Devoll, i jepet lamtumira edhe vëllait të tretë
Ai ndërroi jetë dje paradite, pasi nuk mundi dot t’i shpëtonte plagëve të marra nga tragjedia e para tre ditëve, ku mbetën të vrarë në vend edhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj.Familja Mulliri po i jepte dje lamtumirën e fundit dy djemve të mëdhenj, Xhiljanit dhe Taulantit, përkatësisht 25 dhe 23 vjeç, ndërkohë që erdhi njoftimi edhe për vdekjen e djalit të vogël. Në ceremonitë e djeshme të varrimit ishte e pranishme edhe nëna e djemve, Liliana Mulliri, e cila aktualisht vuan dënimin me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e 7 vjeçarit Altin Xhihani, në vitin 2003. Ajo mbërriti dje me forca të shumta policie dhe ka qëndruar gati një orë në shtëpi para kufomave të dy djemve. Pas varrimit, nëna e vëllezërve të vrarë, Liljana Mulliri është marrë me vete nga forcat e policisë dhe është çuar në dhomat e burgut në Korçë. Ndërkohë, mësohet se ajo nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë mortore të djalit të vogël, Etlevanit.Policia thotë se vijojnë kërkimet për arrestimin e autorit të vrasjes së tre vëllezërve, Besim Karait. Në operacionin e arrestimit janë angazhuar dhe forcat e RENEA-s, dhe kërkimet janë përqendruar në fshatin Sinicë të Greqisë.Nga ana tjetër policia ka zbardhur plotësisht dhe motivin e krimit. Sipas policisë, 23-vjeçari Taulant Mulliri kishte një lidhje jashtëmartesore me gruan e Besim Karajt. Para dy muajsh, Karaj e kishte kapur në flagrancë Taulantin me të shoqen në shtëpinë e tij. Pas një zënkë me fjalë, ata i kishin sheshuar mosmarrëveshjet. Besimi ia kishte falur të shoqes tradhtinë, por ndjenja e hakmarrjes shpërtheu mesditën e së premtes, duke çuar në ngjarjen e kobshme.