E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me thikë plagoset 27-vjeçarja kapet autori pas krimit

02/05/2009  Ngjarja ndodhi në rrugën e Dibrës për motive të dobëta

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e një lokali, ku shtetasja 27- vjeçare Brunilda Pepa është qëlluar tre herë me thikë nga shtetasi që tashmë është arrestuar Paris Hila. Mësohet se në gjendje të dehur 42-vjeçari nga Kukësi, por banues në Kamës ka goditur disa herë me thikë kamerieren e lokalit. Burime zyrtare pranë policisë së kryeqytetit thanë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën e “Dibrës”, ku shtetasja e lënduar menaxhon një lokal. Mësohet se autori i krimit së bashku me disa persona të tjerë ishte duke konsumuar pije alkoolike. Mirëpo qetësia e tyre është prishur kur kamerierja e lokalit Brunilda Pepa, u ka thënë se duhet të largoheshin, pasi ajo kishte vendosur të mbyllte lokalin për shkak të orës së vonë. Vendimin e saj nuk e ka mirëpritur shtetasi 42-vjeçar Paris Hila, i cili nën efektin e pijes alkoolike ka filluar të përdorë fjalë të rënda në drejtim të saj. E ndodhur përballë kësaj situate edhe 27-vjeçaria Pepa ja ka kthyer fjalët e ndërsjella autorit të krimit. Ky i fundit nuk ka duruar dhe menjëherë ka nxjerrë një thikë duke e qëlluar viktimën tre herë në pjesë të ndryshme të trupit. Fatmirësisht nga goditjet e thikës 27-vjeçaria nuk ka marrë plagë të rënda, pasi edhe gjatë momentit të sulmit ajo ka mundur të largohet shpejt. Ndërkohë që për ngjarjen është vënë në dijeni policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e krimit. Pas disa minutash ndjekjeje efektivët e Patrullës së Përgjithshme kanë mundur të venë në pranga autorin e krimit shtetasin Paris Hila. Në të njëjtën kohë uniformat blu kanë transportuar viktimën Brunilda Pepa në Spitalin Ushtarak, ku pas trajtimit të mjekëve ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mbi supet e autorit u ngrit akuza e “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›