QSUT, pacientët vuajtësit e konfliktit Ndoka-Pepa
Pacientët vuajnë krizën e ilaçeve, nuk kanë pajisje për t‘u diagnostikuar. Mjekët, nga ana tjetër, bërtasin e thërrasin se QSUT-ja po shkatërrohet, nuk bëhen analiza, po degradon qendra më e madhe universitare e vendit. Të gjithë janë në një gojë, kur diskutohet problemi kryesor: mosrealizimi i tenderave. Por se i kujt është faji asnjë nuk e kupton. Administrata e "Nënë Terezës" ka sqaruar se lista e tenderave që duhet të zhvillohen kanë mbërritur në spital vetëm pak kohë më parë edhe pse problemet me ilaçet janë të kahershme. Por ministria nga ana tjetër ka deklaruar se faji për mosrealizimin e tenderave është i drejtorit, që nuk ka zbatuar urdhrat e ministrit për rregullimin e problemeve në QSUT. "Ministria e Shëndetësisë bën përgjegjës drejtorin e QSUT për faktin se gjatë vitit 2007 shënoi një shifër rekord mosrealizimesh të investimeve, rreth 3.5 herë më pak sesa plani vjetor. Konkretisht, QSUT nuk arriti të kryejë procedurat e rregullta ligjore për prokurimin e pajisjeve mjekësore me vlerë 189 milionë lekë, blerje litrotriptori me vlerë 55 milionë lekë, blerje skaner me vlerë 60 milionë lekë, pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë me vlerë 60 milionë lekë, blerje pajisje endoskopie me vlerë 9 milionë lekë, blerje pajisje informatike me vlerë 21 milionë lekë", deklaroi zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Por drejtori i QSUT-së ka deklaruar se tenderat QSUT-ja di t‘i bëjë shumë mirë, por Ministria e Shëndetësisë nuk ka nisur asnjë procedurë tenderimi. Sipas Mati Pepa, QSUT-ja ka gati 11 procedura, por komunikimi mes dy hallkave nuk ka qenë i duhuri. "Unë dërgoj disa shkresa rresht ku i them se mund të vihemi në vështirësi për medikamente që më datë 22.2.2008. Më pas në datën 4.4.2008 i kërkoj të marr masa", thotë Pepa. Përgjigjja e ministrit, sipas tij, ka qenë një letër dy gisht ku thuhej se: "Na jepni ilaçet emër për emër".