Plagoset rëndë ne shkopinj bejzbolli i riu
Alban Hyseni, 30 vjeç, nga Tirana, u sulmua nga një grup personash pranë presidencës
Autorët mbeten ende të paidentifikuar nga policia, ndërsa gjatë sulmit ata i dëmtuan edhe automjetin e tij "Porshce Cayenne"
TIRANE- Sulmohet me shkopinj bejsbolli dhe sende të tjera të forta nga një grup të rinjsh një person rreth të 30-ve, ndërsa autorët e sulmit i dëmtojnë edhe automjetin e tij, të markës "Porsche Cayenne", me targa amerikane.
Alban Hyseni, banues në Tiranë, mbeti i plagosur rëndë të premten në mbrëmje rreth orës 22:30, në rrugën "4 Shkurti", pranë godinës së presidencës.
Ende nuk dihen motivet e sakta të ngjarjes, por burimet e policisë e lidhin ngjarjen me një konflikt të tij me një person të ndodhur një javë më parë në kryeqytet. Hyseni pak minuta para se të ndodhte sulmi ndaj tij, ka dalë nga.............................. që ndodhet në rrugën "Perlat Rexhepi" dhe në momentin që është sulmuar ka qenë duke ecur në këmbë në drejtim të selisë së Presidencës.
Por sulmuesit e 30- vjeçarit nuk janë mjaftuar me dhunën e ushtruar ndaj Hysenit, pasi një pjesë e agresorëve është larguar për të dëmtuar makinën e tij tip "Porche", "Cayene" me ngjyrë të zezë, duke i thyer xhamin e parë dhe të pasmë, pak metra larg ku ndodhi ngjarja e rëndë. Dëshmitarë të kësaj ngjarje përveç kalimtarëve të rastit janë bërë dhe klientë të lokaleve përreth zonës ku ndodhi sulmi ndaj Alban Hysenit.
Policia e kryeqytetit me marrjen e njoftimit ka mbërritur në vendngjarje, por pa arritur që të ndalojë asnjërin prej sulmuesve. Blutë e kryeqytetit përveç dëshmive që kanë marrë në vendngjarje, kanë shoqëruar në polici në ato momente disa dëshmitarë për t'u pyetur për ngjarjen që çoi në plagosjen e një personi dhe dëmtimit të makinës së tij.
Personat që ushtruan dhunë ndaj 30- vjeçarit nuk janë identifikuar nga policia, e cila po heton për shkaqet e vërteta të ngjarjes. Pas sulmit Alban Hyseni është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak me disa plagë në trup.
Ditën e parë të qëndrimit në spital, i plagosuri ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore, për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë, por mjekët e Spitalit Ushtarak janë shprehur se dëmtimet që ka marrë Hyseni nuk paraqesin rrezik për jetën. Vetë familjarët e të plagosurit kanë vendosur që i afërmi i tyre të trajtohet në një spital privat i vendosur pranë Spitalit Ushtarak.
Sipas mjekëve dhe të afërmeve të të plagosurit , gjendja shëndetësore e Hysenit është përmirësuar dy ditë pas sulmit ndaj tij dhe ndihmës mjekësore që ka marrë e ka kaluar rrezikun për jetën. Mësohet se i plagosuri është djali i një oficeri të lartë të policisë së kryeqytetit.
Policia e Tiranës për të zbardhur ngjarjen ka ngritur një grup hetimor, që po heton personat që kanë ushtruar dhunë ndaj Alban Hysenit dhe cilat kanë qenë motivet që kanë shtyrë këta persona të ushtrojnë dhunë ndaj Hysenit.