E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim nga shkëndija, mendohej për eksploziv

Hetimet

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur dy net më parë në Tiranë, ku fillimisht është menduar për eksploziv, ndërsa më vonë ka rezultuar se shpërthimi ka ardhur nga një shkëndijë elektrike. Ngjarja ka ndodhur te “pallatet malajziane” te Rruga e Durrësit. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, rreth orës 19:00, ata janë njoftuar se në katin e tretë të kullës nr. 6, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm, që mendohej si eksploziv. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 3 si dhe ato të kundër akteve terroriste. Aty kanë konstatuar se nga shpërthimi ka pasur shumë dëme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur të dëmtuar në njerëz. Policia është vënë në dijeni se shpërthimi ka sjellë dëme të konsiderueshme në banesën e Enderim L., 34 vjeç, i cili është marrë në pyetje nga policia. Ai ka deklaruar se nuk kishte asnjë konflikt dhe punonte si shofer me makinë private. Ai ka shpjeguar se në shtëpi ndodheshin disa punonjës, pasi po kryente rregullime në apartamentin e tij. Policia ka marrë në pyetje edhe banorë të tjerë të pallatit, por ka rezultuar se nuk kishte ndonjë konflikt të mundshëm. Duke u nisur nga këto fakte, hetimet në vendin e ngjarjes kanë vijuar më shumë dhe nga ekspertiza ka rezultuar se shpërthimi ka ardhur nga një shkëndijë elektrike edhe për shkak të përzierjeve të materialeve të ndryshme. Materialet referuese i janë dërguar prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›