Devoll, masakrohen me sëpatë dy studentë
Dy djemtë 21-vjeçarë janë goditur disa herë me sëpatë nga vëllezërit Loren dhe guri Mazelliu pas një sherri
DEVOLL- Dy vëllezër nga Devolli kanë masakruar me sëpatë dy studentë, të cilët fatmirësisht i kanë shpëtuar vdekjes. Ngjarja, sipas burimeve të policisë lokale, ka ndodhur gjatë mbrëmjes të të premtes rreth orës 18.30 në afërsi të Drejtorisë Arsimore të qytezës së vogël. Dy vëllezërit, përkatësisht Loren dhe Guri Mazelliu, 22 dhe 23 vjeç, janë konfliktuar me dy studentë të universitetit të Korçës, njëherësh banorë të qytetit të Bilishtit.
Duke iu referuar të njëjtave burime zyrtare mësohet se vëllezërit kanë vënë në përdorim edhe një sëpatë duke i çuar në spital dy studentët shokë me njëri-tjetrin. Dy vëllezërit sapo kanë gjetur në rrugë Daniel Gegën, 21 vjeç, nga Bilishti si dhe shokun e tij Erigels Bregu kanë shkuar të armatosen. Vetëm pak minuta më pas ata kanë qëlluar me sëpatë në drejtim të Daniel Gegës duke e plagosur në kurriz.
Ndërkaq ata kanë plagosur dhe Erigels Bregun duke i shkaktuar disa plagë gjendja e të cilit është serioze për jetën. Gega është shtruar në spitalin e Bilishtit, teksa Bregu për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore është transportuar drejt spitalit rajonal të Korçës. Mësohet se dy vëllezërit protagonistë të ngjarjes e kanë nisur konfliktin me studentët rreth dy javë më parë në lokalin e tyre.
Shkak është bërë një grindje mes studentëve dhe kamerierit, të cilët nuk kanë preferuar të paguajnë për atë që kishin konsumuar duke tentuar të bëjnë të "fortin". Kjo gjë nuk është mirëpritur nga pronarët të cilët falë rastësisë nuk kanë regjistruar një tragjedi të vërtetë.
Ata kanë vendosur të hakmerren, ndërsa akuzohen për vrasje me dashje e mbetur në tentativë. Policia e Devollit ka prangosur pak pas mesnatës të së premtes Loren Mazelliun, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai më i madh i tij Guri Mazelliu.