E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Durrësit, ndalohet i dyshuar si vrasës me pagesë

Vlonjatin “e tradhtojnë” shenjat e gishtërinjve në motorin e braktisur
Vrasja e trefishtë në Durrës ka një emër. Gjurmët e lëna në motorin me të cilin është larguar nëpër natë, menjëherë pas krimit dhe përballja me dëshmitarët në vendin e ngjarjes, kanë drejtuar paraprakisht gishtin e akuzës mbi vlonjatin 35-vjeçar Arjan çelaj, i njohur edhe me emrin Edison. I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë, që ndodhi natën e së mërkurës së kaluar në Durrës, është kapur në shtëpinë e tij në lagjen “28 Nëntori” të Vlorës dhe ndalimi u bë në orën 5 të mëngjesit të së shtunës, nga strukturat e antikrimit të Policisë së Durrësit në bashkëpunim me ato të Vlorës. Ende nuk janë bërë të ditura motivet e masakrës, por duket se shenjat e gishtërinjve në motorin me të cilin u largua dhe në çantën e braktisur në vendin e ngjarjes, kanë çuar në identifikimin e tij. çelaj është kuzhinier në profesion dhe dyshohet të jetë ekzekutori i Luan Currit, 43 vjeç, Ani Currit, 18 vjeç, dhe ndërtuesit Edmond Shemsi 49 vjeç, në lokalin e Currëve. Vazhdon të dyshohet se i ndaluari është një vrasës i paguar për krimin, por ndërkohë po hetohet për të zbardhur plotësisht arsyet personale që e kanë shtyrë atë drejt kësaj vepre të rëndë. Ai dyshohet se ka hyrë brenda në lokal, duke qëlluar e lënë të vrarë këta tre persona dhe më pas është larguar me një motoçikletë tip “Yamaha” që drejtohej nga një person tjetër, duke iu shmangur hetimit. Motori u gjet i braktisur dhe është dërguar në laboratorin e kriminalistikës, për të siguruar provat e mjaftueshme që implikojnë të ndaluarin e policisë. Nga rrethanat në të cilën ndodhi krimi dhe largimi i qetë drejt Vlorës i të dyshuarit tregon se vrasja ka qenë e mirëpërgatitur. Për zbardhjen e vrasjes është punuar dhe punohet në pistën e hakmarrjes, me objektiv secilin prej tre viktimave, për shkak të konflikteve dhe historisë së ngjarjeve në të cilat qenë përfshirë. Ndërkohë grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen e armës së krimit dhe identifikimin e bashkëpunëtorit dhe zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes. Vrasja e trefishtë ndodhi në lokalin e shtetasit Bexhet Curri, babait të 18-vjeçarit të vrarë. çelaj, sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësot, Ornela Cako dyshohet se më datën 27 janar të këtij viti, rreth orës 22:30, në kohën që shtetasit Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi po qëndronin të ulur në lokal, ka hyrë brenda duke qëlluar e lënë të vrare tre personat dhe pasi ka realizuar vrasjen është larguar me një motoçikletë që drejtohej nga një person tjetër, duke iu shmangur hetimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›