E Diel, 1 Nëntor 2026

Devis Mukaj: Jam këtu për të rikthyer Tiranën pretendente

Rikthehet kapiteni Devis Mukaj dhe bashkë me të edhe rezultatet te Tirana. Kishte tre muaj që nuk luante në një ndeshje zyrtare, që nga përballja e parë në Champions me norvegjezët e Stabaek, menjëherë merr në dorë frenat, si një lider i vërtetë. "Jam këtu për ta nxjerrë Tiranën nga kjo gjendje", thekson ai. Mungesa e tij ishte ndjerë shumë në këtë fillim kampionati. Aktivizimi i tij ndaj Teutës duket se ia lehtësoi punën Tiranës në fitoren 2-0. Tifozët e duartrokitën atë personalisht kur u zëvendësua në minutën e 82-të, por gjatë gjithë ndeshjes kanë ofenduar pjesën tjetër të lojtarëve për paraqitjen jo të mirë gjatë këtij fillimi sezoni. Kjo e fundit e prekur disi kapitenin, i cili u bën thirrje tifozëve ta mbështesin skuadrën edhe në ditë të vështira, jo vetëm në të bukurat, ndërsa konfirmon se objektiv mbetet vetëm titulli, nga i cili nuk do të heqin dorë deri në fund.

"Teuta luajti e vendosur mirë dhe kur një skuadër luan gjatë gjithë kohës në mbrojtje, është e vështirë të fitosh, sqaron kapiteni episodet e lojës. Vonesa e golit të parë na solli disa vështirësi në funksionimin e lojës. Por pasi shënuam golin e parë, kishim gjithçka nën kontroll. Mund të them se ky ishte një trepikësh mjaft i rëndësishëm për vazhdimësinë, nisur dhe nga fakti se Dinamo u ndal në Korçë. Tani ndjehemi më të qetë dhe kemi besim se do ta ngushtojmë diferencën e pikëve javë pas jave, deri sa të kapim kreun. Trepikëshi i fundit është shpresëdhënës.

Mos harrojmë se në javët e ardhshme na kthehen titullarët e tjerë të munguar, kështu që bëhemi më të fortë. Edhe loja do të përmirësohet, por gjithçka kërkon kohën e duhur. Rëndësi ka që bëmë kthesën", shprehet Mukaj. Për kapitenin, tifozët janë një pjesë e rëndësishme e klubit. Vlonjati ka besim se tifozët do të vijojnë ta mbështesin ekipin. "Tifozët janë pjesë e rëndësishme e suksesit tonë. Ndonjëherë na kritikojnë, në mënyrën e tyre, por në fund s‘kanë si të mos na përgëzojnë kur ne fitojmë ndeshjet. U premtoj se kjo Tiranë është për titull dhe do të luajë deri javën e fundit me këtë qëllim", përfundoi kapiteni bardheblu.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›