Devoll, trafikonte klandestinë për 1 mijë euro, prangoset 29 vjeçari
Trafiku i klandestinëve mbetet një problem ende i pazgjidhur në qarkun e Korçës. Stina e ngrohtë favorizon kalimet ilegale nëpërmjet kufirit shtetëror Shqipëri-Greqi, ndërsa organizatorët e këtij trafiku rrisin çmimet e personave që i drejtojnë në këmbë në shtetin fqinj. Policia e Korçës ka prangosur 29 vjeçarin Emiljano Capo, nën akuzën e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
I riu ka organizuar kalimin e një grupi prej 5 personash nëpërmjet rrethit të Devollit në Greqi. Pagesa për këtë shërbim të paligjshëm varionte nga 800 deri 1000 euro për person. Policia e Korçës ka kapur në afërsi të kufirit me shtetin fqinj në rrethin e Devollit klandestinët të cilët drejtoheshin nga Capo. Pas marrjes në pyetje të tyre është mësuar se organizatori i këtij trafiku ka qenë i riu, i cili është prangosur nga policia. Duke iu referuar burimeve të mirëinformuara pranë grupit hetimor mësohet se Emiljano Capo banor i fshatit Gështenjas në Pogradec bashkëpunonte dhe me persona të tjerë duke organizuar kalimet ilegale kryesisht nëpërmjet rrethit të Devollit në zonën e Mirasit. Klandestinët kanë qenë pesë persona, të cilët ishin përgatitur tiu bashkoheshin të afërmve të tyre në Greqi. Pritet që arrestimet të vazhdojnë me të tjerë persona të implikuar në këtë rrjet që vepronte kryesisht në rajonin e Korçës, ndërsa klandestinët vinin nga rrethe të ndryshme të vendit.