E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, pranga hajdutëve të kasetofonëve

DURRËS- Policia e Durrësit ka arrestuar dje dy persona që prej kohësh ishin kthyer në tmerrin e pronarëve të makinave duke grabitur kasetofonë. Të arrestuarit po ndiqeshin prej muajsh nga policia, e cila vetëm dje ka mundur që ti prangosë. Sipas policisë, të arrestuarit, të dy nga 17 vjeç, kanë lindur në Tiranë dhe Selanik. "Arrestimi tyre u krye për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në qytetin e Durrësit, kanë kryer disa vjedhje në automjete duke marrë kasetofonët e tyre",- thanë burimet e policisë. Sipas tyre, ata kanë qenë nën vëzhgim dhe janë prangosur në momentin që donin të kryenin vjedhjen e radhës. Ata kanë mundur që ti shmangen policisë në fillim por janë arrestuar disa minuta më pas në shtëpitë e tyre në Tiranë. Hetuesit thanë se deri më tani janë provuar të paktën tetë vjedhje të kryera nga të rinjtë në qytetin e Durrësit. Pas vjedhjeve, ata ktheheshin në Tiranë ku bënin edhe shitjen e kasetofonëve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›