Pensionisti: 4 ditë në radhë dhe ende nuk kam aplikuar
Kukësi është një nga qarqet që po vuan jo vetëm procesin e aplikimit me pasaporta biometrike, por edhe me karta identiteti. Ky proces po kthehet në një stres të vërtetë për aplikantët. Banorë nga zona të thella të Kukësit, ku tashmë nuk ka qendër aplikimi, detyrohen të presin me ditë të tëra për t’u pajisur me kartë identiteti dhe më pas me pasaportë biometrike. Në zyrën e aplikimit në Kukës punon vetëm një specialist, i cili, siç pohon edhe vetë jozyrtarisht, nuk mund të përballojë fluksin e njerëzve. Situata e radhëve të gjata deri në ditë të tëra është krijuar në Kukës që nga fundi i dhjetorit të vitit të shkuar, ku institucionet publike nisën të mos pranojnë më certifikatat e gjendjes civile. Një shtetas nga Komuna Topojan, 30 km larg Kukësit, tregon se ka udhëtuar në Kukës 4 ditë rresht dhe akoma nuk ka mundur të aplikojë për kartën e identitetit. “U bënë katër ditë që vij këtu për të aplikuar për kartë identiteti dhe nuk kam mundur të aplikoj. Vazhdimisht gjej radhë të gjatë, më thonë thjesht prit radhën”, tregon burri 67 vjeç nga Topojani, duke shtuar se radha shpesh prishet nga njerëz që hyjnë në qendrën e aplikimit nga dritarja, sepse njohin policin e shërbimit ose ia kanë frikën. “Kështu nuk ecet, akoma nuk e kam marrë as pensionin e janarit”, thotë 67-vjeçari, duke shprehur pakënaqësinë edhe ndaj zyrës së pensionit që nuk ia njeh pasaportën e vjetër. Një banor tjetër nga Komuna Bushtricë thotë se ka ardhur tri ditë në Kukës, por nuk ka arritur të aplikojë. Ai ka udhëtuar bashkë me gruan dhe nusen e djalit që është emigrant, si dhe me vajzën e vet, të cilat më në fund duket se kanë zënë radhë, por shpejt vjen orari i mbylljes dhe ata ikin të dëshpëruar. Zyra e aplikimit, si për ironi ka shkurtuar orët e shërbimit në qendrën e aplikimit, në kohën kur njerëzit kërkonin shtim personeli. Nga ora 09.00 deri në 13.30 pranon aplikimet, ndërsa më pas nëpunësi punon edhe tri orë pasdite në Komisariatin e Policisë, ku shpërndan pasaportat biometrike.
#