E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimorja prish 16 ndërtesa, përplasje me banorët

Sarandë, të dëmtuarit thonë se banesat nuk janë në territorin e komunës. Një prej banorëve shoqërohet në polici

SARANDË- Ndërhyrja e fadromës së inspektoratit ndërtimor që ka prishur 16 ndërtesa në kodrën e Berdeneshit, vetëm dy kilometra larg qytetit të Sarandës, ka sjellë reagimin e ashpër të banorëve. Në kodrën e Berdeneshit, sipas tyre, janë ndërtuar me qindra banesa pa leje ndërtimi dhe nuk ka pse objektiv i shënjestrës së fadromës të bëhen vetëm banesat e tyre. Ndërhyrja e fadromës ka hasur në kundërshtimin dhe reagimin e disa banorëve, të cilët kanë gjuajtur me gurë dhe mjete rrethanore për të penguar prishjen e ndërtimeve që sipas pretendimit të tyre, ato janë në proces legalizimi dhe se pronarët nuk janë lajmëruar për prishjen. Në këto kushte ndërtimorët kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe një prej banorëve është shoqëruar në komisariat. Banori i shoqëruar në polici pretendonte se fadroma e komunës së Alikos po kryente prishjen e banesave në mënyrë të paligjshme pasi ato nuk janë në territorin që i përket juridiksionit të kësaj Komune dhe se të afërmit e tij janë në emigracion dhe nuk janë lajmëruar për prishjet.

Territori nga Kanali i Çukës deri tek Harta, në kufi me Ksamilin pretendohet se është nën administrimin e tre njësive administrative Bashkisë së Sarandës, Komunës së Alikos dhe komunës së Ksamilit. Paradoksi qëndron tek këmbëngulja e Komunës së Alikos për të poseduar patjetër territorin e fshatit Berdenesh nga kjo komunë, kur dihet se banorët e këtij fshati gjendjen civile e kanë në qytetin e Sarandës, votojnë në Sarandë dhe janë të regjistruar e kanë këshilltarët e zgjedhur në këshillin bashkiak të Sarandës. Edhe ndërhyrja e djeshme, sipas të dëmtuarve, ka qenë e paligjshme. Por sipas shefit të zyrës së urbanistikës së komunës Aliko, Petraq Kote, gjithçka është e ligjshme dhe prishjet janë bërë në territorin e komunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›