga biznesi, për mënyrën sesi forcohen atributet e tatimorëve në nisjen e procedurave të falimentit në gjykatë për subjektet që nuk kanë shlyer taksat për të paktën dy vjet rresht, ose nuk kanë aftësi paguese ndaj të tretëve. Bizneset pretendojnë se me ligjin e ri qeveria po ndërhyn në disa çështje që rregullohen individualisht mes ortakëve në gjykatë dhe jo të jenë tatimorët të vendosin për fatin e një aktiviteti privat. Por, ministri i Financave e ka quajtur ligjin e ri si më të mirin e mundshëm, i cili pastron tregun nga bizneset që nuk kanë më se çfarë të ofrojnë, por që mbahen me borxhe. "Tashmë nuk mund të kemi më biznese të ministrave dhe të funksionarëve të lartë, që konkurrojnë në mënyrë të pandershme në treg, nuk mund të kemi zyrtarë të lartë apo funksionarë politikë, qoftë dhe deputetë, që të mund të konkurrojnë në mënyrë të pandershme në treg", tha në ministri në momentin para votimit. Pas kësaj, deputetë të Parlamentit nisën votimin për një tjetër ligj, po aq i diskutuar sa i pari, ai i "procedurave tatimore", ose ndryshe "ligji i gjobave". Pa dashur të kundërshtonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit të parapagimit të gjobës 15 për qind, ministri i Financave tha se "Kushtetuesja e mori një vendim të tillë në një kohë kur në vitin 2003 ishte shprehur për të njëjtën çështje në një formë tjetër". Sipas ministrit, në asnjë vend të botës nuk mund të ndodhë që gjykata të bllokojë veprimet administrative. Ministria e Financave prej kohësh ka hedhur idenë e heqjes së shkallës së tretë të apelimit për vendimet administrative, në mënyrë që biznesi të mos ketë kontakte me gjyqësorin për të tilla çështje. Nga vendimet e gjykatës pro biznesit ndaj vendimeve tatimore, po e vuan dhe Autoriteti i Konkurrencës, i cili nuk po ushtron dot kompetencat e tij pa penalitetet. "Ka vendime të administratës tatimore të vitit 2001, jemi në vitin 2008 dhe ende nuk janë zbatuar. Kanë ndjekur ciklin e ankimimit tri herë një kompani nga Gjykata e Shkallës së Ulët, deri në Gjykatën e Shkallës së Lartë, vetëm e vetëm për të shtyrë në kohë që të bëhen 6 vjet dhe, sipas tyre, mund të fshijnë detyrimet e tyre", tha Bode. Ministria e Financave është dakord që të mos parapaguhet gjoba, por ngre pretendimin që Kuvendi të shprehë në mënyrë të qartë në ligj, që nuk mund të ketë pikë kontakti midis një akti administrativ dhe veprimtarisë së gjykatave.