E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devoll, dy persona helmohen me pesticide

DEVOLL – Dy persona u vetëhelmuar me pesticide në rrethin e Devollit, por ndërhyrja e mjekëve u ka shpëtuar atyre jetën. 

 Ndërsa një 44-vjeçare në fshatin Bitinckë të këtij rrethi ka konsumuar pesticid për t’u vetëflijuar, një 50-vjeçar në fshatin Vishocicë e ka ngatërruar atë me shishen e rakisë. Sipas policisë, M. Kambo është paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore mbrëmjen e së premtes në spitalin e Korçës e intoksikuar nga konsumimi i pesticideve. Pasi i janë bërë disa herë lavazhe nga ana e mjekëve, ajo ka mundur të shmangë rrezikun e jetës. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se gruaja kishte konsumuar helmin në kushte të rënda të depresionit për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën jetonte. Ndërsa Refik Mullaxhiu nga fshati Vishocicë ishte duke kërkuar në një nga dollapët e shtëpisë, kur ka gjetur një shishe me lëng të tejdukshëm. Duke pandehur se kishte gjetur “rakinë e fshehur”, ai ka pirë disa gllënjka të saj, para se të kuptonte se po pinte pesticid. Menjëherë ai është dërguar në spital nga familjarët e tij dhe ndërhyrja e bluzave të bardha ka qenë vendimtare duke i shpëtuar atij jetën. Mësohet se dy personat e mësipërm po hetohen për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë”.        j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›