Devoll, ndalohen 41 klandestinë
Policia e Devollit ka ndaluar gjatë 24 orëve të fundit 41 shtetas shqiptarë gjatë tentativës së tyre për të kaluar ilegalisht kufirin tokësor për në Greqi. Burime zyrtare të policisë lokale deklaruan se "emigrantët klandestinë u kapën në grupe të ndryshme, në fshatra pranë kufirit me Greqinë, si në Kapshticë, Ponçarë, Tren etj". Të njëjtat burime thanë se për disa emigrantë klandestinë u vendosën dhe gjoba për tentativa të përsëritura në kalimin e paligjshëm të kufirit. Policia kufitare e Devollit po kryen aksione të vazhdueshme për të parandaluar emigracionin klandestin, pas një urdhri të dhënë nga Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, për masa më të forta kundër këtij fenomeni. Dy ditë më parë, në rrethin e Kolonjës u bllokua një grup prej 6 emigrantësh që tentuan kalimin ilegal në Greqi, ndërsa u arrestua një person që po i ndihmonte ata kundrejt përfitimit.