Pushojnë shirat, bien prurjet në Drin
Gjatë katër ditëve të fundit në rajonin e Verilindjes ka pasur reshje të dendura shiu dhe dëbore, kryesisht në lartësinë mbi njëmijë metër mbi nivelin e detit. Si rezultat i këtyre reshjeve dy ditë më parë u shtuan tej mase prurjet në lumin Drin, si dhe në lumenj të tjerë duke arritur deri në 1400 metër kub për sekondë, një rritje drastike që ka rrezikuar përsëri një përmbytje në zonën e Nënshkodrës dhe në Lezhë. Ndërkohë që niveli i liqenit të Fierzës arrin në kuotën 291,8 metra mbi det, pak më shumë se 4 m nga kuota maksimale që është 296 m. Por ndërprerja e shirave gjatë 24 orëve të fundit ka çuar në ulje të nivelit të prurjeve me rreth 500 metra kub në sekondë, aq sa është dashur të shkarkohen nga tuneli i sigurisë nëse reshjet do të vazhdonin. Mëngjesin e së hënës prurjet kanë qenë më pak se një mijë metra kub me tendencën e rënies së mëtejshme. Gjithsesi, nga dy hidrocentrale fundore të kaskadës së Drinit këto ditë është shkarkuar një sasi prej rreth 500 metrash kub për sekondë, si nga Vau i Dejës ashtu edhe nga ai i Komanit, për të ruajtur kuotën e emergjencës, që rrezikohej të tejkalohej nga prurjet e mëdha.
#