Devenport: Beogradi t`i kthehet dialogut me Prishtinën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Michael Davenport, duke folur për situatën e komplikuar në veri të Kosovës, i ka bërë thirrje Beogradit t`i kthehet dialogut me Prishtinën, sepse sipas tij, vetëm bisedimet janë mjeti më i mirë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet dy palëve.
Ndërkaq lidhur me pretendimet për ndarjen e Kosovës, ai tha se pozicioni i qeverisë britanike është se “statusi i Kosovës tashmë është zgjidhur” dhe se vendi i tij e ka njohur Kosovën në kufijtë e saj kushtetues në shkurt të vitit 2008 dhe nuk beson se ky vendim mund të ndryshojë.
Ai shtoi se kërkesat për zgjidhjen e problemeve ekzistuese duhet të zhvillohen në disa drejtime të tjera.
Ndërsa lidhur me “shpresat” e disa zyrtarëve serbë për ngritjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën, që sërish do të vendoset për statusin e Kosovës, Davenport tha se i janë të njohura “tekstet dhe spekulimet” e tilla në shtypin serb për njëfarë konference të këtij lloji, por nuk ka ndonjë propozim formal në këtë drejtim dhe as që ky është pozicion i qeverisë serbe.
Por ai thotë se duhet fokosuar në hapat praktikë që duhet ndërmarrë në mënyrë që përmes dialogut të gjenden zgjidhje për probleme praktike dhe kështu të përparohet jeta e qytetarëve të Kosovës.
Sa i përket qëndrimit të kancelares gjermane e cila i ka bërë me dije presidentit serb se duhet të heqë dorë nga veriu i Kosovës, ambasadori britanik tha se çdo vend që ka synim anëtarësimin në BE duhet patjetër të përmbushë të gjitha kriteret e Kopenhagës. "Serbia duhet të ketë bashkëpunim konstruktiv me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë edhe Kosovën, tha ai, duke shtuar se Londra dëshiron të shohë “lëvizje pozitive dhe përkushtim të sinqertë të Serbisë në dialogun me Kosovën”.
“Duhet të bindemi që Serbia po bën përpjekje të sinqertë edhe në zgjidhjen e problemit lidhur me veriun e Kosovës”, nënvizoi ambasadori britanik në Beograd.