E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devoll, kaloi 27 ton kafe kontrabandë, arrestohet doganieri në kërkim

Përfundon në pranga doganieri, favorizoi kontrabandën e kafes një muaj më parë. Drejtoria e Policisë në Korçë kishte shpallur në kërkim nga 7 marsi i këtij viti 44- vjeçarin Kiriasko Feta, me detyrë doganier pranë Doganës së Kapshticës. Pas një aksioni të organizuar gjatë mbrëmjes së të premtes, policia e Devollit ka mundur të realizojë arrestimin e të kërkuarit, i cili ishte kthyer në banesën e tij pasi mendohej se fshihej në shtetin grek. Kafeja kontrabandë që ka depërtuar në thellësi të doganës shqiptare në Kapshticë ka qenë ndër më të mëdhatë e sekuestruara të paktën në 5 vitet e fundit. Sasia e konsiderueshme e kafesë që ka hyrë në mënyrë klandestine, ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të një mauneje me rimorkio ndërsa policia gjatë asaj dite ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit, ndërkohë që është shpallur në kërkim pronari i firmës për llogari të të cilës ka hyrë kafeja kontrabandë si dhe doganieri që tanimë ka përfunduar në burg. Apostol Hali nga Korça është i vetmi i shpallur në kërkim ende i lirë i cili është njëherësh dhe pronar i firmës që ka futur kafenë kontrabandë. Dyshohet që Hali, i cili është rifutur në Greqi pas bllokimit të mjetit me sasinë e kafesë, bashkëpunonte edhe me persona të tjerë. Në datën 07.03.2009 policia e juglindjes ka prangosur Sokol Vukatana, 41- vjeçar, banor i qytetit të Korçës, i cili drejtonte maunen me targë KO 7078 B me rimorkio në të cilën janë gjetur plot 27 ton kafe kontrabandë. Vukatana, gjatë deponimeve të tij në polici ka deklaruar se nuk ka patur dijeni për shtresën e dyfishtë të dyshemesë së mjetit dhe aq më tepër për ngarkesën e cila sipas policisë është sistemuar në portin grek të Selanikut. Por gjatë asaj kohe ka mundur ti shpëtojë arrestimit dhe doganieri Feta i cili gjatë ditës së ngjarjes kryente detyrën si doganier tek peshorja dhe nuk e ka peshuar mjetin. Pas sekuestros së kafes, ai ka lënë detyrën duke u larguar për tiu fshehur uniformave blu. Mbi Fetën rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, teksa policia lokale bën të ditur se pritet dhe arrestimi i pronarit të mallit kontrabandë, i cili gjithashtu ishte shpallur në kërkim në një ditë me doganierin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›