E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet argjinatura e Devollit, uji mbulon fushën e Maliqit

Korçë Nis thellimi i shtratit të lumit për të shmangur zgjerimin e “hartës” së përmbytjes

çarja e argjinaturës së lumit Devoll në zonën e Sheqerasit ka çuar në avancimin e mëtejshëm të përmbytjeve në fushën e Maliqit. Aktualisht, sipërfaqja e tokave bujqësore të pushtuara nga uji gati është dyfishuar, duke prekur disa komuna dhe dhjetëra fshatra. Sipas shtabit të emergjencave civile dhe Prefekturës së Korçës, fryrja e lumit Devoll me një metër më shumë nga prurjet e fundit ka çuar në përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë që dje një ekip i Prefekturës së Korçës dhe shtabit të emergjencave civile, bordit të kullimit dhe Drejtorisë së Bujqësisë, kanë inspektuar nga afër situatën në lumin Devoll. Sipas prefektit Andrea Mano, situata në këtë zonë është nën kontroll për sa u përket prurjeve të lumit Devoll dhe po punohet për të mos lejuar zgjerimin e hartës së tokave nën ujë. Sipas tij pritet të çelet një fond për të bërë sa më shpejt kullimin e këtyre sipërfaqeve. “Situata është nën kontroll. Kemi pasur një problem me çarjen e argjinaturës së lumit Devoll në një pjesë, që ka pasuar përmbytjen e disa hektarë toke. Ndërkohë, do të punojnë për të thelluar më tej shtratin e lumit. Një tjetër problem qëndron edhe në faktin se kemi të bëjmë me një zonë trofike dhe nga djegia e tokës niveli i saj bie vazhdimisht duke qenë nën nivelin e ujërave nëntokësore. Megjithatë, në 30 vitet e fundit nuk ka pasur një situatë të tillë kaq të rënduar dhe po marrim masa për përballimin e kësaj situate”, tha prefekti Andrea Mano.

Përmbytjet në fushën e Maliqit kanë sjellë dëme të pallogaritshme për bujqësinë, por fatmirësisht nuk janë prekur banesat. Sipas të dhënave nga komunat deri më tani janë 2500 hektarë sipërfaqe të mbuluara nga uji. Më konkretisht janë zonat e Sheqerasit, Maliqit, Drithasit, Libonikut, Vreshtasit, Podgories, Koritës dhe Sovjanit. Situata është përkeqësuar më tej nga shkrirja e dëborës ndërsa kanalet dytësore janë të gjitha të bllokuara duke mos lejuar kullimin e këtyre tokave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›