Devijon Osumi, rrezikohen fshatrat
Shfrytëzimi pa kriter i inerteve në lumin Osum me gjithë urdhrin e dhënë për ndërprerjen e aktivitetit gjatë kësaj periudhe ka shkaktuar devijimin e shtratit të lumit. Banorët e fshatrave të Komunës së Velabishtit ankohen se ndihen të kërcënuar nga dalja nga shtrati dhe prurjet e shumta të këtij lumi, i cili ka dëmtuar tokat me të mbjellat e stinës dhe vënë në rrezik banesat e tyre. Janë banorët e fshatit Bilçë të cilët kanë ngritur zërin duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga pushteti vendor, pasi ujërat e Osumit po u rrëmbejnë tokat dhe vënë në rrezik banesat. Në lidhje me këtë problem, kryetari i Komunës së Velabishtit, Bledar çili, shprehet se: “Gjendja është tepër alarmante në të gjithë fshatrat e kësaj komune që përshkohen nga lumi Osum si fshatrat: Bilçë, Veterrik, Remanic, Velabisht. Përveç reshjeve të mëdha të shiut dëme ka shkaktuar dhe puna e lavatriçeve që kryejnë aktivitet dhe në stinën e dimrit, ndonëse kjo është e ndaluar nga qeveria. Ndihem i pafuqishëm për të përballuar këtë situatë të krijuar në komunë dhe kërkoj ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë”. Ndërkohë, burime nga Prefektura e Beratit bëjnë të ditur se urdhri për bllokimin e firmave të nxjerrjes dhe përpunimit të inerteve është dhënë para disa muajsh, por nuk kanë dijeni që ato kryejnë aktivitet në këtë periudhë. Prefektura nuk ka kryer inspektim, duke e lënë në ndërgjegjen e firmave zbatimin e urdhrit.
#