E Diel, 1 Nëntor 2026

Devolli: Kukësi ta mbledhë mendjen, nuk merr pikë në Gjirokastër!

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Kapiteni i gjirokastritëve, Bledar Devolli, thekson se kuksianët do të munden, kurdo që të vijnë dhe me çdo formacion që do të kenë

Më pak se dy javë mbeten deri në nisjen e fazës së dytë të  kampionatit të 65-të të kategorisë së parë dhe në Gjirokastër ende nuk është saktësuar nëse do të luhet e para ndeshja e javës së 14-të me Kukësin, e prapambetur, apo ajo me Vlorën, e vlefshme për javën e 16-të. Pavarësisht kësaj çështjeje, përgatitjet vazhdojnë me ritmin e duhur dhe bindja, si në radhët e ekipit, ashtu edhe në ato të publikut, është se ky kampionat do të kurorëzohet  me sukses.

Devolli Kapiteni dhe lideri emblematik i Luftëtarit, Bledar Devolli, për vazhdimin e kampionatit dhe për ndeshjen e shumëpërfolur me Kukësin, thotë: Normalisht, duhet të mbyllet faza e parë edhe për ekipin tonë dhe më pas të fillojë e dyta. Por, me sa po informohemi,  do të fillojë faza e dytë dhe pas ndeshjes së parë të saj, që Luftëtari do ta luajë në Vlorë, do të presim Kukësin.

Di që drejtuesit  e ekipit tonë po bëjnë të gjitha përpjekjet për ta zhvilluar më 8 shkurt  ndeshjen e prapambetur me Kukësin. Mbaj mend se në prag të javës së 14-të, pikërisht te Sporti shqiptar kam deklaruar se Luftëtari jo vetëm do të fitojë me Kukësin, por do të fitojë me goleadë. Duke i qëndruar kësaj deklarate, tani po shtoj se Kukësi, me çdo formacion që do të vijë, duhet ta mbledhë mendjen se në Gjirokastër nuk merr pikë, kurdo që të luhet ndeshja.

Kuksianët vetëm se do të shpenzohen dhe do të lodhen nga rruga e gjatë. Në Gjirokastër po ju them se kanë frikë të vijnë edhe ekipet e superligës, jo më Kukësi. Nëse vendimi i FShF-së do të jetë që kjo ndeshje kaq e përfolur do të zhvillohet më 15 shkurt, ne do të shkojmë në Vlorë me objektiv fitoren, megjithëse nuk kemi kujtime ndër më të mirat nga faza e parë me këtë ekip.

Atëhere ishte fillimi i kampionatit dhe ende nuk ishte krijuar si duhet grupi, si dhe nuk ishte kristalizuar mendësia e fituesit, gjëra që tani janë pjekur plotësisht. Kështu, është formuar një ekip me agresivitet sportiv, më i frikshmi i kategorisë së parë, të cilin e shoh që tani në superiore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›