E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Harvey" çel teatrin e "Metropolit"

• Teatri "Metropolit" çelet sot. Ideja e kahershme drejtorit të Qendrës Artistike të Tiranës, Kiço Londo, materializohet sot, në skenën e Akademisë së Arteve me shfaqjen "Harvey" të Meri Chase.E punuar prej disa kohësh në ambientet e kësaj qendre, nga regjisori Hervin Çuli, vepra më e suksesshme e shkrimtares me origjinë amerikano-irlandeze, do të ngjitet sot premierë në skenën shqiptare. "Harvey" është një nga punët më të suksesshme të saj. Meri filloi punën me këtë pjesë, e frymëzuar nga dy përvoja jetësore: një ëndërr që ajo kishte parë me një psikiatër, i cili ndiqej nga një lepur i bardhë, gjigand, gjë e cila i kujtoi asaj historitë që i tregonin xhaxhallarët irlandezë për Pukat, shpirtrat e përrallave, nga folklori irlandez, të cilat u shfaqen vetëm atyre që u besojnë. Ndërsa frymëzimi tjetër i erdhi kur një ditë ajo vuri re një fqinjën e saj të ve, që kishte humbur djalin e vetëm në luftë. Regjisori Hervin Çuli, për vënien në Shqipëri të kësaj vepre ka zgjedhur një grup aktorësh, të cilët do të çelin sot edhe teatrin e "Metropolit", siç janë i mirënjohuri Bujar Lako që vjen në rolin e Elud Pi Dodit, Ermira Gjata në rolin e motrës së tij, Vita, Inida Gjata në rolin e të shastisurës Mertel Mei, së cilës i është vënë pas i forti i spitalit, Uilson, interpretuar nga Vasillaq Vangjeli. Vetë Çuli do të interpretojë në rolin e doktorit të ri në spitalin e të sëmurëve mendorë. Ndërsa Suela Konjari do të jetë infermierja, që e admiron atë dhe aktori i njohur Robert Ndrenika në rolin e dr. Çamlit, bartës i ambicieve për rang shoqëror, i cili është dhe drejtori i spitalit. Ndërkohë Fadil Kujovska interpreton në rolin e avokatit që duhet të zgjidhë ngatërresën. "Harvey" në qendër të veprës trajton një beqar të këndshëm të quajtur Elud Pi Dodi, i cili ka një shok të padukshëm, një lepur të madh të bardhë, Harvin. Eludi është tepër da-shamirës, një xhentëlmen i vërtetë. Ai i ngre nervat motrës së tij Vita kur i prezanton të ftuarave të saj mikun e tij Harvin. Vita, e cila është në ankth për martesën e vajzës së saj Mertel përpiqet të shtrojë të vëllain në spitalin psikiatrik. Këtu fillon humori në komedinë e Mery Chase. Thelbi i moralit të zotit Dodi përfaqëson një vlerësim të asaj që është e bukur në jetën tonë të përditshme dhe një dashuri vetëflijuese për njeriun e afërm. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›