E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devoll, zhduket në mënyrë misterioze 17-vjeçarja

Arjana Gjiriti është nisur për tek dentisti në Bilisht pesë ditë më parë dhe që nga ajo ditë nuk ka asnjë gjurmë të saj

DEVOLL- Një vajzë 17- vjeçare nga rrethi i Devollit është zhdukur prej pesë ditësh në rrethana shumë misterioze. Gjimnazistja ka dalë nga shtëpia duke i thënë prindërve se do të shkonte tek dentisti por nuk është kthyer më në shtëpinë e saj. Familjarët kanë pritur më kot që ajo të kthehej dhe pasi kanë verifikuar faktin që ajo nuk kishte shkuar as tek dentisti, kanë nisur kërkimet. Ata kanë shkuar tek të gjithë të afërmit e tyre si dhe kanë kontaktuar me shoqërinë e vajzës por më kot. Në këto kushte familja ka denoncuar dhe në komisariatin e policisë së Devollit zhdukjen e vajzës së saj 17- vjeçare, Arjana Gjiritit.

Sipas dëshmive të familjarëve, por dhe hetimeve të policisë lokale, Arjana Gjiriti, banore e fshatit Gracë në rrethin e Devollit, prej pesë ditësh mungon në shtëpinë e saj. Vajza 17- vjeçare, e cila kishte mbaruar vitin e tretë të gjimnazit, sipas rrëfimit të hallës së saj Eri Gjiriti, e cila nuk ka lënë institucion pa trokitur për të kërkuar ndihmë. Ajo ka shpjeguar se gjatë periudhë së verës vajza qëndronte kryesisht në shtëpi për të ndihmuar prindërit e vet dhe dilte shumë rrallë. Vajza, sipas të njëjtave dëshmi, nuk kishte pasur ndonjë problem, ndërsa nuk ka pasur as ndonjë konflikt me familjen e saj. Madje familjarët, edhe në denoncimin e tyre në polici, përjashtojnë mundësinë e ndonjë lidhjeje dashurore, pasi ajo qëndronte gjatë gjithë kohës në shtëpi, duke mos pasur madje as ndonjë telefon celular.

Vajza kishte lënë një takim me dentistin, ndërsa ditën e zhdukjes së saj ka udhëtuar në drejtim të qytetit të Bilishtit. Pas mbërritjes në kryeqendrën e Devollit, e reja është zhdukur dhe askush nuk ka mësuar më shumë për të. Familjarët nga ana e tyre kanë kërkuar për gjetjen e 17 vjeçares tek të afërm të tyre jo vetëm në fshat, por dhe në vende të tjera. Burimet e policisë pohuan se janë marrë në pyetje, në prani dhe të psikologëve, edhe dy shoqe të vajzës por as ato nuk kishin asnjë ide se ku mund të kishte shkuar 17- vjeçarja. Policia e Devollit pas deklarimit të familjarëve, ka shpërndarë foton e të resë në të gjitha pikat e kalimit, por dhe komisariatet e vendit, për të lokalizuar vendndodhjen e saj. Nga ana tjetër kanë nisur edhe hetimet përkatëse. Dy janë pistat ku është përqendruar i gjithë hetimi i policisë. Ajo e zhdukjes për qëllime trafikimi drejt Greqisë, pasi dhe vajza banon në një zonë kufitare, vetëm pak kilometra larg shtetit fqinj. Por policia nga ana e saj nuk përjashton dhe mundësinë e largimit të saj të vullnetshëm me ndonjë mik intim. Për të dyja pistat është duke u hetuar, ndërsa janë marrë në pyetje edhe mjaft persona të tjerë nga fshati Gracë në Devoll. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme asnjë sinjal nuk ka mbërritur në shtëpinë e 17-vjeçares Arjana Gjiriti, ndërsa kjo ka futur më tepër në dyshime, madje në vaj të afërmit e saj të cilët nuk kanë reshtur kërkimet e tyre. Vajza 17- vjeçare jeton me prindërit dhe motrat dhe vëllezërit e saj, ndërsa disa kohë më parë familja ka kaluar një tragjedi të rëndë, ku vëllai i vetëm ka mbetur i vdekur në një aksident automobilistik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›