Sulmohet banka, thyhet xhami i blinduar
FUSHË KRUJË
FUSHË KRUJË- Dështon tentativa për grabitjen e filialit të një banke në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur disa persona kanë arritur që të thyejnë derën e filialit të bankës. Por pas alarmit të dhënë prej teknikës së montuar në brendësi të bankës, ata janë larguar me vrap për t'i shpëtuar kapjes në vendin e krimit. Sipas burimeve të policisë, persona te paidentifikuar kane tentuar te grabisin bankën por menjëherë është aktivizuar alarmi dhe autorët janë larguar, pa mundur të marrin asgjë. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes nuk kanë gjetur njeri, por pas kontrollit të bërë janë konstatuar xhamat e krisur me mjete të forta në pjesën e derës. Pasi janë thirrur edhe rojet e sigurisë së bankës kanë vënë në punë kamerat e vëzhgimit por rezultati ka qenë jo i kënaqshëm, pasi nuk kishte asnjë lloj filmimi. Ekspertët kanë hedhur edhe hipotezën se nuk ka qenë tentativë për grabitje por mund të ketë ndodhur pasi ka kaluar ndonjë makinë, e cila ka bërë që të kërcejë ndonjë gur në kalim e sipër. Ky i fundit mund të ketë çarë edhe xhamin e derës së blinduar. Megjithatë policia ka filluar hetimet pasi mund te jenë përdorur edhe metoda të sofistikuara për t'iu shmangur filmimeve të kamerave.