E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devoll, u grindën në lokal, 2 vëllezër qëllojnë me sëpatë studentët

Dy vëllezër masakrojnë më sëpatë dy studentë, arrestohet njëri shpallet në kërkim vëllai tjetër. Ngjarja sipas burimeve të policisë lokale ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të premtes rreth orës 18:30 në afërsi të Drejtorisë Arsimore të qytezës së vogël. Dy vëllezër, përkatësisht Loren dhe Guri Mazelliu, 22 dhe 23- vjeçarë janë konfliktuar me dy studentë të Universitetit të Korçës, njëherësh banorë të qytetit të Bilishtit. Duke iu referuar të njëjtave burime zyrtare mësohet vëllezërit kanë vënë në përdorim edhe një sëpatë, duke i çuar në spital dy studentët shokë me njëri-tjetrin. Dy vëllezërit, sapo kanë gjetur në rrugë Daniel Gegën, 21 vjeç nga Bilishti si dhe shokun e tij po nga ky qytet, Erigels Bregu po 21- vjeçar kanë shkuar të armatosen dhe mbas disa minutash kanë qëlluar me sëpatë në drejtim të Daniel Gegës, duke e plagosur në kurriz. Ndërkaq, ata kanë plagosur dhe Erigels Bregun, duke i shkaktuar disa plagë gjendja e të cilit është serioze për jetën. Gega është shtruar në spitalin e Bilishtit, teksa Bregu për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore është transportuar drejt spitalit rajonal të Korçës. Mësohet se dy vëllezërit protagonistë të ngjarjes e kanë nisur konfliktin me studentët rreth dy javë më parë në lokalin e tyre. Shkak është bërë një grindje mes studentëve dhe kamerierit, të cilët nuk kanë preferuar të paguajnë për atë që kishin konsumuar duke tentuar të bëjnë të fortin. Kjo gjë nuk është mirëpritur nga pronarët, të cilët falë rastësisë nuk kanë regjistruar një tragjedi të vërtetë. Ata kanë vendosur të hakmerren, ndërsa akuzohen për vrasje me dashje e mbetur në tentativë. Policia e Devollit ka prangosur pak pas mesnatës së të premtes, Loren Mazelliun, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai më i madh i tij Guri Mazelliu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›