Skema e manipulimit, Berisha po blen votat e shqiptarëve me 200 lekë

Kryeministri Sali Berisha i ka shpallur sfidë zgjedhjeve të lira duke kërkuar me çdo kusht të sigurojë fitoren e tij nëpërmjet skemave manipulative. Sistemi i ri që ka ngritur kreu i mazhorancës është blerja e kartave të identitetit për shtresat e varfra në këmbim të votës pro Partisë Demokratike. Duke shfrytëzuar pushtetin, Qeveria Berisha, me anë të militantëve dhe biznesmenëve të vet, por edhe të punonjësve të administratës shtetërore, po përpiqet me çdo kusht të blejë votën e qytetarëve të varfër, duke i pajisur ato me kuponë falas. Kuponët pranë zyrave postare në rrethe, blihen me shumicë nga biznesmenë të PD, pastaj ato i shpërndajnë falas atyre njerëzve që mendojnë se votojnë Partinë Demokratike.
Kështu në prag të zgjedhjeve vendore, meqenëse një pjese e shtetasve përgjithësisht në zonat rurale nuk janë pajisur me karta, PD me segmentet e saj vendore po ia arrin qëllimit të manipulimit të zgjedhjeve. Blerja e votave nga demokratët për të fituar edhe një mandat tjetër qeverisësh, po ndodh në zonat rurale të vendit, në komuna dhe bashki, pikërisht atje ku vëmendja e opozitës është më e zbehtë. Si të mos mjaftonin të gjitha këtë, segmente të caktuar të PD, pengojnë qëllimisht pajisjen e elektoratit të majtë me kuponë, me qëllim mospjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Gjithsesi, manipulimi i zgjedhjeve nuk është eksperienca e parë nga pozita, pasi PD me në krye Berishën, është mësuar gjithmonë të vjedhë votat, ashtu siç bëri në 96. Në kuadër të manipulimit të zgjedhjeve nga Sali Berisha, vetë Partia Socialiste e Sarandës, denoncon publikisht shkeljet nga punonjësit shtetërorë të postave dhe stacioneve të aplikimit, punonjës këto të PD. Socialistët sarandiotë dolën dje për të denoncuar rastet skandaloze të veprimeve manipuluese të vendorëve të djathtë, të cilët kanë mbajtur qëndrime të njëanshme selektive. Më konkretisht, sipas statistikave shpallura për Sarandën, janë shitur deri në fundjavën e parë të qershorit, rreth 24 000 kuponë të tërhequra në sportelet e Postës, ndërkohë që për aplikim janë paraqitur jo më shumë se 18.250 individë, diferenca 5750 vetë, duke aluduar për blerje abuzive nga biznesmenë dhe persona afër organeve të pushtetit, për ti dhënë falas me qëllim përfitimi elektoral në favor të PD në këmbim të Dhuratës . Si rrjedhojë e këtyre veprimeve parazgjedhore, Partia Socialiste po mendon seriozisht shtyrjen e zgjedhjeve, dhe këtë e ajo e ka bërë të ditur me anë te letrave të herëpashershme drejtuar qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, ku kërkonte informacion zyrtar për numrin e shtetasve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar e të atyre që kanë aplikuar dhe nuk janë pajisur me karta. Duke marrë shkas edhe nga rasti në Durrës, ku militantë dhe biznesmenë të PD pajisën publikisht krahun e vet me kuponë falas, socialistët bënë edhe një kallëzim penal në prokurori për këtë çështje dhe paralajmëruan seriozisht bojkotimin e zgjedhjeve. Meqenëse këtë radhë për shkak të presionit të ndërkombëtarëve, qeveria Berisha nuk i vjedh dot votat nga kutitë e votimit, ajo ka sajuar një mënyrë më të sofistikuar duke shfrytëzuar varfërinë ekstreme në vend. Madje, padyshim mund të themi se Berisha me njerëzit e tij, e ka zvarrit procesin e kartave në mënyrë të qëllimtë për të krijuar terren për të manipuluar zgjedhjet. Nga ata e tyre, socialistët, duke qenë se nuk janë në pushtet dhe nuk kanë mundësi ti blejnë votat si Berisha, ata kanë zgjedhur rrugën e bojkotit të zgjedhjeve. Nga vëzhgimet dhe të dhënat e sakta që disponon selia rozë, janë rreth 1500 votues të cilët rezultojnë pa dokument të posaçëm për të votuar, një numër jo i vogël qytetarësh nuk kanë mundur të aplikojnë dhe do ta kenë të vështirë të aplikojnë në ditët në vijim, duke mohuar të drejtën kushtetuese të votës . Në këtë qëndrim , Partia Socialiste, denoncon vonesat e qëllimshme, sorollatjet e qytetarëve nga zyrat postare, e deri tek dhënia e kuponëve duke shkaktuar pengesa të qëllimshme me qëllim krijimin e një klime presioni e pesimizmi me synimin e mospjesëmarrjes së elektoratit të majtë në proces. Sipas të dhënave nga selis rozë, shpesh, punonjësit e porositur të administratës së postës, japin sqarime të shtrembëruara të vlerës së kuponit të aplikimit, duke ngatërruar qëllimisht vlerën nga 200 në 12000 lekë të kartës, për të sjellë mos aplikimin e qytetarëve që vlerësohen si kundërshtarë politik të së djathtës. Madje, kjo politikë ndiqet edhe me pajisjen me karta. Më barbar është rasti i denoncuar i 114 votuesve socialist në Komunën e Lukovës të cilët megjithëse janë pa pasaportë nuk mund të aplikojnë se ju kërkohet shuma e 1200 lekëve për të marrë kuponin e aplikimit.