E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devolli: Kërkoj ndjesë publike për Ilir Dajën

• I penduar për atë që ndodhi, gjë që dukej qartë nga një ngarkesë emocionale që e tregonte qartë në fytyrë.Bledar Devolli ka pranuar të flasë në lidhje me episodin, që e shikoi protagonist në fundin e derbit të së mërkurës. Megjithëse për-veç fajit të vet ka dashur që edhe pala tjetër të pranojë provokimet e bëra: "Pas asaj që ndodhi, si unë, edhe pjesëtarët e tjerë të skuadrës jemi më të qetë. Kështu që përfitoj nga rasti për t'i kërkuar falje teknikut Daja, duke u nisur edhe se në atë moment isha disi i ngarkuar, pasi ndaj Dinamos ishte një ndeshje e tensionuar dhe gjëra të atilla mund të ndodhin. Prandaj shpresoj që çdo gjë të përfundojë me kaq". Por duket se Daja nuk ka dashur ta lërë me kaq, pasi ka ngritur padi në gjykatë për dhunim. "Nëse është kështu, edhe unë do ta denoncoj për ofendim në polici", ka thënë mesfushori i Partizanit, i cili synon ta zgjidhë çështjen përmes fjalëve: "Kërkimin e ndjesës e bëj se e ndiej. Doja ta merrja Dajën në telefon që pas ndeshjes, por ishim ende në gjaknxehtësi e sipër. Besoj se këto ditë do të takohemi dhe mund të pi ndonjë kafe me të, për t'i kërkuar falje edhe personalisht". Në lidhje me iniciatorët e sherrit, Devolli s'ka dashur të përmendë emra: "Kjo u takon ta zgjidhin organet kompetente, unë s'kam lidhje fare me këtë". Domethënës në këtë aspekt është fakti se me synimin për të sqaruar gjërat, dinamoviti Kuli ka shkuar dje paradite te "Tutoestetika", ku lojtarët e Partizanit ishin duke bërë masazhe. Por të kuqtë nuk kanë preferuar ta afrojnë, përderisa ishin ende me inatin e fundit të derbit, ku një nga shkaktarët ishte pikërisht mesfushori kavajas i Dinamos.Reagimi i KulitI shokuar mbas ndeshjes ndaj Partizanit, jo aq shumë për ngjarjet e ndodhura në fushën e lojës, sesa për jehonën negative të pasqyruar në media. Ky është Bekim Kuli, 24 orë mbas ndeshjes dhe grindjes në përfundim të saj, kundër Partizanit. Mesfushori kavajas, i shënjestruar si shkaktari i rrëmujës së ndodhur në përfundim të derbit ndaj Partizanit, jep versionin e tij të ngjarjeve të ndodhura në fund të takimit, duke kërkuar qartësi mbi ato çfarë kanë ndodhur në fushë. "Të gjithë e panë se çfarë ndodhi në fushë dhe më vjen shumë keq për fjalët e thëna nëpër media gjatë orëve pasardhëse, kjo më ka shkaktuar edhe më shumë mërzi. U pa qartë se cilët ishin shkaktarët e vërtetë të rrëmujës së ndodhur në fund të ndeshjes dhe nuk më duket e drejtë të më akuzosh mua, vetëm se shkova për t'i kërkuar shpjegime Pinarit, i cili po godiste me shkelma Vinçetiçin. Në fund të ndeshjes, u çova nga pankina për të festuar kualifikimin, kur shoh Pinarin që ishte duke shkelmuar Vinçetiçin. Në atë çast u nisa për të mbrojtur shokun tim dhe vetëm sa u përplasa me trup me Pinarin, pa e shtyrë dhe pa e goditur, shoh lojtarët e Partizanit që vijnë e më godasin. Të gjithë e panë se çfarë ndodhi në fushë dhe se cilët ishin fajtorët e rrëmujës së ndodhur në fushën e lojës, nuk ka më nevojë për komente të mëtejshme", shprehet Kuli.Gjirokastriti rrezikon Bledar Devolli, futbollisti i skuadrës së Partizanit rrezikon të dënohet me një vit pezullim dhe dy milionë lekë të vjetra gjobë, për veprimet që bëri të mërkurën në mbrëmje në derbin kundër Dinamos. Pas një sherri masiv, lojtari goditi trajnerin e skuadrës kundërshtare dhe rregullorja shprehet qartë se për një veprim të tillë ka masa drastike. Depozitohet denoncimiKa kaluar menjëherë nga fjalët te veprat, trajneri dhe drejtori teknik i Dinamos, Ilir Daja. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ndaj Partizanit, tekniku dinamovit shprehu qëllimet e tij për të denoncuar Devollin. E thënë e bërë për Dajën, i cili është nisur menjëherë për në komisariat, ku ka bërë denoncimin.Cana: Morëm një leksionE mundur 2-0 nga Zenit Saint-Pétersbourg, Marseja u eliminua nga vazhdimi i mëtejshëm nga Kupa UEFA. Kapiteni i ekipit francez, shqiptari Lorik Cana duke folur për mediat franceze tha se ai dhe shokët e tij të ekipit kishin dështuar në të gjithë sektorët e lojës përballë rusëve. "U dominuam nga kundërshtarët tanë, në përqendrimin dhe në shpejtësinë e lojës. Nuk iu përgjigjëm shpejt probleme të shkaktuara. Fatkeqësisht nuk patëm asnjë rast. Morëm një mësim të mirë", citohet Cana nga faqja sportive franceze, maxifoot.com."Skela, lojtar luftarak"Skuadra e Energi Kotbus ende nuk ka fituar asnjë takim gjatë vitit 2008, mirëpo fansat e klubit gjerman nuk mendojnë kurrsesi se fantazisti shiptar Ervin Skela është fajtor për gjendjen e rënduar të klubit të Bundesligës. Një prej tyre gjatë një interviste të gjatë për gazetën e njohur "Die Welt" pohon: "Unë mendoj se disa lojtarë nuk janë të vetëdijshëm për situatën që po kalojmë. Gjithsesi, futbollistë si Ervin Skela dhe Timo Rost janë ndër më luftarakët". Kotbus është shumë pranë rrëzimit në Bundesliga 2, teksa aktualisht është në vendin e fundit në renditje.Ari Han vjen në TiranëTrajneri i Kombëtares shqiptare, holandezi Ari Han do të mbërrijë të shtunën në Tiranë për të nisur edhe përgatitjet për ndeshjet miqësore me Arabinë Saudite në Dammam (21 mars) dhe Moldavisë në Tiraspol (26 mars). Tekniku i përfaqësueses së Shqipërisë pritet të ndjekë dy takime të Kategorisë Superiore, por nuk është përcaktuar ende se cilat do të jenë ato. Në vizitën e tij të fundit holandezi ndoqi takimet Tirana-Dinamo si edhe Flamurtari-Vllaznia. Ari Han pritet të flasë para medieve edhe për zgjedhjet që ai ka bërë për dy miqësoret e radhës. Përveç të tjerave, Han duhet të shpjegojë lënien jashtë të Salihit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›