Vendi i përfshirë nga reshjet e shiut dhe të dëborës
Në vijim paraqitet informacion mbi situatën në këto zona dhe gjendjen e akseve rrugore kombëtare dhe të akseve rrugore rurale në bazë të të dhënave të raportuara në Qendrën Operacionale të Emergjencave Civile, deri sot në mesditë. Qarku Shkodër: Situata në rrethin e Shkodrës është normalizuar. Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës së kaluar në rrethin e Shkodrës ka pasur 125 mm shi. Të gjitha rrugët për në fshatrat e komunave të përmbytura ditë më parë janë të kalueshme nga të gjitha llojet e mjeteve. Ka ende 1800 ha tokë me prezencë uji, 78 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji.Në rrethin e Pukës ka pasur dhe vazhdojnë të bien reshje bore dhe shiu, të shoqëruara me temperatura të ulëta. Aktualisht rrugët janë të kalueshme me vështirësi, dhe në disa segmente është i detyrueshëm përdorimi zinxhirëve, si në rrugën Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës-Morinë dhe në rrugën Qafë Mali-Fierzë. E bllokuar në rrethin e Pukës mbetet vetëm rruga për në Komunën Iballë. Në Malësinë e Madhe të gjitha rrugët për në qendrat e komunave janë të kalueshme nga automjetet, por në disa raste nevojitet përdorimi i zinxhirëve, si në akset rrugore për në komunat Vermosh, Kelmend, Shalë dhe Shosh.Në Qarkun e Lezhës:Aktualisht situata paraqitet normale, pavarësisht se reshjet kanë qenë intensive, ku vetëm dje dhe gjatë natës së kaluar kanë renë 57 mm shi. Nuk kemi situata problematike. Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme plotësisht dhe mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shërbimet e qarkullimit rrugor dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve. Hidrovoret janë në gatishmëri dhe punojnë me kapacitet të plotë. Në Qarkun Kukës:Gjatë natës ka pasur reshje intensive shiu, dhe në zonat malore mbi 600 m ka pasur reshje bore. Aktualisht reshjet janë ndërprerë. Në të gjithë rrjetin rrugor nuk kemi probleme të veçanta me qarkullimin e automjeteve. Moti sot është më i butë dhe pritet të kemi pakësim të reshjeve.Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në komunat: Arrën, Gryk Çajë dhe Zapod. Në Qarkun e Dibër:Gjatë natës së kaluar ka pasur reshje intensive shiu dhe në zonat malore mbi 600 m reshjet kanë qenë në formë dëbore. Aktualisht bien reshje intensive bore në rrethin e Dibrës, shoqëruar me temperatura të ulëta deri në -4 gradë Celsius. Në rrethet Bulqizë dhe Burrel, reshjet kanë qenë më të pakta dhe aktualisht nuk bien. Nga shirat e ditës së djeshme dhe gjatë natës që kaloi situata është përmirësuar ndjeshëm në rrjetin rrugor. Aktualisht të bllokuara janë komunat Kala e Dodës në rrethin e Dibrës dhe komunat Ostren dhe Trebisht në rrethin e Bulqizës. Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme plotësisht dhe mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shërbimet e qarkullimit rrugor dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve.Qarku Durrës: Nga fryrja e lumit Ishëm dhe lumit Tërkuzë në bashkimin e tyre, në afërsi me fshatin Mërqin, Komuna Bubq, ka dalje të ujit në parcelat bujqësore dhe në një banesë uji ka prekur edhe oborrin e saj. Probleme të tjera nuk ka pasur. Qarku Korçë: Situata paraqitet normale. Ka pasur reshje borë në segmentin rrugor Qukës-Qafë Thanë, por Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka mbajtur në gatishmëri borëpastrueset, të cilat nuk kanë lejuar bllokimin e rrugës. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme.