E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diga e hidrocentralit të Banjës, në kuotë kritike

Elbasan Shkumbini dhe Devolli rrezikojnë të dalin nga shtretërit

Situatë emergjente në rezervuarin e hidrocentralit të Banjës, për shkak të mbushjes në kuotat kritike të lartësisë së ujëmbledhësit. Reshjet e dendura të shiut kanë shtuar prurjet në lumenjtë Shkumbin dhe Devoll dhe për pasojë zonat që shtrihen përgjatë këtyre lumenjve kërcënohen seriozisht nga dalja e tyre prej shtratit. Kështu, një shtyllë e tensionit të lartë e linjës Shqipëri-Greqi është gati të rrëzohet në jug të fshatit Shushicë. Valët e lumit Shkumbin, tashmë kanë mbuluar pjesën e themelit prej hekuri e betoni të shtyllës dhe rreziku i shembjes së saj mbetet evident. Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, deklaroi se të gjithë specialistët e sektorit të emergjencave kanë shkuar atje në mënyrë që të merren masat e ndërhyrjes së shpejtë. Ndërkohë, një rast tjetër analog ka ndodhur në fshatin Uruçaj të Peqinit, ku një shtyllë e tensionit të lartë është rrëzuar nga prurjet e Shkumbinit. Për pasojë rrethit i Peqinit gjatë ditës së djeshme, nuk ka pasur energji elektrike. Ndërkohë, rrëshqitjet e tokës rrezikojnë dhjetëra shtëpi në fshatin Karkavec, Komunë Librazhd-Qendër, lagjen periferike të Librazhdit, dy fshatra në rrethin e Peqinit, si dhe një lagje në fshatin Jagodinë të Komunës së Shirgjanit në Elbasan. Rruga nacionale Elbasan–Cërrik-Gramsh është bllokuar nga prurjet e ujit të lumit Devoll, i cili ka përmbytur urën buzë rezervuarit të Banjës dhe lëvizja e mjeteve bëhet në aksin rrugor të vjetër Elbasan–Llixha-Gramsh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›